Presidenti Meta iu është rikthyer delarimeve plot pikëpyetje në rrafshin politik, edhe pse me në fokus tërmetin.
Pas një vizite në kryeqytetin kosovar, Meta tha se ka falenderuar dyshen qeverisëse në pritje, Kurti-Mustafa, për kontributin e tyre në pas-tërmetin e Shqipërisë.
“Dje në Prishtinë falenderova edhe Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosja z.Albin Kurti dhe Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës z.Isa Mustafa për solidaritetin që kanë treguar dhe ndihmën konkrete që kanë dhënë në mbështetjen e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit”, deklaron Meta.
Por ndërsa solidariteti është akt qytetar, ndihma në këtë rast kërkon dhe vendimmarrje shtetërore, gjë as njëri e as tjetri nuk e gëzojnë ende, pasi qeverisja e tyre akoma nuk është mandatuar.
Ndërkohë, Albin Kurti zbriti në terrenin e tragjedisë, ashtu siç Haradinaj e Thaçi, ndërsa Isa Mustafa jo.
Më meritori për t’u falenderuar për kontributin kosovar në rastin e angazhimit të strukturave shtetërore, ka qenë padyshim kryeministri në ikje Ramush Haradinaj, e deri diku edhe presidenti Thaçi. FSK-ja, krenaria kosovare në operacionet e shpëtimit që Meta e dekoroi një ditë më parë, është nën varësinë e kësaj dysheje për momentin.
“Si fitues të zgjedhjeve parlamentare iu urova suksese në partneritetin e tyre për krijimin e institucioneve të reja qeverisëse. Kosova i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull i mirëqeverisjes në rajonin tonë”, shkruan më tej Meta.
Kjo lëvizje e kreut të shtetit me dy kokat e qeverisjes së pritshme të Prishtinës, ku Kurti pritet të jetë dhe kryeministër, është në vazhdën e pasjes së një përkrahjeje nga Prishtina për luftën politike në Tiranë, që pritet të riaktivizohet pas normalizimit të situatës nga pasojat e tërmetit. /tesheshi.com/