Presidenti Hashim Thaçi, do të udhëtojë drejt Vatikanit, ku të enjten do të pritet në një audiencë nga Papa Françesku.
Në këtë takim, Thaçi do të falënderojë Atin e Shenjtë për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës në periudha të ndryshme dhe rolin e tij në promovimin e paqes në botë.
Thaçi do të informojë Atin e Shenjtë për proceset politike në vend, pas krijimit të institucioneve të reja, për reformat e gjithmbarshme në sektorin e ekonomisë, arsimit dhe avancimin e drejtave të njeriut dhe komuniteteve.
Në takim do të bisedohet edhe krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim dhe proçesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që synon përmbylljen e konfliktit shekullor dhe pajtimin ndërmjet dy shteteve dhe popujve.
Pas qëndrimit në Vatikan, Thaçi do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do të pritet në takim nga zv.presidenti Michael Pence.
Në këtë takim do të diskutohet për tema të ndryshme me interes të të dy shteteve tona.
Thaçi do të kërkojë po ashtu përfshirjen e SHBA-së në fazën e fundit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një garantues i paqes dhe stabilitetit në rajon. /tesheshi.com/