Një nga fushatueset më të zëshme të Amerikës për mirëkuptim ndërfetar, Daisy Khan, amerikane e lindur në Nju Jork, me origjinë nga Kashmiri, reagoi me zemërim ndaj lajmit se Donald Trump kishte ripostuar videon e një grupi të së djathtës ekstreme ku shkatërrohej statuja e Virgjereshës Mari.
Daisy Khan thotë se pohimet se muslimanët janë në përgjithësi armiqësorë ndaj Marisë, apo Merjemes siç njihet ajo në Islam, janë shumë të gabuara. Khan këmbëngul se “Virgjerësha Mari është një personazh që muslimanët e mbajnë të shenjtë në të gjithë botën, dhe simbol për të cilin të gjithë kanë nderim”. Ajo thotë se nëna e Jezusit përshkruhet gjerësisht në Kur’an, më shumë madje sesa shfaqet në Testamentin e Ri.
Në një postim, Khan thotë se veprimet e presidentit janë “tepër të parespektueshme” e përpjekje për të politizuar një personazh që nderohet nga 2. 2 miliardë të krishterë dhe 1.8 miliardë muslimanë.
Në të vërtetë, Islami e ka të përbashkët me pjesën më të madhe të të krishterëve besimin se Merjemja ishte një nënë e virgjër, lindja e një fëmije prej së cilës ishte një bekim surprizë ndaj saj pasi ajo nuk kishte lindur dot dhe pse e dëshironte këtë prej shumë kohësh. Në të dyja besimet, gatishmëria e saj ndaj vullnetit të Zotit shihet si një model për gratë dhe për burrat. Një hadith i mirënjohur profetik thotë se të gjitha qëniet njerëzore janë në një farë mënyre të prekur apo të “shënjuar” nga djalli që në lindje, me përjashtim të Jezusit dhe Marisë. Një tekst i hershëm i krishterë, quajtur Ungjilli i Xhejmsit, përshkruan vitet e hershme të fëmijërisë së Marisë në pjesën më të shenjtë të tempullit, një narrativë që shfaqet po ashtu në Kur;an. Kështu duket se Khan duket se ka të drejtë kur pohon se Maria mund të jetë pikë e përbashkët midis të krishterëve dhe muslimanëve.
Por, fakti i trishtueshëm është që, pavarësisht origjinës së ripostimeve të Trump, disa statuja të virgjëreshës Mari së bashku me simbole të tjera të krishtera, u shkatërruan nga militantët e ISIS në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut, kur ata morën kontrollin e tyre. Komunitetet e krishtera kur u rikthyen në kishat e tyre pas zmbrapjes së militantëve gjetën skena të frikshme të shkatërrimit. Madje, edhe pse rrënimi i statujave nuk ishte gjëja më e tmerrshme që bënë militantët, kjo pati një ndikim shkatërrues psikologjik për komunitetet e shënjestruara që, me gjasa, ka qenë edhe pjesë e qëllimit.
Megjithatë, aq sa çdokush mund të hamendësojë për motivet pas sulmeve të tilla nihilizmi të ç’shenjtërimit, ato duket se nuk targetojnë personin e Marisë sesa dalin kundër idesë së riprodhimit artistik të një personi të shenjtë, apo edhe në përgjithësi të riprodhimit artistik të një qënieje njerëzore.
Krishtërimi ka pasur edhe ai episodet e veta të ikonoklazmës së dhunshme, edhe pse një pjesë e madhe e tyre në të kaluarën shumë të largët. Për shembull, gjatë pasionit të hershëm të reformimit protestant në shekullin e 16-të, turmat u dyndën në kishat katolike duke shkatërruar imazhe të cilat i konsideronin si idolatri. Të krishterët holandezë e kujtojnë 1566-ën si vitin e Beeldenstorm, kur protestantët e zemëruar rrëzuan statujat dhe thyen dritaret e pikturuara në të gjitha vendet e Ulëta. Këtë vit, ndërsa përkujtohet 500-vjetori i Reformacionit, luteranët gjermanë kërkuan ndjesë ndaj bashkëpatriotëve të tyre katolikë për periudhën e thyerjes së statujave.
Në pak vende, ky shpirt i zellit ikonoklastik mes të krishterëve vazhdon ende. Herë pas here, ndonjë predikues evangjelist amerikan do të denoncojë imazherinë katolike si pagane. Dhe në festimet e Portokallisë së Irlandës së Veriut, që përkujton një fitore të protestantëve të vitit 1690, ndonjëherë statuja të Marisë hidhen në zjarre gjigandë, edhe pse organizatorët thonë se u vjen keq për këtë.
Duket se është në natyrën e objekteve të shenjtëruara që një talisman tepër i çmuar për një komunitet të zgjojë reagimin e indiferencës apo madje të neverisë më të thellë në komunitetin tjetër. Ajo që e bën bashkëjetesën e përditshme të mundshme, është aftësia për të treguar minimumin e respektit për atë që të tjerët e nderojnë si të shenjtë. Edhe Khan e di këtë po ashtu; si nxënëse e një shkolle të krishterë, ajo e përshkruan të rriturit në sub-kulturën e Kashmirit ku lulëzojnë shumë besime, si pothuajse një përvojë të lumtur.
Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/