Emergjencat njoftojnë se rreziku i zjarreve është i madh në vend, pasi temperaturat mbeten ende të larta.
Në 24 orët e fundit ka patur 2 vatra zjarri në pyje në Dibër dhe Vlorë, me dëme të konsiderueshme. Në fshatin Zogjë, Njësia Administrative Shupenzë, Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu. Për shkak të vështirësive të terrenit, puna për shuarjen e flakëve vijoi gjatë gjithë natës me mjete rrethanore. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me pyll ahu.
Ndërkohë, në fshatin Zvërnec, Njësia Administrative Qendër, Vlorë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe pisha si dhe një kabinë elektrike që ndodhej afër zjarrit pësoi dëme materiale.
Emergjencat Civile njoftojnë se në çdo prefekturë janë ngritur shtabet dhe janë në gadishmëri për të përballuar çdo situatë nga zjarret./tesheshi.com/