Nga Blendi Gashi
Ministrat serbë në qeverinë “Mustafa”, nuk po lënë gurë pa lëvizur për të kundërshtuar miratimin e ligjit për “Treçën. Ata një gjë të tillë nuk po e bëjnë vetëm në Kosovë, ku në shenjë revolte u larguan nga institucionet, por kundërshtimin po e vazhdojnë edhe jashtë shtetit, në Bruksel.
Branimir Stojanoviq, zëvendësi i kryeministrit Isa Mustafa, të mërkurën i vetëm e të enjten bashkë me ministrat tjerë nga ekzekutivi në Prishtinë si dhe me drejtorin e zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka mbajtur takime me zyrtarë të lartë evropian në Bruksel, të cilëve ua paraqiti kundërshtimet e tyre për ligjin për “Trepçën”.
Stojanoviq takoi edhe Edward Kukanin, përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin, ndërsa paralajmëroi takime edhe me zyrtarë të tjerë.
“Ky është fillimi iniciativës sonë në shumë vende në Bruksel, në institucionet e BE-së, që të sqarojmë se çfarë ka ndodhur me vendimin që të miratohet Ligji për ‘Trepçën’. Sot jam takuar me Edward Kukanin e pas këtij takimi mund të paralajmëroj se do të ketë edhe shumë takime të tjera nesër, por edhe ditëve e javëve të tjera”, ka thënë Stojanoviq.
Pas kësaj vizite të Stojanoviqit qëndrojnë mjaft të panjohura. ku pyetjet më kryesore janë: me para të cilit buxhet po e lufton ai shtetin e Kosovës? e nëse shkoi me leje të qeverisë së Kosovës në Bruksel, një gjë të tillë e bëri me urdhër të Beogradit?
Në asnjërën prej pyetjeve të lartcekura qeveria e Kosovës nuk ka përgjigje, pra zyrtarë të saj kur janë pyetur nga portali tesheshi.com nuk kanë mundur të tregojnë se në çfarë cilësie shkoi Stojanoviq në Bruksel dhe nëse vizitën e realizoi me para të taksa paguesve kosovarë?!
“Nuk kam informata”, ka thënë shkurt Bajram Gecaj këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, kur është pyetur për çështjen në fjalë nga tesheshi.com.
“Isa Mustafa ta ndëshkoi Stojanoviqin, në të kundërtën është fajtor për mosveprim”
Ndërsa qeveria e Kosovës thotë se nuk posedon informata për vizitën e Stojanoviqit në Bruksel, i cili haptaz po lobon kundër interesave të shtetit të Kosovës, opozita kosovare kërkon që kryeministri Isa Mustafa të jap një sqarim për vizitën e zëvendësit të tij dhe njëkohësisht të kërkoi përgjegësi.
Deputetja e Vetëvendosje-s, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se kryeminisri Isa Mustafa duhet ta ndëshkoi zëvendësin e tij Branimir Stojanoviq, në të kundërtën do të jetë përgjegjës për mos veprim.
Deputetja e VV-së, njëherit një prej zërave femër më të fuqishëm opozitarë thotë se neni 94 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës obligon kryeministrin që të siguroi që të gjitha ministritë veprojnë në pajtim me politikat qeveritare, dhe sipas saj veprimi i zëvendësit të Mustafës, partnerit të koalicionit nga Lista Serbe është moszbatim i ligjit dhe përbën shkelje të Kushtetutës.
“Kryeministri Mustafa është i obliguar të veproi ose do të jetë përgjegjës për mosveprim ndaj njërit nga anëtarët të kabinetit i cili siç ka bërë edhe më herët si ministër i Republikës së Kosovës dhe me taksat e qytetarëve të Kosovës po punon kundër interesave të vendit. Isa ose duhet ta ndëshkoi duke i kërkuar llogari, në të kundërtën mosveprimi nënkupton pajtim, rrjedhimisht zbatim të politikës së Beogradit përmes Isës dhe ministrave të tij”, thotë deputetja Kadaj-Bujupi, për tesheshi.com.
“Të ndalen vizitat e ministrave serbë që bëhen në dëm të Kosovës”
Edhe partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përmes kryetarit të grupit parlamentar, Pal Lekaj, ka reaguar për vizitën anti-Kosovë të Stojanoviqit në Bruksel, me ç’rast i ka dërguar një letër publike kryeministrit, Isa Mustafa, në të cilën ai e pyet shefin e qeverisë se deri kur do të lejojë që vartësit e tij nga Lista Serbe të dirigjohen nga Beogradi.
Lekaj në letrën e dërguar Mustafës, e ka pyetur këtë të fundit se a është në dijeni për bisedat që i ka bërë zv. kryeministri, Branimir Stojanoviq në Bruksel, dhe se a duhet të jap përgjegjësi dikush në qeveri për këto udhëtime që po bëhen në dëm të Kosovës?
“Kryeministër, nuk është rasti i parë kur vartësit tuaj dalin kundër jush, nuk do të ndërhynim e reagonim sikur kjo të mbetej vetëm në mes juve dhe kolegëve tuaj. Por kjo çka në vazhdimësi po ndërmarrin disa nga ta, po shkojnë kryekëput në dëm të Kosovës, po ngadalësojnë dinamiken e zhvillimeve të vendit tonë në raport me BE-në, sepse shumë keq po prezantohet në Bruksel sikur Kosova ende edhe sot e kësaj dite nuk i respekton komunitetet, e që në fakte të gjitha koncesionet janë bërë që minoritetet të ndihen në Kosovë të barabartë me shumicën shqiptare, duke dalë si të barabartë mbi të barabartët”, thuhet në letrën e hapur të Lekajt.
Shefi i deputetëve të AAK-së më tej kërkon që Mustafa të ndal vizitat e tilla të ministrave serb që bëhen në dëm të shtetit dhe të kërkohet përgjegjësi prej tyre.
“Duke qenë të vetëdijshëm se këto udhëtime, kërcënojnë seriozisht të arriturat e Kosovës, e nga ecja mbrapa e Kosovës po vuajnë më së shumti qytetarët e vendit, ju kërkojmë që t’i ndalni dhe të kërkoni përgjegjësi prej tyre ose, ju bashkë me ta shkoni në shtepi, sepse nuk do të vazhdojmë të tolerojmë që gjithsecili nga ju të tallet me shtetin e Kosovës. Sepse tanimë po shihet hapur se nuk jeni në gjëndje të bëni asgjë për të parandaluar ministrat tuaj, e Serbinë për të krijuar turbullira brenda Kosovës e për të na përshkruar si një vend të keq jashtë saj. Pra jeni, qeveri që po e rrenoni Kosovën, e asgjë tjetër”, thuhet në letrën e Lekajt.
Ndryshe, idenë që “Trepça” të bëhet temë debatuese në Bruksel e kërkoi Beogradi edhe në takimin e së mërkurës, por delegacioni kosovar i udhëhequr nga Edita Tahiri e refuzoi një gjë të tillë. /tesheshi.com/