Nga Richard Fisher, BBC
Napoli është një qytet që lëviz me më shumë se një ritëm. Shpejtësinë më të madhe, ju mund ta shihni në kaosin e përditshëm: makina dhe motoçikleta që vërshojnë nëpër rrugët e qytetit italian, njëlloj si qelizat e gjakut brenda një vene. Pastaj ka edhe një evolucion më të ngadaltë: ai i historisë njerëzore.
Ky është një metropol, fati i të cilit varet ende nga vendimet e marra qindra vjet më parë: rrjete rrugicash aq të ngushta, që sot nuk do t’i projektonte asnjë urbanist. Zyrat dhe hotelet moderne, ngrihen mbi rrënojat e ndërtesave të epokës romake dhe vilave shekullore.
Por më pak i dukshëm është fakti që Napoli ka edhe një ritëm gjeologjik, dhe ky i fundit zotëron fuqinë më të madhe. Zakonisht ritmi i tij mezi perceptohet. Por herë pas here, përshpejtohet në një katastrofë: një llavë zjarri dhe shkëmbi, që prish të gjitha dinamikat e tjera në qytet.
Vullkanet e Napolit kanë një kronologji të ndryshme nga qeniet njerëzore. Ato evoluojnë përgjatë dekadave, shekujve apo edhe mijëvjeçarëve. Ndaj mund të jetë e lehtë të supozohet se ato janë statike. Por kjo është larg të vërtetës. Vezuvi është më i famshmi për shkatërrimin e qyteteve të lashta Pompei dhe Herkulaneum në vitin 79 të Erës Tonë.
Ai ngrihet rrëzë qytetit. Por këtu ka edhe kërcënime të tjera nëntokësore, dhe disa prej tyre bartin shumë më tepër forcë. Në fakt, një nga këto vullkane të mëdha po tregon shenja shqetësuese se është gati të shpërthejë sërish. Dhe mbi të jetojnë qindra mijëra njerëz.
Që të kuptoja se si është të jetosh dhe të punosh pranë këtyre përbindëshave, vizitova kohët e fundit Napolin për të realizuar një reportazh për BBC-në. Bisedova me gjeologët që i studiojnë dhe monitorojnë për 24 orë në çdo ditë të vitit. Zbulova një qytet që ecën dalëngadalë drejt katastrofës, por askush nuk mund të thotë me siguri se kur dhe ku do të ndodhë ajo.
Një nga herët e fundit që Napoli përjetoi një shpërthim të madh vullkanik, ishte 80 vjet më parë. Në mesin e marsit të vitit 1944, gjatë Luftës së Dytë Botërore, magma e nxehtë dhe gazrat toksikë që po ndërtoheshin ngadalë poshtë Vezuvit, nisën papritmas të dalin prej andej me forcë. Vdiqën më shumë se 20 njerëz. Sot, Vezuvi është shumë më i qetë, dhe ngjarja katastrofike e 1944-ës ka nisur të zbehet nga kujtesa kolektive. Aktualisht maja e Vezuvit është një atraksion turistik. Autobuzët i çojnë çdo ditë njerëzit atje, ndërsa dyqane suveniresh u shesin turistëve magnete të bëra nga llava e ngurtësuar.
Shkova edhe vetë bashkë me një grup artistësh dhe shkencëtarësh. Vura re se Vezuvi nuk është një mal normal. Zakonisht kur arrin në majë sheh pamjen përreth, por këtu syri tërhiqet nga brendia, tek krateri gjigant. Nga gardhi rrethues, pashë vetëm shkëmbinj të copëtuar dhe disa re tymi squfuri.
Për fat të mirë nuk kishte asnjë shenjë të aktivitetit të tij të dikurshëm. Gjithsesi Vezuvi mbetet aktiv, dhe një ditë do të shpërthejë sërish.
Rrugës, gjeologu Xhovani Maçedoio i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali (INGV), më tregoi topografinë e shkatërruar të shpërthimeve të dikurshme.
Në të kaluarën, kodra të tëra janë bërë copë e çikë. Nën Napolin, pllaka tektonike afrikane po përplaset dhe zbret nën pllakën e Evropës, duke krijuar një përzierje më të djegshme të magmës dhe gazit sesa vullkanet në vende si Islanda apo ishujt Hauai.
“Këtu ndodhin shpërthime shumë të dhunshme. Sa i përket energjisë, flasim për një sasi të njëjtë me shpërthimin e disa bombave bërthamore. Dallimi është se në shpërthimet bërthamore, energjia lirohet në më pak se një milisekondë. Ndërsa këtu, kjo energji lirohet gjatë disa ditëve. Por kur llogarisim energjinë në këto ngjarje, kemi dhjetëra, qindra apo edhe mijëra Hiroshima“- na shpjegoi Maçedonio.
Duke e ndjerë këtë kërcënim, zyrtarët e Napolit e kanë organizuar qytetin në zona: ata të “zonës së kuqe” duhet të evakuohen nëse niveli i kërcënimit rritet ndjeshëm. Secila prej këtyre lagjeve është e binjakëzuar me një rajon diku tjetër në Itali, i cili do të strehojë njerëzit që ikin nga katastrofa.
Duke lëvizur në trafikun kaotik të Napolit dhe rrugët e bllokuara, është e vështirë të imagjinohet se si mund të ndodhë në praktikë ky evakuim. Një gjeolog me të cilin fola gjatë udhëtimit tim, më tha se nëse ka një ngjarje paralajmëruese, mund të lëvizësh me shpejt në këmbë drejt një vendi sa më larg vatrës së shpërthimit, sesa të provosh të ngasësh makinën.
Më vonë, vizitova observatorin ku gjeologët vëzhgojnë pa ndërprerë Vezuvin dhe vullkanet e tjera të rajonit të Kampanjës. Brenda dukej si një dhomë kontrolli e misionit hapësinor, me shumë ekrane nëpër dy faqe muri, që tregojnë grafikë sizmiologjikë, harta dhe kamera të fokusuara tek dalja e gazrave në kratere.
Pikërisht atje pashë aludime për një kërcënim shumë më të madh vullkanik se Vezuvi, të cilin gjeologët aktualisht po e vëzhgojnë me shumë vëmendje. Më 20 maj, zona u trondit nga 160 tërmete, përfshirë njërin me magnitudë 4.4, më i forti që e ka goditur rajonin në 40 vjet. Shkaku? Nën qytet – dhe në fakt në pjesën më të madhe të gjirit – ekziston një “caldera” e madhe, një lloj krateri vullkanik që u shemb pas një shpërthimi shumë të fortë mijëra vjet më parë. Quhet Campi Flegrei (Fushat Fegreane) dhe është 12-15 km i gjerë. Në dallim nga Vezuvi, ai nuk ka ndonjë majë konike të dukshëm, ndaj në përditshmëri kalon kryesisht pa u vënë re.
Por me kaq shumë njerëz që jetojnë në majë të tij, konsiderohet si një nga më të rrezikshmit në Evropë. Një shpërthim që mendohet se ka ndodhur 39.000 vjet më parë, ishte aq i madh sa një pjesë e materialit përfundoi deri në Siberinë e largët. Unë e vizitova këtë përbindësh me gjeologun Vinçenzo Mora të Universitetit të Napolit Frederiku II, i cili jeton dhe punon brenda “zonës së kuqe” të Napolit.
“Njerëzit nuk janë vërtet të vetëdijshëm që jetojmë dhe ecim çdo ditë mbi një vullkan, që jemi brenda një vullkani”-më tha ai. Një e treta e caldera-s është e zhytur nën ujë, por dy të tretat shtrihet nën shtëpitë dhe bizneset e njerëzve. Është e vështirë të shohësh shtrirjen e plotë të Campi Flegrei.
Por ne u ndalëm në një pjesë të saj, një vend i quajtur Solfatara, ku Mora më tregoi një peizazh të mbushur me avuj squfuri të bardhë. Dikur ishte e hapur për turistët e intriguar nga pamjet dhe atmosfera e burimeve hidrotermale. Por disa vite më parë u mbyll, kur tre anëtarë të një familjeje ranë në një krater aty pranë dhe u asfiksuan.
“Shpërthimet zhvendosen me kalimin e kohës, ndaj ne nuk do ta dimë asnjëherë se kur dhe ku do të ndodhë shpërthimi i radhës. Dhe kjo sigurisht e bën Campi Flegrei më të rrezikshëm se Vezuvin”- më thotë gjeologu italian. Një mbrëmje, darkova në qytetin-port Pocuoli, një periferi e Napolit, me Kristofer Kilbërn, vullkanolog në Kolegjin Universitar të Londrës në Britani e Madhe.
Ai ka botuar së fundmi një studim që tregon se një shpërthim mund të ndodhë në të ardhmen e parashikueshme. Kohët e fundit, vullkani ka gjëmuar dhe po zgjerohet në një mënyrë që e ka nxitur Kilbërn dhe gjeologë të tjerë të debatojnë mbi shkaqet.
Gjatë shekujve, ndryshimet magmatike dhe të gazta thellë brenda Campi Flegrei kanë bërë që Pocuoli dhe zona përreth të ngrihen dhe ulen vazhdimisht. Linja zyrtare nga operatorët e Observatorit të Vezuvit, është se një shpërthim nuk është i afërt. Por duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, Kilbërn dhe të tjerët thonë se kujdesi dhe përgatitja është më se e këshillueshme.