Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të dielën mbrëma se kushdo që emërohet si i dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet ta trajtojë Kosovën si një shtet sovran.
Pas takimit midis liderëve të BE dhe udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ai tha se roli i Unionit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe dialogut me Serbinë ishte i rëndësishëm, por që roli i Shteteve të Bashkuara ishte i pazëvendësueshëm.
Thaçi tha se takimi BE-Ballkan Perëndimor diskutoi gjithashtu vazhdimin e dialogut Serbi-Kosovë, me perspektivën e arritjes së një marrëveshje përfundimtare.
Ai konfirmoi që tema e emërimit të një të dërguari të veçantë ishte ngritur, dhe shpresonte që emërimi i një të dërguari të ri nuk do të ishte një mundësi për të “gjetur një punë të re për një zyrtar, burokrat apo diplomat”.
I pyetur nga reporterët se si ai shikon mundësinë e dialogut që përfshin një të dërguar të BE-së nga një vend që nuk e njeh Kosovën, Thaçi tha se pavarësia e Kosovës është një realitet.
“Për këdo që vjen, Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran. Kushdo që emërohet duhet ta trajtojë Kosovën si një shtet sovran, përndryshe nuk do të kishte kuptim që të përfshihej ai person”, tha presidenti i Kosovës.
Thaçi gjithashtu dëshiroi të tregojë se si pala amerikane ka arritur në javët e kaluara atë që nuk mund të imagjinohej në 20 vitet e fundit.
“Sigurisht që roli i BE është i rëndësishëm, por roli i SHBA është i pazëvendësueshëm,” përfundoi presidenti i Kosovës.
Ministri i Jashtëm i BE Josep Borrell tha të dielën në mbrëmje se ai do të përgatisë propozimin e tij për të emëruar një Përfaqësues Special për Dialogun Kosovë-Serbi me takimin e marsit të Këshillit të BE. /tesheshi.com/