Lulzim Basha mbetet zyrtarisht kryetar i PD-së, asaj zytare, e cila posedon dhe vulën. Kjo pasi Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e gjashtë deputetëve për ta çregjistruar Bashën si kryetar i PD-së.
“Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike nuk legjitimohet t’i drejtohet gjykatës me kërkesë sipas objektit sepse: Së pari, nuk gëzon legjitimitet procedural. Së dyti, edhe sikur të ishte në cilësinë e përfaqësuesit, dispozitat statutore të Partisë Demokratike nuk i kanë dhënë të drejtë përfaqësimi. Së treti, e theksoj, edhe në raport me gjykatën”, thuhet në vendim.
Vendimi u mirëprit nga Partia Demokratike, ku përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa, e cilëson unison me vendimin e Gjykatës së Lartë për çështjen e vulës, e cila e riktheu pak javë më parë çështjen në Apelin e Tiranës.
“Vendimi i marrë sot nga Shkalla e Parë është në frymën e vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë. Pra, ky vendim ka përcaktuar që asnjë organ tjetër, përveç kryetarit të partisë, nuk është legjitim për t’iu drejtuar gjykatës me kërkesa për ndryshime statutore“, tha Sefa. /tesheshi.com/