Edi Rama është ndoshta ndër politikanët më të sulmuar shqiptarë, kjo në një kuadër historik, e po në historinë e politikës shqiptare, në një rrafsh panshqiptar, ai mbetet më i pazakonti. Unikalitetin e tij e ka, ndër të tjera, dhe te fakti se mbetet, referuar treguesve elektoralë, politikani më i votuar.
Megjithatë, siç ndodh rëndom, aq më tepër në botën shqiptare, ai e ndan këtë të fundit në dy pjesë sa i takon qasjes; diku emocionale e diku logjike, diku racionale e diku irracionale, si nga ata që e simpatizojnë e si nga ata që e urrejnë.
E krejt ftohtësisht, duhet pranuar se ai sot për sot mbetet ende pa konkurrentë; pa një figurë, nga politika apo shoqëria civile, e cila të ofrojë shenja, të dhëna, cilësi e tipare, që mund të krijojnë identikitin e njeriut që mund të sfidojë politikisht.
Lulzim Basha që është përballë tij në një pozicion klasik si kreu i opozitës, nëse nuk do e gëzonte këtë pozitë, e cila ngjan e trukuar brenda radhëve të demokratëve, as që do ekzistonte si emër për një sfidë të tillë. Basha nuk është nga ata të lindur për të bërë histori, ashtu siç dhe nuk është histori.
Nga ana tjetë, Rama ka fituar dhe betejat mediatike jopolitike, ku përballë kritikëve të ashpër të tij në studio debati, i ka sfiduar lehtësisht me dhuntinë e lindur të një hazërxhevapi çarmatosës.
Shpjeguar në një tjetër mënyrë, përballë tij sot mund të ketë dhe Nol e Konicë, por jo Ahmet Zog.
Çfarë përfaqësojnë këto tre figura në jetën shqiptare?
Dy të parët, kolosë mendimi e kulture ligjërimore, por të dështuar katastrofikë në politikë. Përballë tyre, Ahmet Zogu, një hiç kulturor – vini re: nga matiani i famshëm i ndërtimshtetit nuk trashëgohet asnjë postulat me famë, asnjë xhevair fjale e ligjërimi – por ai ishte padyshim një talent politik që la gjurmë në shtetformim.
Rama i ngërthen që të tre: nga dy të parët ka marrë ligjërimin shkulmues dhe një forcë imponuese mendimi, përshkruar dhe nga talenti i përdorimit fin të ironisë e sarkazmës, e nga i treti ka marrë talentin politik. S’është e thënë ta ketë bërë me vetëdije. Shumë aftësi te njeriu janë të lindura, e që formësohen më pas nga përvojat jetësore.
Veç politikës, kundërshtarët e tij më të ashpër sot janë nga shoqëria civile apo media, prej nga e cila ai ka ardhur, e që mbetet ndër të vetmit që ka bërë një kapërcim prej tyre në politikë, pa dështuar te kjo e fundit, siç ka ndodhur rëndom.
E ndërkohë, po nga shoqëria civile apo media, nuk ka asnjë figurë që merr guximin ta konkurrojë. E urrejnë dhe e sulmojnë, si askënd tjetër me më shumë rekorde negative në politikë e qeverisje, edhe me akuza për vrasje në CV, por nuk marrin mundimin ta sfidojnë politikisht. Tentojnë të bëjnë Nolin apo Konicën përballë tij, pa e kuptuar, ose pa e pranuar atë që mund ta kuptojnë, se ai është edhe Nol edhe Konicë edhe Ahmet Zog.
Ndërkohë, rivalët politikë, ata klasikë, nëse mund të jenë Ahmet Zog deri diku, nuk kanë asnjë cilësi prej Noli e Konice.
Sigurisht që dhe ai do ketë një ditë rënien e tij, si ligj shoqëror i kësaj bote. Por për momentin, nëse vijon ky trend, kjo status quo e mërzitshme e një lufte kundër tij pa asnjë që i del në duel ballë për ballë, ai ka në xhep lehtësisht dhe një mandat tjetër, për të mos thënë dhe dy të tjerë, ndonëse jo me të në krye të qeverisë, për aq sa mazhoranca do punojë me motorin e tij.
P.S. Nëse Rama përbën një dështim në qeverisje, ka dhe një dështim tjetër më të rëndë, që është ai i kundërshtarëve të tij politikë, si dhe i kritikëve mediatikë, për ta sfiduar. Rëndimi i gjuhës së tyre në sulme e akuza, deri në vulgaritet, është ndryshe shprehje e një frustracioni përballë pamundësisë së një rivalizimi, politikisht po e po, por intelektualisht e pse jo, halabakërisht. /tesheshi.com/