Nga Danny Shaw, TRT World
Pas 18 viteve mësimdhënie në Kolegjin e Drejtësisë John Jay në New York, më pushuan nga puna. Vendimi për të prishur kontratën u mor në mënyrë të njëanshme nga drejtuesja e shkollës Kerol Mason, për shkak të presionit që ajo ndjente nga jashtë universitetit.
Kreu i departamentit të studimeve mbi Amerikën Latine, kolegët e mi dhe unë nuk kemi parë kurrë diçka të tillë dhe jemi të shokuar. Siç e theksuan edhe kolegët e mi në Departamentin e Ekonomisë, ky akt i rëndë përbën një kërcënim serioz për lirinë akademike dhe autonominë e departamenteve universitare për të punësuar dhe pushuar nga puna profesorët e tyre.
Që nga pranvera e vitit 2007, kam pasur nderin të mësoj mijëra studentë në këtë kolegj. Më pushuan nga puna vetëm për shkak të sinqeritetit tim mbi gjenocidin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj popullit të Gazës. Forcat sioniste pa asnjë lidhje me komunitetin e Kolegjit John Jay më sulmuan, më kërcënuan, dhe në fund ia dolën të më pushojnë nga puna.
Zonja Mason, ku është liria ime akademike? Presidenti Biden, ku është e drejta ime e lirisë së fjalës? Unë besoj se Sionizmin dhe gjenocidi kanë shkuar dorë për dore për treçerek shekulli. A nuk kam vallë të drejtë kushtetuese ta them këtë në rrjetet sociale, dhe gjatë aktivizmit tim si qytetar jashtë veprimtarisë time universitare?
Çfarë është më revoltuese? Bombat amerikane që bien mbi një popull të pushtuar, të kolonizuar, apo fushata e shpëlarjes së trurit që nga viti 1948, e cila ka arritur të bindë segmente të mëdha njerëzish në Perëndim se “të jesh palestinez, do të thotë të jesh terrorist?”
Po si mund të jetë xhanëm faji i palestinezëve, që janë banorë vendas në një zonë të caktuar të botës? Siç e tregon shumë qartë dokumentari “Historia e një toke: Lufta 100-vjeçare kundër Palestinës” e ish-profesorit tim Rashid Khalid dhe shumë burime të tjera shkencore, palestinezët myslimanë, të krishterët dhe hebrenjtë jetuan në paqe për shekuj me radhë.
Isha i vetëdijshëm se po rrezikoja jo pak duke përdorur zërin dhe edukimin tim për të folur hapur mbi këtë çështje. E përse një profesor me një jetesë komode këtu në SHBA do të futej në telashe për një popull vazhdimisht të keqkuptuar, të “padukshëm” në sytë e botës së madhe dhe të bullizuar, që nuk ka qasje tek energjia elektrike, interneti apo uji?
Heshtja, konfuzioni, frika dhe gjenocidi shkojnë dorë për dore. Askush nuk përfiton rritje rroge apo promovim nëse flet në favor të Palestinës. Ndaj nuk u trondita dhe aq nga shkarkimi im. Në shoqërinë amerikane dhe në mbarë Perëndimin, shumë “të majtë” pretendojnë se janë “progresistë”, por kur duhet folur për pushtimin 76-vjeçar të Palestinës, zgjedhin që të heshtin.
Mediat kryesore të SHBA-së dhe Izraelit, kanë punuar edhe jashtë orarit për shtatë dekada e gjysmë, për të na bindur se palestinezët nuk janë banorë autoktonë. Gjatë gjithë kohës i kanë nxitur shoqëritë perëndimore të besojnë se ata janë kolonizatorët, ndërsa sionistët viktimat.
Profesori Norman Finkelshtein e quan këtë keqpërdorim të antisemitizmit një “abuzim me historinë”. Populli hebre ka të drejta civile; por jo sionistët. Sionizmi hodhi rrënjë vetëm kur perandoria britanike pushtoi Palestinën në korrikun e vitit 1922.
Kjo lëvizje për të krijuar dhe mbështetur një shtet kombëtar hebre në Palestinë, të cilin hebrenjtë e konsiderojnë atdheun e tyre të lashtë, ka qenë që nga fillimi një ideologji përjashtuese, shfarosëse. Që nga viti 1948, kur u inkurajua nga Perëndimi, Sionizmi ka nënkuptuar aparteid, spastrim etnik, pushtim ushtarak dhe gjenocid për popullin autokton të Palestinës.
Fushata e shfarosjes së palestinezëve autoktonë nuk nisi më 7 tetor 2023. Ajo nisi në vitin 1948 kur perandoria britanike në rënie dhe perandoria amerikane në lulëzim e sipër, themeluan një bazë ushtarake të madhe në mes të tokës arabe.
Dy klasat sunduese, duke manipuluar hebrenjtë e shumëvuajtur, të pogromizuar dhe të holokaustuar të Evropës, dhe të drejtën e tyre për paqe dhe vetëvendosje, vendosën ta quajnë Izrael projektin e tyre kolonial. Kerol Mason është në anën e gabuar të historisë për shkak të një fushate represioni të synuar.
Ajo ka zgjedhur të qëndrojë përkrah supremacistëve të bardhë dhe kolonializmit të kolonëve. Që kur fillova të studioja këtë pjesë të histori të Lindjes së Mesme në vitet 1990 kur isha ende adoleshent, shpirti më është copëtuar në 1948 pjesë.
Po i drejtohem me një mesazh të gjithë atyre që synojnë të shtypin lirinë tonë të fjalës dhe atë akademike: Ju mund të merrni vendet tona të punës, sulmoni imazhin tonë publik dhe jetesën tonë, por nuk mund të na rrëmbeni kurrsesi dinjitetin dhe etjen tonë për drejtësi!
Përpara se shumë prej nesh të viheshin në shënjestër dhe të linçoheshin, unë po ndiqesha nga miliona njerëz përmes mediave sociale. Për këtë arsye, mora një breshëri kërcënimesh duke filluar nga 20 tetori i vitit të kaluar, sepse guxova të thosha se Gaza ka jo vetëm të drejtë të jetojë, por edhe të rezistojë dhe përparojë më tej.
Gjatë dy semestrave të fundit kam qenë vazhdimisht nën presion, dhe që atëherë kam vazhduar të përdor zërin tim për të mbrojtur ata në Gaza që nuk e kanë një zë të tillë.
7 tetori 2023 e ndryshoi marrëdhënien time me shumë njerëz rreth meje. Kë tradhtova? Kujt i ktheva shpinën?
Përjashtimi është çmimi që paguajmë pse ia plasim në fytyrë të vërtetën pushtetit gjenocidal. Media ime sociale është censuruar. Brenda natës, kapaciteti im për të arritur tek miliona njerëz u pakësua, duke mundur të arrij tek vetëm disa qindra ose ndoshta mijëra ndjekës.
Shoqëria amerikane po zbulon sërish ngjyrat e saj të vërteta. Siç na kujton Amerika e Zezë, viti 2024 nuk është aq i ndryshëm nga viti 1492, kur Kristofor Kolombi zbarkoi në “Botën e Re”. Por unë nuk jam i vetmi që jam përballur me persekutim. Universiteti i Qytetit të New York-ut (CUNY), ka shkarkuar profesoreshën Liza Hofman-Kuroda, sepse një studente me mendësi sioniste u ankua tek drejtuesit për postimet e saj në mediat sociale që denonconin gjenocidin në Gaza.
Ndërkohë, profesori Jairo Fúnez-Flores nga Universiteti Teknik i Teksasit (TTU), është pezulluar nga puna për shkak të kursit të tij të leksioneve mbi anti-kolonializmin. Dominimi sionist i jetës universitare dhe gazetareske në SHBA, nënkupton se çdo arsimtar, student apo publicist ka frikë të mësojë dhe të thotë atë që ata mendojnë vërtet mbi padrejtësinë më të madhe që po ndodh ndoshta që nga Holokausti i viteve 1941-1945.
Askush në lëvizjen tonë nuk e kundërshton të drejtën e të gjitha motrave dhe vëllezërve tanë hebrenj, dhe të gjithë qenieve njerëzore për të jetuar në paqe. Por ne organizohemi çdo ditë kundër çdo poshtërimi dhe pushtimi kolonial. Kundërshtarët tanë e mohojnë këtë realitet dhe na akuzojnë si antisemitë.
Gjenocidi nuk ka të bëjë me fenë. Gjithçka ka të bëjë me kolonizimin, pushtimin dhe kush ka të drejtën e të jetuarit në një shtet në atë territor. Miliarda njerëz nuk kanë fjetur njëlloj që nga 7 tetori. Prandaj edhe reagova duke shkruar: Ky është gjenocid! Dhe nuk jam penduar aspak. Për këtë të vërtetë ne do të luftojmë, ashtu siç na kanë mësuan të parët tanë, në gjykata, sindikata, media dhe më e rëndësishmja atje ku shpaloset historia, në rrugë!
*Etnografi Danny Shaw ka shkruar gjerësisht mbi politikën e jashtme të SHBA-së. Ai është autori i librit “Ky është genocid!”, në lidhje me atë që po ndodh prej disa muajsh në Gaza. /tesheshi.com/