Sugjerimi i ditës së sotme është vërtetë fantastik. Një supë e lehtë, e shijshme, pa shumë ingredientë dhe mbi të gjitha, recetë që ndoshta nuk e njohin shumë amvisa. Supë me domate, bukë të thekur dhe djathë, si në restorante e ndoshta edhe më e mirë.
Përbërësit:
4-5 domate “zemër kau” (nëse nuk ju gjenden, përdorni domate të zakonshme)
1 qepë
3-4 thelpinjë hudhra
kripë dhe piper i zi
pak vaj ulliri
disa gjethe borziloku
1 lugë e vogël paprika
700 ml. Ujë
Pjesa tjetër:
4 feta bukë
pak djathë të bardhë
2 lugë fara mikse
Përgatitja:
Domatet e mëdha pritini në katërsh dhe vendosini në një tavë me letër furre poshtë. Shtoni hudhrat e qëruara, pak vaj dhe i vendosni në furrë në 180°C derisa të piqen. Rreth 25-30 minuta ju duhet të karamelizohen mirë.
Prisni qepën dhe e përzieni me pak vaj ulliri sëbashku me disa gjethe borzilok. Kur të jetë trazuar mirë shtoni në të dhe domatet e pjekura me gjithë lëngun që kanë formuar gjatë pjekjes. Shtoni ujin, paprikan, pak piper të zi, kripë dhe lërini të gatuhen derisa lëngu të bëhet si ajkë dhe të trashet.
Bluajeni masën me blender. Pastaj filtrojeni gjithë supën duke e kaluar nëpërmjet një site në mënyrë që të keni vetëm kremin pa farat dhe lëkurat e domateve.
Pjesën e filtruar vendoseni në një tavë të cekët, sipër saj vendosni fetat e bukës, shkërmoqni djathin e bardhë, shtoni farat mikse, spërkateni pak me vaj ulliri dhe vendose tavën në furrën e nxehur më parë në maksimumin e saj për 10-15 minuta, ose kur shikoni që djathi është shkrirë dhe bukët janë thekur. Shërbejeni pjatën të ngrohtë! Ju bëftë mirë!/tesheshi.com/