Në një deklaratë për mediat ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka dhënë sqarime në lidhje me kërkesën e Kryeministrit turk Erdogan që qeveria shqiptare të nxirrte nga Shqipëria një strukturë paralele terroriste, siç e cilësoi ai.
Ministri Tahiri deklaroi se kjo është më shumë kërkesë politike që ka marrë përgjigjen e duhur nga instancat përkatëse sesa kërkesë që ka të bëjë me sigurinë.
“Sa i takon përpjekjes sonë të përbashkët në luftën kundër terrorizmit, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët tanë, të gjithë bashkë kemi zgjedhur mënyrën e hartimit të përbashkët të katalogut të riskut dhe të rreziqeve në secilin vend, në rajon dhe në nivel global”,- tha Tahiri.
Ai bëri me dije se qeveria shqiptare i përgjigjet sfidave në luftën kundër terrorizmit duke bashkëpunuar me partnerët, duke shmangur maksimalisht që lufta kundër terrorizmit të politizohet për agjenda të ngushta kombëtare nga cilido qoftë. /tesheshi.com/