Nga Adele Sarno, Huffington Post
Këtë vit vapa mbërriti me disa javë vonesë. Rrjedhimisht, i ftohti zgjati pak më shumë. Në përgjithësi kjo mund të cilësohet si pozitive, jo dhe aq për temperaturat, por sepse e shtymë deri në fillim të korrikut dukurinë e zakonshme të verës me fotot e termometrave të farmacive buzë rrugëve, të cilat regjistrojnë temperaturat e frikshme. Por edhe me titujt pompozë të mediave, që na tregojnë vapën përvëluese që duhet të përjetojmë, temperaturat mbi 40 gradë, dhe për verën më të nxehtë që kemi parë ndonjëherë. Mjafton të shfletoni gazetat apo të ndizni televizorin, për të kuptuar hapësirën e madhe që i kushtohet kësaj çështje, ndonjëherë me tone alarmante.
Në gazeta gjenden një sërë rekomandimesh dhe studimesh mbi efektet e temperaturave të larta në shëndet: nga pasojat në tru, ato në aparatin gastrointestinal, deri tek ato mbi emocionet e kështu me radhë…
“Sot jetojmë në një botë në të cilën çdo gjë bërtitet me të madhe. Por njerëzit nuk mund të ekspozohen ndaj mesazheve që janë vërtet terrorizuese”, thotë për Huffpost Paolo Sottocorona, një meteorolog i televizionit La7, i cili ka nisur prej vitesh një fushatë kundër njoftimeve me tone tejet katastrofike mbi motin.
“Shumë italianë janë të moshuar dhe një pjesë e mirë e tyre nuk kanë në shtëpi kondicionerë. Dhe të informohesh që nesër temperatura do të jetë 47 gradë Celcius, gjeneron shumë ankth. Është njëlloj sikur të dalësh në rrugë duke bërtitur se po vjen një tërmet”, deklaron ai.
Për fat të keq, kjo dukuri nuk është aspak e re. Ishte viti 2000 kur Sottocorona punonte në Telemontecarlo, dhe që atëherë po flitej për rritje të temperaturave dhe ndryshime klimatike. “Ka pasur që atëherë një teprim me termin ‘i nxehti afrikan’, pra me historinë e temperaturës së perceptuar prej 65 gradë Celcius. Kujtoj se në atë koha lexova një e-mail që më kishin dërguar dy persona, të cilët më pyesnin shumë të shqetësuar, nëse ajo që kishin dëgjuar ishte e vërtetë, dhe nëse ishte e nevojshme të shisnin makinën e tyre për të blerë një kondicioner. Është çmenduri që sot ashtu si atëherë, kjo mënyrë raportimi nuk shkakton gjë tjetër veçse alarm. Në vend se të keqpërdoret për disa klikime më shumë, informacioni duhet të jepet saktë, pasi duhet marrë në konsideratë një aspekt social i rëndësishëm”, nënvizon eksperti.
Raportimi real na tregon se sa ndikim ka ndryshimi i klimës mbi jetët tona. Por narrativa që del prej tij, nxjerr nga konteksti efektet e ndryshimeve klimatike dhe i përdor ato ekskluzivisht për qëllime marketingu, arsyeton meteorologu.
“Por nëse gara për klikime të lehta i çon gjërat në këtë ekstrem, atëherë nuk bën gjë tjetër veçse i largon njerëzit nga problemi i vërtetë. Titulli i saktë nuk duhet të jetë: ‘Është shumë nxehtë’ apo ‘Është shumë ftohtë’. Por ‘Klima është bërë e çrregullt’. Pra kemi nevojë për më shumë saktësi dhe më pak sensacionalizëm. Ndryshimi i klimës po ndodh vërtet, por parametri që duhet parë nuk është domosdoshmërisht vera më e nxehtë apo më e ftohtë. Vitin e ardhshëm mund të ketë një verë të freskët dhe me shi, duke pasur parasysh faktin se po ndodh ngrohja globale. Por kjo nuk do të thotë se do të sjellë kudo rritje të temperaturave”, thotë Sottocorona.
Ndaj, në vend se të përdorim terma hiperbolizues si “Nxehtë si në Ferr” ose “Acar siberian”, duhet të përqendrohemi tek realiteti i ndryshimit të klimës dhe tek manifestimet e tij të çrregullta. Për shkak se mund të ndodhin episode të nxehtësisë ekstreme ose të ftohtit të madh, është e rëndësishme të mos i ngatërrojmë ato me ngjarje të izoluara.
Ato janë pjesë e një tabloje më të gjerë të ndryshimeve klimatike, të cilat shkaktojnë parregullsi gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive të motit. “Por përdorimi i termave të pasaktë si ‘anticiklon afrikan’ apo ‘ciklon siberian’, rrezikon përhapjen e informacioneve të gabuara dhe largimin e vëmendjes nga natyra e vërtetë e problemit. Sepse anticikloni afrikan nuk ekziston. Në Afrikë nuk ka presion të lartë atmosferik”, deklaron ai.
Për të kuptuar shkallën e fenomenit, mjafton të bëni një kërkim të shpejtë në Google News, mbi grumbulluesin e lajmeve në internet BigG. Fjala kyçe “i nxehtë përvëlues”, gjeneroi mbi 12.000 rezultate vetëm në korrik, dhe nëse e ngushtoni kërkimin tek gazetat italiane të regjistruara rregullisht, kjo shifër i bie të jetë rreth 5,000.
Temperaturat e larta u shfaqën tek rreth 2.500 artikuj (në 1.500 në gazeta) që përmendin “temperaturat mbi 40 gradë” në Itali. Fjalia “vera më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë” u shfaq në rreth 3.800 artikuj (në 2.200 gazeta). Për këtë fushatë, Sottocorona është sulmuar edhe si mohues i ndryshimeve klimatike.
“Unë nuk kam qenë kurrë mohues i këtij fenomeni. E vëzhgoj çdo ditë motin prej 50 vjetësh. Ndryshimi është aty dhe mund të vërehet nga të gjithë. Është e pamohueshme që situata është urgjente. Është mirë që flasim për të, por jo t’i terrorizojmë njerëzit për përfitimet tona personale. Jam po dhënies së alarmit, por jo të alarmit të kotë, të pamatur dhe me buçimë. Nuk i duroj dot ekzagjerimet. Kushdo që shpik emra si ‘Karonti’ dhe parashikon se do të arrijmë të përjetojmë temperaturën 47 gradë duke e ditur që kjo nuk është e vërtetë, vetëm për të marrë më shumë klikime në faqen e tij, duhet të denoncohet në polici për shkaktim paniku tek publiku.
Unë them që duhet të flasim më shumë mbi mënyrën se si teknologjia mund të na ndihmojë të luftojmë ndryshimet klimatike dhe jo për dritat e kuqe në qytete të caktuara, si pasojë e të nxehtit. Përndryshe do të përfundojmë duke parë gishtin dhe jo Hënën”, këshillon ai.
Ai jep një shembull banal, që mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë arsyen pse duhet të flasim për thelbin e problemit, por pa e zmadhuar atë. “Le të imagjinojmë temperaturën në kuzhinë: -18°C në frigorifer, 300 gradë Celcius nën tiganin ku po gatuajmë, 100 gradë brenda ujit të vluar. Cila është temperatura reale? Sigurisht, kjo varet nga pika e matjes. Në rast se nuk respektohen kriteret rigoroze, të dhënat bëhen të padobishme dhe mashtruese”, shprehet Sottocorona.
Kur flasim për temperatura rekord, është thelbësore të specifikojmë vendndodhjen e kësaj matjeje. Për shembull, termometrat në farmaci apo makina nuk janë gjithmonë të besueshëm. Sepse ato matin shpesh temperaturën e asfaltit apo të sipërfaqeve të ekspozuara direkt ndaj diellit, duke mos na dhënë një panoramë të saktë të situatës.
Për të pasur krahasime të sakta, matjet duhet të bëhen në zona të mbuluara me bar, dy
metra mbi nivelin e detit dhe larg ndërtesave prej betoni, duke ndjekur standarde rigoroze shkencore. “Moti është një shkencë dhe duhet trajtuar si i tillë. Prandaj kemi nevojë edhe për një urdhër për meteorologët, ashtu siç e kanë mjekët. Por për këtë po flitet prej vitit 1972, por tani i kam humbur shpresat se do të ngrihet një strukturë e tillë”, përfundon meteorologu italian.