Në Expo Milano ka nisur operacioni për ‘picën më të gjatë në botë’. Rreth 80 picajolë të mbledhur nga të gjitha rajonet e Italisë, kanë tentuar natën mes së të premtes duke zbardhur e shtuna, të prodhojnë një picë që do të jetë një kilometër e gjysmë e gjatë dhe që do të peshojë rreth 1.5 tonë.
Për të verifikuar nëse ata do t’ia arrijnë qëllimit apo jo, kanë ardhur nga Londra disa gjyqtarë të rekordeve Guinness, të cilët në orën 13:00 të së shtunës (pra sot), duhet të verifikojnë rekordin e ri.
Rekordi i mëparshëm që është edhe ai aktual, është mbajtur në Spanjë, në vitin 2013, ku është realizuar një picë 1292 metra e gjatë. Kombëtarja Italiane e Picaiolevë, e cila është me qendër në Forli, ka si qëllim të kalojë këtë rekord. Ata kanë më shumë se një muaj që trajnohen për t’ia arritur qëllimit, pasi të bësh një picë 1500 metra të gjatë, nuk është një punë dhe aq e kollajtë. /tesheshi.com/