Një akuzë e rëndë është lëshuar ndaj ndërkombëtarëve në Prishtinë, si shkaktarët e vërtetë të moszbardhjes së fatit të të zhukurve gjatë luftës, një nga brengat e pasluftës në Kosovë, ende aktive dhe pas 20 viteesh.
Eshtë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), që në një komunikatë për media, rendit si të parën arsye faktorin ndërkombëtar
“Problemet e identifikuara që nga viti 1990 – 2019 për moszbardhjen e fatit për personat e zhdukur:
Mungesa e vullnetit të faktorit ndërkombëtar për zbardhje të fatit të personave të zhdukur. Faktori ndërkombëtar ka qenë vendim-marrës në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e deri më tani dhe ka pasur mundësi por edhe detyrim të kërkojë informata nga palët ndërluftuese që të japin informata për fatin e personave të zhdukur por që nuk e kanë bërë këtë apo nuk e kanë bërë në masë të duhur për shkak të projekteve dhe proceseve politike. Fatin e personave të zhdukur e kanë sakrifikuar apo e kanë vënë në interes të bisedimeve me Serbinë duke mos treguar gatishmëri të bëhet presion te dy palët ndërluftuese që objektivisht kanë përgjegjësi për zhdukjen e civilëve të paarmatosur apo të ushtarëve dhe policëve të zënë rob e që mbrohen nga e Drejta Humanitare dhe Ligjet e Luftës”, thuhet në deklaratë.
Duke vijuar në këtë linjë, KMDLNJ thotë se “ndërkombëtarët, përkatësisht Hoze Pablo Barajabar ka bërë eksperimente me mbetjet mortore sikur që ka marrë me vete pa lejen e autoriteteve kosovare një sasi mostrash, duke e dëmtuar rëndë procesin e identifikimit të personave të zhdukur”.
Më tej, theksohet “mungesa e gatishmërisë të shteteve fqinje të bashkëpunojnë me Kosovën për këtë çështje”.
“Shtetet që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë po e pamundësojnë dhe po e pengojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur aq më parë që për këtë nuk po sanksionohen me asgjë. Mungesa e presionit të opinionit në këto shtete i inkurajon politikanët që kanë përgjegjësi 100% për zhdukje të personave të mos jenë bashkëpunues apo të mos ofrojnë të dhëna për fatin e këtyre personave”, thuhet nga KMDLNJ, ku shfaqet bindja se “politika aktuale në shtetet e ish-Jugosllavisë ka informata ta sakta, edhe për fatin e personave të zhdukur sikur edhe për lokacionet ku janë varrosur ata që janë ekzekutuar, pa një proces të rregullt gjyqësor”. /tesheshi.com/