Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka folur ditën e sotme për mosarrestimin e “eskobarit të Ballkanit”, Klement Balilin. Lu e ka cilësuar mosarrestimin e tij si një dështim të policisë dhe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Politikanët i kanë kushtuar vëmendje interesave të kriminelëve dhe biznesmenëve të korruptuar. Ndryshe, si mund të shpjegohet që Klement Balili është ende i lirë? Ky është dështim i policisë dhe sistemit të drejtësisë”, u shpreh Lu gjatë analizës vjetore të Avokatit të Popullit.
Ai shtoi se kanë kaluar 7 muaj që kur policia greke ka arrestuar trafikantët e lidhur me Balilin, ndërsa u shpreh se agjencitë e SHBA-së i kanë thënë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta arrestojnë Balilin.
“Nëse nuk kapet Balili, si mund të shkojë pas peshqve të tjerë të mëdhenj drejtësia shqiptare? Kush do e besonte se ky është vend serioz në luftën kundër trafikut nëse nuk procedohen peshqit e mëdhenj”, shtoi Donald Lu./tesheshi.com/