Nga Bashkim Kastrati
Opinioni në Kosovë, për disa muaj u maltretua nëse Hashim Thaçi do të zgjidhet apo jo president i vendit.
Shumë shkrime në media të ndryshme u publikuan se kush prej deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të votojë “pro” e kush “kundër” Thaçit për të parin e shtetit.
Kjo zhurmë u bë për shkak se disa deputetë rebelë të partisë së Isa Mustafës që në fillimin të martesës së detyruar PDK-LDK kishin paralajmëruar mosvotimin e Thaçit për president por edhe mundësinë e mosqëndrimit në sallë.
Muajt ikën dhe erdhi moment. 26 shkurti u caktua datë e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Ishte ditë e premte kur ish-kreu i PDK-së, në një ditë tejet të acaruar ku jashtë Parlamentit hidhej molotov nga përkrahësit e opozitës, arriti të ulet në karrigen që dikur mbante ish-kreu i LDK-së i ndjeri Rugova.
Kjo, jo aq lehtësisht, por vetëm pasi u pa së një grup deputetësh kishin ndërruar mendje. Për një javë resht, media në Kosovë qëmoti të gjitha rastet e mundshme të deputetëve “të pabesë”, që arritën ta kurorëzojnë Thaçin president.
Janë një 20 sosh ata, që vulosën një “akt tradhëtie” në politikën kosovare.
Momenti erdhi. Pa opozitarët në sallë, përjashtuar deputetin Ilir Deda i cili mori pjesë si i deleguar i opozitës së bashkuar në Komisionin për zgjedhjen e presidentit.
Themeluesi i Partisë Demokratike të Kosovës në raundin e parë të votimit, kur për t’u shpallur President nevojiteshin 2/3 ose 80 pro të paktën, nuk ka arritur të fitojë më shumë se 50 vota për.
Në atë votim të parë, në të cilin morën pjesë 81 deputetë, për Thaçin votuan 50 veta, kurse 27 vota u shpallën të pavlefshme. Katër vota i mori kundërkandidati i Thaçit, bashkëpartiaku Rafet Rama.
Kurse raundi i dytë solli ndryshime të mëdha në numra, përkundër se pragu prej 2/3 përsëri nuk u kalua. Edhe në këtë raund votuan 81 deputetë, ndërsa këtë herë Hashim Thaçi mori 63 vota për e 16 u shpallën të pavlefshme.
Në raundin final, Thaçi mori 71 vota për e 10 ishin të pavlefshme dhe u zgjodh president.
Por çuditërisht rreth njëzet deputetë ndryshuan votën(bindjen) e tyre brenda vetëm dy orëve. Është rast jashtëzakonisht i rrallë mos të themi i vetëm që një numër kaq i madh i deputetëve në një periudhë kaq të shkurtër kohore të ndryshojnë tërsisht qëndrimin dhe votën e tyre.
Kemi të bëjmë pa asnjë dilemë me një fenomen që dëshmon kulturë jashtëzakonisht të ulët politike. Është e drejtë absolute e deputetëve të votojnë sipas bindjeve, por të bëjnë ndryshim të tillë brenda vetëm 120 minutave, kjo është e habitshme.
Deputetët e pakicës serbe qëndruan në sallë për të siguruar kuorumin e nevojshëm që procesi të mos bllokohet.
Deputetët e LDK-së që hëngrën fjalët dhe u kritikuan nga elektorati rugovian
Vjosa Osmani, Armend Zemaj, Arben Gashi, Adem Salihaj, Doruntina Maloku, Teuta Rugova, Shpejtim Bulliqi, Hatim Baxhaku, Alma Lama, Besa Gaxherri janë deputetët e LDK-së që kohë më parë disa prej tyre kishin deklaruar se nuk do ta votojnë Thaçin ose nuk do të rrinë në sallë për t’ia bërë kuorumin.
Por, disa nga deputetët në fjalë i ‘hëngrën’ fjalët e tyre dhe në momentin e votimit të rivalit të tyre më të madh, Thaçit, për kryetar shteti ia bën kuorumin.
Ata nuk arritën t’i bëjnë ballë presioneve të liderit të partisë Isa Mustafa, por njëkohësisht u joshën nga Hashim Thaçi që në këmbim të votës pro do të shpërblehen. Të paktën kështu kanë raportuar mediat kosovare.
Ndryshimi i bindjeve të këtyre ligjvënësve sipas raportimit të mediave kosovare është bërë për shkak se disa prej tyre i janë rehatuar familjarët nëpër pozita të ndryshme.
Kanë qenë vetë disa deputet të cilët nuk kanë marrë pjesë në seancë që kanë deklaruar se kryeministri Isa Mustafa dhe tashmë presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi zyrtiarisht në takimet që kanë zhvilluar i kanë ofruar poste të ndryshme vetëm e vetëm të votojnë për Thaçin president por që kategorikisht kanë refuzuar për arsye se nuk kanë dashur të thyejnë fjalën e dhënë në rektorat.
Deputetët e LDK-së që ia bën kuorumin Thaçit
E vetmja mënyrë që Thaçi të mos zgjidhet president ishte mosbërja e kuorumit, pra që deputetët e LDK-së të refuzojnë të rrinë në sallë.
Por kjo pritje rezultoi të jetë e pasukses pasi deputetët e LDK-së Arben Gashi, Armend Zemaj, Teuta Rugova, Doruntina Maloku, Besa Gaxherri dhe Alma Lama qëndruan në sallë.
Pas kësaj, deputetët në fjalë u kritikuan jashtëzakonisht shumë nga analistë të vendit por edhe nga elektorati i tyre duke thënë se ata tradhëtuan të ndjerin Ibrahim Rugova, edhe pse ata mohuan të kenë dhënë votën për.
Favoret e Thaçit në këmbim të votës për president
Hashim Thaçi duket se kishte gjetur strategjinë për t’i bindur ata pak deputetë të LDK-së që ishin kundër tij, ta votojnë atë për postin e presidentit.
Sipas mediave kosovare ish ministri i Jashtëm në këmbbim të votës ka avancuar në mënyrë të jashtëligjshme familjarët e deputetëve Gashi e Zemaj.
Gjithnjë sipas mediave Thaçi kishte anvancuar nga pozita e konsullit në atë të zëvendësambasadorit Astrit Zemajn vëllain e Armendit, avancim ku i bërë në mënyrë të pa ligjshme, për faktin që nuk janë respektuar procedurat dhe ligji.
Pos vëllait të Armend Zemajt, është raportuar se në mënyrë të kundërligjshme, Thaçi ia ka rehatuar vëllanë edhe deputetit tjetër, Arben Gashit, i cili po ashtu njihet si një nga kritikuesit më të mëdhenj të kandidatit për president.
Gjithnjë sipas mediave, Asdren Gashi nga pozita e këshilltarit është graduar në atë të zëvendësambasadorit të Kosovës në Hungari.
Por favoret e Thaçit për njerëzit e LDK-së nuk përfundojnë me kaq.
Siapas mediave kosovare, edhe djali i Vlora Dumoshit, e cila është ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Isa Mustafës, është sistemuar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme.
Rron Kryeziu i punësuar së pari në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e që pastaj u transferua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me vendim të Thaçit është transferuar në Ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por deputetët Gashi e Zemaj kanë mohuar raportimet e mediave kinse për ngritjen në pozitë të vëllezërve të tyre Arben Gashi duke thënë se ata janë punësuar shumë vite më parë në shërbimin e jashtëm dhe duke mohuar që kanë qëndruar në sallë për t’ia bërë kuorumin.
Deputeti Arben Gashi edhe përkundër se ka qëndruar në sallë është shprehur për media se ai nuk ja ka bërë kuorumin Thaçit, pasi sipas tij kuorumi llogaritet në kutitë e votimit duke thënë se ai nuk ka lëvizuar nga vendi, pra nuk ka votuar fare edhe pse disa herë i është thirrur emri.
Gashi ka thënë se ka pasur kërkesa nga lideri i partisë së tij, Mustafa që të marrë pjesë në votim por ai ka kundërshtuar sepse qysh më parë ka thënë se nuk do të votojë për Thaçin president.
Kurse Armend Zemaj, duke sqaruar pjesëmarrjen në seancë ka thënë se me vendimin e marrë, para interesit të tij personal të shpalljes “hero dite”, vendosi të qëndrojë, siç ka pohuar në anën e shtetit të Kosovës, duke respektuar mandatin kushtetues dhe moral, duke thënë se vota e tij ishte e ditur qysh kohë më parë.
Edhe e deputetja Margarita Kadriu ia bëri kuorumin ish-shefit të saj
Thaçit nuk iu bindën vetëm deputetët e LDK-së por edhe deputetja e pavarur Margarita Kadriu, e cila ishte nënkryetare e PDK-së por që pas “martesës” PDK-LDK, u largua nga partia e Thaçit.
Mediat rapotuan atë kohë se Margarita u largua për arsye se nuk u emërua në pozitën e ministres, pasi vetë, me t’u inkuadruar në PDK kishte thënë se do ta drejtoi një ministri që lidhet me ekonominë.
Që nga prej se u largua nga PDK u bë një kundërshtare e rreptë e Thaçit por edhe e Mustafës.
Megjithatë, gjithçka ndryshoi ditën kur Thaçi do të zgjidhej president.
Edhe pse nuk kishte folur asnjëherë për media nëse do qëndronte në sallë apo do votonte pro apo kundër Thaçit, deputetja Kadriu më 26 shkurt ishte prezente në sallë edhe pse nuk dihet saktë si ka votuar.
Analistë politik dhe pjesëtarë të shoqërisë civile duke analizuar se si ndodhi që brenda një ore deputetët të ndërrojnë mendje, kanë përmendur edhe emrin e Kadriut.
Disa prej tyre janë shprehur përmes rrjeteve sociale duke shkruar: “1 votë baras me 1 terminal doganor’.
Siç dihet familja e Margaritës kohë më parë kishte aplikuar për leje për terminal doganor dhe i ishte refuzuar. Por, pak ditë pas zgjedhjes së Thaçit në krye të shtetit u raportua se familjes së deputetes në fjalë i është dhënë leja.
Të gjithë këtë analistët e lidhën me atë se Margarita i dha votën Thaçit për president dhe ky i fundit e shpërbleu me lejen doganore.
Pas këtyre zërave dhe raportimeve nuk ka pasur një reagim nga deputetja Kadriu.
Befasia e Alma Lamës
Edhe deputetja e LDK-së, Alma Lama ishte pjesë e seancës kur u zgjodh Thaçi president, edhe pse shumë votues të saj dhe elektorati i LDK-së ka pritur që ajo nuk do të marrë pjesë.
Ishte vet Lama që pak ditë para mbajtjes së seancës kishte paralajmëruar një befasi, që në media raportohej se ajo nuk do t’ia bëj kuorumin Thaçit.
Por befasia është befasi, dhe Lama e bëri një gjë të tillë dhe qëndroj në sallë, kështu siç duket ju bind urdhërave të shefit të partisë, pasi është raportuar se deputetët e kësaj partie kanë pasur presione të mëdha për të marrë pjesë në seancë si dhe t’ia japin votën Thaçit, edhe pse Lama ka mohuar ta ketë votuar pro.
Lama pas seancës ka thënë beson se ka vepruar drejt, për interesat e shtetit dhe stabilitetit te Kosovës, duke thënë se një gjë të tillë nuk pret ta kuptojnë përkrahësit e partive opozitare.
“Mes dy te keqijave, duke vene ne pikepyetje edhe kredibilitetin tim, une zgjodha ate me te voglen per Raison D’Etat. Une dje zgjodha SHTETIN, stabilitetin institucional dhe logjiken demokratike. E konsideroj kete veprim si vazhdimesi e qendrimeve te mia te meparshme”, ka deklaruar Lama.
Elektorati i LDK-së i zemëruar tej mase edhe me Teuta Rugovën e Doruntina Malokun
Pavarësisht të gjithë deputetëve të tjerë të LDK-së është menduar se Teuta Rugova, vajza e Ibrahim Rugovës dhe Doruntina Maloku vajza e veprimtarit të ndjerë të LDK-së Enver Maloku në asnjë mënyrë nuk do të rrinë në sallë.
Por ndodhi e kundërta ato qëndruan në sallë, ja mundësuan rivalit të baballarëve të tyre të ulet në karrigen e presidentit pavarësisht së është rapotuar se votat e tyre kanë qenë kundër.
Deputetët që mbajtën fjalën dhe nuk tradhëtuan elektoratin
Disa nga deputetët e LDK-së por edhe dy të pavarur kanë mbajtur fjalët e tyre dhe nuk janë përkulur as kundrejt çdo oferte që ka ardh në drejtim të tyre me kush që t’i japin votën Thaçit.
Pesë deputetët e LDK-së Vjosa Osmani, Anton Çuni, Adem Salihaj, Shpejtim Bulliqi dhe Hatim Baxhaku kanë mbajtur fjalën e tyre dhe nuk kanë marrë pjesë në seancën kur Thaçi u bë president.
Një prej këtyre deputetëve, konkretisht Anton Çuni ka bërë të ditur se një ditë para seancës ku duhej të zgjedhej Thaçi president, lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe Hashi Thaçi kishin rënë dakord rreth kërkesave, që kishte parashtruar ai, siç është zbardhja e vrasjeve politike të LDK-së dhe njohja formale e fomacioneve ushtarake pranë Ministrisë së Mbrojtjes, “por ishte vonë”.
Deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi: Mbajta fjalën, refuzova postin ministror
Deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi, njëherit kryetar i partisë FJALA ka thënë se pak javë para se të mbahej seanca për zgjedhjen e Thaçit president ka marrë oferta nga ish kreu i PDK-së për të qenë në sallë por që ka refuzuar.
“Takimet e para për të më bindur për të qëndruar në sallë, kanë filluar para tri javëve, por takimet e fundit kanë qenë dy ditë para zgjedhjes së presidentit. Takimin e fundit e kisha me presidentin tashmë të zgjedhur, Hashim Thaçi. Nga unë është kërkuar të qëndroj në sallë, me ç’rast plotësimi i kësaj kërkese do të rezultonte më marrëveshje politike. Marrëveshja politike ka përfshirë që të jem pjesë e koalicionit qeverisës, për të drejtuar ministri, por që edhe të jemi pjesë e diplomacisë. Nuk kam mundur të shkelë mbi fjalën e dhënë”, ka theksuar Kelmendi.
Edhe ish deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ka mbajtur fjalën. Ai nuk ishte i pranishëm.
Lista Serbe e cila ka qëndruar në sallë ka thënë se deputetët e saj nuk e kanë votuar Thaçin për president të Kosovës.
Votimi për President është i fshehtë dhe nuk mund të mbahen saktë në fjalë deputetët e LDK-së por edhe ata të minoritetit serbe nëse votuan pro apo kundër Thaçit.
Ndryshe, përkundër kundërshtimeve të mëdha Thaçi u zgjodh president me mandate pesë vjeçarë dhe menjëherë pas zgjedhjes ai u ngrit në këmbë dhe ‘lulet presidenciale’ ia dhuroj Teuta Rugovës, vajzës së presidentit Ibrahim Rugova, ndoshta në shenjë falënderimi që qëndroj në sallë. /tesheshi.com/