Ylli Pata
Vrasja e Argëtim Asanit (alias Artan Musliut) risjell në skenën e tronditur të shqiptarëve të Maqedonisë, fantazmat e tmerrshme të lidhjes së vjetër me nëntokën e krimit të organizuar dhe me shërbimin famëkeq serb UDB, i cili një pjesë solide të tij, e ka vazhduar me shërbimin e Maqedonisë së sotme të Nikolla Gruevskit.
Argëtim Asani, ka qenë një figurë kyçe e nëntokës së errët me politikën shqiptare të të gjitha forcave politike. Por mbi të gjitha ajo që është më eminente në “CV”-në e të ndjerit Asani është veprimtaria e tij e gjatë si njeri i afërt dhe truprojë e misteriozit Petrit Hame i njohur si Ame, bashkëpunëtor i afërt i kriminelit serb, Zhelko Razhnjatoviç (Arkanit) dhe figurë eminente e UDB-së jo vetëm në Maqedoni.
Argëtim Asani, që prej fillimit të viteve 90-a ka qenë bashkëpunëtor i Petrit Ames në tregëtinë e paligjshme dhe monopolet ekonomike që lindën më pas në kontrollin e shitjes së karburanteve, cigareve dhe lidhjeve me nëntokën e Shqipërisë, madje edhe me struktura të lidhura fuqishëm me shtetin.
Petrit Ame, u bë i njohur si pjesë e kronikave policeske në Shqipëri pas denoncimeve të familjarëve të Remzi Hoxhës, biznesmenit dhe veprimtarit shqiptar nga Maqedonia, i cili u vra brutalisht në Tiranë dhe ende deri sot nuk është gjetur trupi, megjithëse Prokuroria ka hartuar edhe akuza zyrtare ndaj ish-zyrtarëve të Shërbimit Informativ Kombëtar.
Pikërisht SHIK-u dhe Petrit Hame lidhen me emrin e ish-drejtorit të shërbimit sekret, të ndjerin Bashkim Gazidede, i cili është thënë se ka pasur afërsi familjare me figurën e krimit, i cili ishte me origjinë nga Dibra e Madhe.
Familjarët e Remzi Hoxhës, por edhe ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi, kanë akuzuar Gazideden se kanë vrarë Hoxhën pasi ky i fundit filmoi një takim ndërmjet Petrit Hames, Arkanit dhe Bashkim Gazidedes për çështjen e furnizimit me naftë nga Shqipëria të makinës së luftës së Sllobodan Millosheviçit. Bëhet fjalë për kulmin e luftës në Bosnjë dhe kohën kur Jugosllavia e fundit ishte nën darën e sanksioneve të OKB-së.
Vitet kaluan dhe një pjesë e madhe e personazheve kyçe të zhvillimeve më turbulente të skenës shqiptare u larguan një nga një dhe me ikjen e djeshme të Argëtim Asanit, asnjëri nga afera “Ame-Arkan” nuk është më.
Petrit Ame u vra në një atentat në Prishtinë menjëherë pas luftës në Kosovë dhe askush nuk foli për atë ngjarje. Ndërkohë Bashkim Gazidete u nda nga kjo botë nga një sëmundje e rëndë. i vetmi siç duket i gjallë ishte Argëtim Asani, një besnik i Hames, i cili asnjëherë nuk u pyet as nga Prokuroria e Shqipërisë e as nga organet maqedonase për akuzat e tmerrshme të familjarëve të Remzi Hoxhës.
I ndjeri Asani ka lëvizur thuajse të gjithë orbitën politike të shqiptarëve të Maqedonisë, duke u shpërblyer me pushtet dhe para. Nga një njeri i Menduh Thaçit e i PDSH-së ai u bë disident dhe mik i armiqve të tij, pra i kreut të komunës së Strugës, Zijadin Sela. Vetë Thaçi, në një takim në Strugë dy vjet më parë e akuzoi Selën për lidhjet me Asanin.
Njeriu me dy emra më pas u afrua me “Demokracinë e Re”, kur kjo forcë politike u bë pjesë e orbitës politike të BDI-së me të cilën hyri në koalicion. Qarqe të shumta në Maqedoni e cilësonin Asanin si të afërt me Zv.kryeministrin Musa Xhaferi, i cili ka ndërhyrë për emërimin e Asanit në një post të lartë siç është ai i zyrtarit që mblidhte taksat dhe tatimet në zonën shqiptare të Maqedonisë.
Pra të gjithë këta protagonistë të mistershëm, politika i ka përthithur duke shkatërruar institucionet që shqiptarët i kanë fituar me luftë dhe me dëshmorë të pashumtë, pa llogaritur mundimet dhe persekutimin shekullor.
Bajram Kupa nga Veleshta ka pranuar se djali i tij Avdulla Kupa ka vrarë Argëtim Asanin në Strugë, për të nxjerrë hak për djalin e tyre që ishte zhdukur dhe u gjet i vrarë disa muaj më parë në periferi të Strugës.
Bajram Kupa në deklaratën e tij ka theksuar se djali i tij Avdulla.K është përfshirë në këtë incident. Ai informoi se djali i tij rastësisht është ballafaquar me personin në fjalë, i cili në një moment ka vënë dorën në brez gjë që ka provokuar reagimin e shpejtë të djalit të tij.
”Personi në fjalë dhe dy persona të tjerë për ne si familje janë fajtorët kryesor në kidnapimin dhe vrasjen e djalit tonë Uran Kupa. Ne e kemi ditur prej kohësh që ai është personi përgjegjës për rastin e Uranit dhe në këtë rast Avdullai mori hakun e të vëllait” përfundon Bajram Kupa.
Uran Kupa ishte raportuar si i zhdukur nga 6 shkurt, dhe automjeti i tij u gjet disa ditë pas zhdukjes në Dibër, dhe trupi i vdekur i tij u gjet me 18 Mars të këtij viti në fshatin Drasllajcë të Strugës.
/tesheshi.com/