Nga Miradie Hasani
Në qendrën e Shkupit, pranë shtëpisë muze të Nënë Terezë saksioni për ushqim u bë traditë. Çdo të shtune në mesditë, të pastrehët mblidhen për ta marrë ushqimin që u jepet i paketuar. Disa nga ata hanë në po atë vend ku u shpërndahet ushqimi, ndërsa të tjerët atë e marrin me vete. Personat e pastrehë që marrin këtë ndihmë janë të komunitetit rom që jetojnë nën kalanë e Shkupit.
“Këtu jemi çdo të shtunë së bashku me fëmijët. Ju faleminderit atyre që japin për fëmijët. Përveç këtyre, ne nuk kemi kurrfarë ndihme sociale. Jetojmë nën kala dhe atje ka të tjerë që janë në gjendje të ngjashme”, tha Albert Osmani, një nga ata.
“Këtu vijmë çdo të shtunë. Ne jetojmë duke lypur. Ndonjë ditë lyp bashkë me fëmijët dhe marr ndonjë denar për t’i ushqyer ato, ndërsa bashkëshorti im ‘punon’ nëpër kontejnerë”, tha Naile Xhemailie, po ashtu një e pastrehë”.
Iniciativa qytetare “Twett-o ushqim” thotë se vullnetarisht mbledhin ushqim nga firma donatore. Atë e përgatisin të premten me qëllim të jetë i freskët për të shtunën. Sipas organizatorëve, ky aksion përveç shpërndarjes së ndihmës humanitare, ndihmon edhe në risocializimin dhe ri-integrimin e të pastrehëve.
“Iniciativa “Twett-o ushqim” filloi në Twitter, por me zgjerimin e saj, u bart në Facebook. Në faqen tonë në facebook jemi aktiv dhe aty njoftojmë për të gjitha aksionet që i organizojmë”, thtë Svetllana Andonova, një ndër iniciueset e këtij aksioni humanitar.
“Me njerëzit që para dy viteve nuk jemi njohur, tani jemi të afërt dhe bashkërisht vendosim çfarë të blejmë dhe të sjellim për t’u solidarizuar me ata që kanë nevojë”, thotë Ana Gollieshka.
Toni Stankovski nga shoqata “Mirësia”, thotë se në këtë vend, për 4 vjet, çdo të shtune ndajnë ushqim dhe rroba. Në këtë mënyrë, rregullisht u ndihmojnë pothuajse 250 njerëzve nevojtarë.
“Nëse shikojmë, para 4 viteve ia filluam me 70 porcione, ndërsa tani shpërndajmë 250 sosh. Përveç të pastrehëve, këtu vijnë edhe ata që bëjnë pjesë në grupin e kategorive të rrezikuara sociale”, tha Toni Stankovski. /tesheshi.com/