Nga Bashkim Kastrati
Data 1 maj njihet edhe si dita ndërkombëtare e punëtorëve. Në shumë shtete të zhvilluara që kanë ekonomi të fuqishme dhe numër të madh të të punësuarve, organizohen protesta me kërkesa për përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve. Por Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Kosovës për tërë këto vite nuk ka organizuar asnjë protestë për të kërkuar kushte më të mira për punëtorët dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve. Kjo sindikatë e cila e udhëhiqet nga Haxhi Arifi nuk ka ndërmarrë një hap të tillë. Kreu i saj Haxhi Arifi, që e ka mbushur moshën e pensionit njihet si person i afërt me qeverinë dhe kjo ka bërë që ndoshta të mos ketë protesta në një vend si Kosova, ku Ligji i Punës zbatohet shumë pak.
Ky ligj shkelet me të madhe në sektorin privat, shumë kompani ua shkelin të drejtat punëtorëve, që nga puna pa kontratë, puna gjatë vikendeve dhe zgjatja e orarit të punës pa kompensim. Kjo situatë ka ndikuar që punëtorët të jenë të shtypur, ata largohen nga puna për teket më të vogla të punëdhënësve dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi.
Supermarketet shumicën e punëtorëve i kanë pa kontrata dhe përveç orarit të zgjatur dhe pa kompensim, ata edhe i gjobitin shpesh nga 20-30 euro pa ndonjë arsye, duke u gjetur ndonjë gabim edhe të pa qenë.
Ndërsa Inspektorati i Punës e pranon se ka shkelje të të drejtave të punëtorëve, ndërsa për mosinspektime të kompanive fajin e gjen tek numri i vogël i inspektorëve, i cili tash e sa vite ka mbetur rreth 50 dhe nuk ka vullnet politik për ta rritur numrin e inspektorëve, pasi që kjo situatë e tanishme dikujt po i shkon për shtati.
Shtrirja e inspektorëve nëpër komuna gjithashtu nuk është në nivelin e duhur, ngase sot, kur Kosova ka 37 komuna, ende ka komuna që nuk kanë asnjë inspektorë të vetëm, përfshirë edhe dy komuna jo edhe aq të vogla si Suhareka dhe Istogu. Disa nga komunat e dala pas procesit të decentralizimit po ashtu kanë mungesë inspektorësh.
Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në Kosovë janë të regjistruara mbi 106 mijë e 555 biznese. Në bazë të Konventës së ILO-s, në bazë të së cilës edhe është themeluar Inspektorati i Punës, inspektorët e punës duhet ta inspektojnë një biznes sa herë që ata e shohin të domosdoshme, dhe së paku njëherë në vit. Por, numri i vogël i inspektorëve pamundëson që çdo biznes të vizitohet një herë në vit. Nëse inspektorët duhet të vizitojnë çdo biznes të paktën një herë në vit, atëherë 51 inspektorët e punës për të vizituar totalin prej 106 mijë e 555 biznese, i bie që mesatarisht secili të inspektojë nga 2 mijë e 89 biznese në vit, gjë që praktikisht është e pamundur.
Miratimi i Ligjit të Punës ka bërë që disa punëdhënës të nënshkruajnë kontrata afatshkurta me punëtorët, për shkak të lehonisë në mënyrë që t’ua shkëpusin kontratat në rast shtatzanisë, pra që të mos paguajnë pushimin e lehonisë. Gjithashtu mangësi tjetër është edhe mosdeklarimi i punëtorëve, që paraqet shkelje ligjore dhe nuk duhet të tolerohet. Por ka edhe biznese të tjera që sipas Inspektoratit të Punës nuk respektojnë orarin e punës si duhet, sikurse sektori i hotelerisë ku punëtorët punojnë më shumë se tetë orë në ditë, restorantet dhe lokalet, dyqanet e mëdha.
Shumë biznese vazhdojnë të mos nënshkruajnë kontrata me punëtorët e tyre dhe se një arsye për mosrespektimin disa prej neneve të këtij ligji është tendenca për t’i ikur tatimit dhe se kjo bën që disa biznese të mëdha të mos e zbulojnë asnjëherë numrin e vërtetë të punëtorëve, sepse ka nga punëtorët që nuk kanë fare kontrata dhe paguhen në baza ditore.
Ata që duhet të protestojnë festojnë
Vetëm gjatë viti 2015, në të gjithë Kosovën, Inspektorati i Punës ka identifikuar 1,800 persona të cilët kanë pasur marrëdhënie pune me punëdhënës të ndryshëm, por pa kontratë pune. Ndërsa në vitin 2014 kemi evidentuar 2 mijë e 751 punëtorë pa kontrata pune. Sipas raportit të inspektoratit të punës, gjatë viti 2015 në Kosovë kanë vdekur 9 punëtorë në vendin e punës, ndërsa 45 punëtorë janë lënduar si pasojë e aksidenteve në vendin e punës dhe kushteve jo të mira të punës.
Por shkelja e të drejtave të punëtorëve është bërë një gjë “normale”, pasi që më të shkelur mund të ndihen ata që janë të papunë dhe rrjedhimisht jetojnë në kushte të këqija sociale.
Por pavarësisht kësaj, në Kosovë tash e sa vite është bërë e zakonshme që kjo ditë të shënohet duke festuar në mënyra të ndryshme. Por çka të festohet?! Këtë përgjigje nuk e dinë as ata që dalin për të festuar.
Mijëra qytetarë ia mësyjnë parqeve të ndryshme dhe livadhe ku mblidhet një numër i madh i njerëzve dhe relaksohen duke dëgjuar muzikë dhe duke vallëzuar për të shënuar këtë ditën e punëtorëve. Ndonëse e dinë që ka qytetarë që nuk e kanë pushim as këtë të diele, e po ashtu e dinë që të njëjtit punëtorë punojnë edhe gjatë festave tjera si Bajrami apo Kërshëndellat.
Vendet më të frekuentuara janë Parku i Gërmisë në Prishtinë, Drini i Bardh në Radac të Pejës, Banja e Pejës si dhe vende të tjera. Në këto vende mbizotëron një atmosferë shumë festive dhe a hareshme dhe askujt nuk i intereson simbolika se për çka janë mbledhur aty.
Por ata festojnë e djersitën duke festuar, shpenzojnë edhe pak ato para që kanë, por të njëjtit do të kthehen të hënën në punë, të punojnë pa kontrata, me orar të zgjatur dhe me vonesa të pagave. Ndërsa një pjesë e tyre që janë të papunë të kthehen në shtëpi e të rrinë dhe të presin konkursin e radhës për të tentuar punësimin, ndërsa do të vazhdojnë ankesat në rrethe të ngushta se si të gjitha punësimet në Kosovë po bëhen mbi baza partiake, familjare e klienteliste, por të njëjtit nuk protestojnë para qeverisë, ndoshta gjatë gjithë vitit, ata mbledhin energjitë për të festuar 1 majin e radhës. /tesheshi.com/