WhatsApp ka njoftuar se po shtyn me tre muaj ndryshimet në kushtet e përdorimit, pasi përdoruesit shprehën frikën se shërbimi i mesazheve do të ndante informacionin e tyre konfidencial me Facebook.
“Ne po shtyjmë datën në të cilën përdoruesit do të duhet të lexojnë dhe pranojnë kushtet”, shkruajti kompania në blog.
Ndryshimet do të hynin në fuqi më 8 shkurt dhe tani kompania ka njoftuar se nuk do të ndodhë para 15 majit.
WhatsApp vuri në dukje se azhurnimi nuk do të “forcojë kapacitetin tonë të ndarjes së të dhënave me Facebook”, por mbi të gjitha synon të ndihmojë kompanitë të komunikojnë më mirë me klientët në të gjithë platformën.
“Ne e dimë që ka pasur konfuzion dhe keqinformim në lidhje me këtë azhurnim dhe ne duam t’i ndihmojmë të gjithë të kuptojnë parimet dhe faktet tona,” tha ajo.
Signal dhe Telegram përfituan nga konfuzioni
Bisedat në WhatsApp do të vazhdojnë të kriptohen dhe as Facebook e as WhatsApp nuk do të jenë në gjendje të shohin mesazhe private, pretendon kompania.
Njoftimi i javës së kaluar për azhurnimin e kushteve të përdorimit krijoi panik dhe shkaktoi zemërim tek shumë përdorues, të cilët thanë se bëhej fjalë për braktisjen e vlerave thelbësore të WhatsApp.
Aplikimi, kujton AFP, ka krijuar një reputacion në mbrojtjen e të dhënave.
Platforma u përpoq të shuante zjarrin me njoftime dhe fushata, por shërbimet konkurruese, të tilla si Signal dhe Telegram, përfituan nga konfuzioni dhe në shumë vende shkarkimi i tyre nga Apple Store dhe Google Play është rritur ndjeshëm. /tesheshi.com/