Nga Bashkim Kastrati
Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik në Trieste të Italisë, u komentua në mënyra të ndryshme, që nga rezultatet e mundshme dhe përfitimet ekomomike të vendeve të rajonit, e deri të patikat “atletët” e kryeministrit Edi Rama.
Samiti i mbajtur në Trieste është pjesë e procesit të Berlinit, proces ky shumëdimensional. Përmes këtij procesi, Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.
Kjo iniciativë u vlerësua në mënyra të ndryshme nga njohësit e fushës ekonomike, një pjesë e konsiderojnë si pozitive këtë takim që mund t’i hapë rrugë tregtare Kosovës. Ata këtë samit e shohin si proces që ka rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike, rëndësi integruese dhe të përmirësimit të imazhit, por edhe për çështje të gjenerimit të stabilitetit social përmes zhvillimit ekonomik.
Por një pjesë tjetër janë skeptik për tri arsye, e para ka të bëjë me potencialin tregtar të Kosovës për të eksportuar, pra vetëm sa mund të rritet importi, e dyta ka të bëjë me drojën se Kosova nuk do t’i bëjë detyrat e shtëpisë siç duhet për të përfituar projekte të ndryshme nga fondi i paraparë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e treta është se këto marrëveshje konsiderohen të vështira që të realizohen për shkak se kemi dy vende rajonale si Serbia dhe Bosnja Hercegovina që nuk e njohin Kosovën.
Gjithashtu, zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit perëndimor, për shkak të pamundësimit të deritashëm të qarkullimit të lirë dhe pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.
Marrëveshjet ekonomike rajonale vështirë të realizohen pasi që dy shtete nuk e njohin Kosovën
Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se çdo takim i llojit të tillë në parim është i mirëseardhur për Kosovën, duke kujtuar që ka pasur shumë takime që nga viti 2001, por për Kosovën nuk kanë dhënë efekt pozitiv dhe se ndoshta në shumë raste Kosova është trajtuar si pjesëmarrës i nivelit të dytë ose si vëzhgues në shumë raste, duke mos u njohur simbolet e shtetit të Kosovës e mos të flasim nga aspekti ekonomik vazhdon të mos përfillet
Ai thotë se në të gjitha takimet paraprake gjithnjë është bërë thirrje që vendetë e rajonit të njohin njëra- tjetrën, por që me shumë kanë qenë fontanë dëshirash, sepse edhe vet nikoqirët dhe organizatorët nuk kanë qenë serioz në baze të rezultateve, sepse nuk janë përmbushur asnjëherë, duke u bazuar që Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina vazhdojnë të mos e njohin Kosovën si shtet.
“Po ashtu edhe produktet ‘Made in Kosova’ për fatin jo të mirë edhe shtetet tjera të rajonit që e kanë njohur nuk e trajtojnë drejt Kosovën duke u bazuar në atë që Kosova shihet si një vend i tranzitit ekonomik dhe një vend ku mund vetëm të shesin produktet e tyre ku në të kundërtën Kosova ka problem që të eksportojë produktet e veta rasti me i freskët është Shqipëria, duke vendosur referenca doganore për produktet bujqësore me prejardhje nga Kosova”, thotë Kadriaj.
Ai thotë se Kosova duhet t’i vendosë vetës dy detyra e para përmirësimi i kushteve të brendshme të bërit biznes se në aspektin ligjor, të sigurisë, norma tatimore të favorshme dhe infrastruktura rrugore dhe përmirësimi i furnizimit me energji elektrike. Detyra e dytë lobimi politik dhe ekonomik dhe duke bërë presion tek Bashkimi Evropian që Kosova të trajtohet drejt, sepse efektet e takimeve rajonale nuk i arrin efektet e veta karshi Kosovës përkundrazi në shumë raste po janë negative.
“Me që koha do të jetë argumenti më i mirë uroj që Samiti e Vendeve të Ballkanit të arrin efektet e veta dhe vendet e rajonit të lirohen nga ngarkesa historike dhe nga nacionalizmi vet-ngulfatës sepse tregtia nuk ka emocione as ndjenja por njeh vetëm profitin dhe leverdinë ekonomike”, theksoi Kadriaj. /tesheshi.com/