Parlamenti i Maqedonisë vazhdon të shpërfillë gjuhën shqipe. Deputetët shqiptarë të BDI-së që janë pjesë e mazhorancës kërkuan këtë të mërkurë që të anulohet komisioni parlamentar për politikën e jashtme, pasi materialet për punën e tij nuk kishin përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
“Në ato komisione ku dokumentet nuk do të përgatiten ashtu siç parashikohet në rregullore, që gjithë materialet të sigurohen 5 ditë para se të mbahet mbledhja, deputetët e BDI-së do të kërkojnë që puna të ndërpritet”, deklaroi deputeti i kësaj partie, Rafiz Aliti.
Megjithatë, deputetët e BDI-së lëshuan pe nga ky qëndrim kur u ranë dakord që t’i jepet mundësia shefit të diplomacisë Nikolla Popovski, që t’i drejtohet komisionit për politikën e jashtme, përkundër mungesës së materialeve në gjuhën shqipe.
Drejtuesi i këtij trupi kuvendor, deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski, mungesën e materialeve në shqip tentoi ta arsyetonte me numrin e pamjaftueshëm të përkthyesve në Kuvend.
Për vërejtjet e kolegëve të BDI-së, Milloshovski tha se, ato i ngjajnë lojërave të vazhdueshme të kësaj partie, e cila fillimisht në qeveri mbështet projektligjet dhe më pas i kundërshton në Kuvend.
“Bëhet fjalë për një lojë të ngjashme që e bëni ju, ligjet që përgatisin përfaqësuesit tuaj në qeveri, ju si deputetë nuk i votoni kur vijnë në Kuvend”, deklaroi Milloshoski.
Ndërsa deputetja maqedonase Liljana Popovska ngriti dyshime se përplasjet për gjuhën shqipe mes kolegëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, që përbëjnë shumicën parlamentare, mund të jenë pjesë e një loje të koordinuar për të prodhuar efekte politike tek votuesit e këtyre dy partive.
“Kërkoj nga ju shpjegime, a bëhet fjalë për ndonjë lojë të kurdisur mes VMRO-së dhe BDI-së që duhet të prodhojë efekte të tjera? E them këtë pasi kjo që po ndodh këtu mes dy partnerëve të koalicionit nuk ka logjikë”, tha Popovska.
Por këto pretendime u hodhën poshtë nga deputetët e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, të cilët thanë se debatet rreth përdorimit të gjuhës shqipe nuk kanë të bëjnë me ndonjë marrëveshje të fshehtë midis tyre.