Traineri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka dalë sot në një konferencën për media, ku ka folur për sfidën kundër Armenisë.
Shqipëria dhe Armenia do të takohen të dielën që vjen në “Elbasan Arena”, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2016.
Tekniku italian mendon se përballja me Armeninë do të jetë një ndeshje e vështirë. Ai thotë se ndeshja me Armeninë është sfida me e rëndësishme në karrierën e tij.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Janë një rival i vështirë. Ne duhet të luajmë me zgjuarsi dhe të mbështetemi në kualitetet tona. Ata kanë humbur me Danimarkën dhe Portugalinë, ndërsa kanë barazuar me Serbinë, por trajneri i Armenisë ka bërë një punë të mirë”, ka thënë De Biasi, transmetojnë mediat shqiptare.
“Nëse fitojmë të dielën do të jem i lumtur. Them se është ndeshja më e rëndësishme në karrierën time. Nuk kënaqem me barazim, por në fund në bazë të lojës, do të jem i kënaqur edhe më një pikë”, tha ai.