Populli në Katalonja voton sot në zgjedhjet e reja rajonale të thirrura nga Spanja, pas referendumit kontravers të pavarësisë, më 1 tetor, që nxiti një zinxhir të ngjeshur ngjarjesh duke përfunduar me ndërhyrjen e Madridit dhe shkarkimin e qeverisë së rajonit. Zgjedhjet po ndiqen nga afër prej vëzhguesve ndërkombëtarë dhe atyre të qeverisë qendrore.
Zgjedhjet e parakohshme përballin partitë që dëshirojnë që Katalonja të jetë republikë e pavarur ndaj atyre që dëshirojnë që rajoni të mbetet pjesë gjysmë-autonome e Spanjës.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se rezultatet pritet të jenë shumë të ngushta. Korrespondentët thonë se ka shumë pak gjasa që zgjedhjet të zgjidhin krizën politike të rajonit. Gazeta e përditshme spanjolle “El Pais” deklaroi në faqen e parë të saj, këtë të mërkurë, se një milion votues të pavendosur do të shprehin fjalën e tyre të fundit.
Rezultati që pritet të dalë të enjten do të përcaktojë drejtimin që do të marrë Katalonja për vitet që vijnë. Një ndërthurje sondazhesh botuar nga “El Pais” gjatë javës sugjerojnë se e majta Republikane e Katalonjës do të dalë e para, e ndjekur ngushtë nga Ciudadanos (Cs), që dëshiron unitetin me Spanjën.
Partia pro-pavarësisë e presidentit të shkarkuar katalanas, Carles Puigdemont parashikohet të dalë e treta. Kjo do të thotë se nuk mund të ketë shumicë parlamentare në favor të pavarësisë dhe me gjasa negociata të gjata për formimin e një qeverie.
Separatistët katalanas që dominonin parlamentin e mëparshëm shpallën pavarësinë në 27 tetor, pas referendumit që u deklarua nga Spanja anti-kushtetues. Në përpjekje për të ndaluar referendumin më 1 tetor, policia spanjolle ndërhyri në qendrat e votimit përpara procesit. Sidoqoftë, votuesit ishin në gjendje të votonin duke sfiduar gjykatat spanjolle dhe policinë.
Kjo lëvizje solli përpleshje të dhunshme ndërsa u raportuan qindra njerëz të plagosur. Pamje filmike treguan sesi policia ndërhyri në qendrat e votimit, duke nxjerrë njerëzit me forcë dhe kjo shkaktoi zemërim tek publiku. /tesheshi.com/