Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) duke marrë shkas nga fluksi i madh i migrantëve drejt BE-së në muajt që lamë pas, ka realizuar një anketë gjatë muajit Mars 2015, e cila përfshinë 1000 individë e cila në teren është administruar nga Ubo Consulting. Duke përdorur të dhëna që rezultojnë nga kjo anketë GSJP, së pari, mëton që të ndërtojë profilin e migrantit potencial, dhe së dyti, të analizojë, në mënyre empirike, faktorët që ndikojnë në gadishmërinë e individëve për të migruar. Me këtë analizë poashtu synohet të informohen politik-bërësit dhe të gjithë akterët relevant mbi faktorët që rrisin gadishmërinë për të migruar. Profili i Migrantit po bëhet për herë të parë në Kosovë dhe është tregues i strukturës së faktorëve mbi të cilët duhet të koncentrohen veprimet e Qeverisë Mustafa në mënyrë që të parandalohet migrimi ilegal në të ardhmen. Të dhënat tregojnë se gadishmëria për të migruar vazhdon të mbetet e lartë përkundër migrimit të një numri relativisht të madh të qytetarëve gjatë muajve të kaluar si dhe deklarimeve të vazhdueshme nga zyrtarët e BE-së se azili nuk do u njihet qytetarëve të Kosovës. Më konkretisht, 37.2% e qytetarëve të anketuar u deklaruan që do të migronin po t’iu jepej mundësia, si dhe gadishmëria është pothuajse e njëjtë në mesin e meshkujve dhe femrave. Poashtu gadishmëri më të lartë për të migruar kanë qytetarët e zonave urbane ani pse dallimi mes zonave rurale dhe urbane nuk është i lartë. Disa prej arsyeve kryesore pse qytetarët do të migronin janë: a) humbja e shpresës se situata socio-ekonomike dhe politike do të përmirësohet, b) kërkimi i një jete më të mirë dhe c) situata e rëndë ekonomike. Qeveria e Kosovës është konsideruar si institucioni më përgjegjës për migrimin e tyre eventual (nga 88% e qytetarëve). Në anën tjetër, gjetja e një pune stabile me një page mesatare, punësimi i anëtarëve tjerë të familjes si dhe liberalizimi i vizave dhe mundësitë për punësim sezonal në BE janë tri prej arsyeve kryesore që do ti bindnin qytetarët për të mos migruar. Sa i përket profilit të migrantit potencial ai/ajo është kryesisht nga Mitrovica dhe Prishtina (dhe vlen të theksohet se mbi 50% e qytetarëve nga Mitrovica janë deklaruar të gatshëm për të migruar), beqar dhe i/e martuar, kryesisht u takon grupmoshave të reja (18-34 vjeç) pa të ardhura ose me të ardhura mujore familjare të ulëta (deri 150€) poashtu edhe nga grupi i familjeve me të ardhura më të larta se 750€. Gjithashtu migranti potencial ka të përfunduar shkollën e mesme dhe është i papunë, i punësuar në sektorin privat, student, si dhe gjithashtu është posedues i tokës dhe automjeteve. Për më tepër, migranti potencial kryesisht është nga familjet që nuk kanë pranuar dhe nga grupi i individëve që e perceptojnë situatën e tyre socio-ekonomike si të rëndë (57%).
Të gjeturat e analizës empirike sugjerojnë se rajoni, gjinia, statusi martesor, mosha, edukimi sekondar, pensioni dhe perceptimi i situatës socio-ekonomike, janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në gadishmërinë e qytetarëve për të migruar. Në krahasim me Prishtinën, qytetarët e rajoneve tjera kanë gadishmëri më të ulët për të migruar. Sa i përket Mitrovicës analiza sugjeron që qytetarët e zonave rurale të këtij rajoni kanë gadishmëri më të lartë për të migruar sesa ata të Prishtinës. Gjinia poashtu është e rëndësishme dhe në përgjithësi meshkujt kanë gadishmëri më të lartë për të migruar krahasuar me femrat, ndërsa nuk ka dallime të rëndësishme në zonat urbane. Një indikator i rëndësishëm është edhe mosha. Të rinjtë kanë gadishmëri më të madhe për të migruar krahasuar me grupmoshën 35-54. Poashtu edhe rezultatet empirike konfirmojnë se individët me edukim sekondar janë më të prirur për të migruar krahasuar me ata me edukim terciar (edukim universitar). Individët e zonave rurale me të ardhura të larta mujore kanë gadishmëri më të ulët për të migruar sesa ata me të ardhura 150-450€. Poashtu individët që e perceptojnë situatën e tyre socio-ekonomike.
si mesatare dhe të rëndë janë më të prirur për të migruar sesa ata që e perceptojnë si të mirë. Poashtu analiza sugjeron se një faktorë i rëndësishëm është edhe prezenca e rrjetit të migrimit nëpër komuna, indikator ky që rrit gadishmërinë e qytetarëve për të migruar. Rekomandimet
- Qeveria duhet të adresojë faktorët që i shtyjnë qytetarët të migrojnë, më konkretisht të krijohen parakushte për gjenerimin e vendeve të reja të punës, sidomos për grupmoshat e reja dhe individët pa të ardhura ose të ardhura të ulta mujore që analiza sugjeron të jenë më të prirur për të migruar;
- Andaj një ndër prioritetet e qeverisë duhet të jetë krijimi i parakushteve për zhvillimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ndër të tjera duket përmirësuar klimën e të bërit biznes përmes luftimit të korrupsionit dhe sundimit të ligjit;
- Qeveria duhet të ketë një qasje më proaktive në negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për punësim sezonal me vendet e BE-së, SHBA-së, Kanada-n, Australinë si dhe me vende turistike sidomos ato të cilat kanë nevojë për fuqi punëtore me kualifikime të ulëta dhe të mesme. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet të fokusohet në ofrimin e aftësimit profesional afatëshkurtër që përgadit për tregun e punës përfituesit potencial nga marrëveshjet për punësim sezonal;
- Meqë profili i migrantit sugjeron se disa rajone të Kosovës janë seriozisht më të prirura për të migruar, atëherë koncentrimi dhe investimi i qeverisë në parandalimin e migrimit duhet të ketë fokus rajonal. Në këtë dimension Mitrovica është rajoni me gadishmërinë më të lartë për të migruar dhe qeveria duhet të orientoj mundësitë për punësim sezonal dhe investimet në këtë rajon si dhe rajonet tjera me gadishmëri të lartë për të migruar.
- Profili i migrantit tregon se jo domosdoshmërisht migranti potencial është një individ i papunë. Gadishmëria e lartë për të migruar në mesin e punëtorëve të sektorit privat reflekton pasigurinë në vendin e punës për shkak të punësimeve pa kontrata, pasiguri në marrjen e pagave, mungesa e sigurimit dhe rrezikshmëria në vendin e punës. Kjo sugjeron se sektori privat në Kosovë ka problem serioze me ofrimin e punësimit të sigurt gjë e cila reflektohet edhe në gadishmërinë e lartë të qytetarëve nga ky sektor që të migrojne jashtë vendit. E gjith kjo vjen si pasojë e dështimit të institucioneve kompetente të garantojnë respektimin e të drejtave të punëtorëve nga ana e punëdhënësve privat. Andaj Qeveria duhet të fuqizoj kontrollin e garantimit të të drejtave të punëtorëve nga institucionet përgjegjëse dhe këto të fundit, sidomos Inspektorati i Punës, duhet të jenë më të përgjegjshme në kryerjen e përgjegjësive të tyre në mënyrë që të sigurohet respektimi i të drejtave të punëtorëve të garantuara me ligj ashtuqë të rritet besimi i qytetarëve karshi sektorit privat; Marrë parasysh faktin që shumica e individëve të gatshëm për të migruar kanë të përfunduar edukimin sekondar, Qeveria e Kosovës duhet të hartoj një program të arsimit dhe aftësimit profesional post-sekondar si masë për zhvillimin e aftësive dhe krijimin e vendeve të punës, sidomos për të rinjtë. Zgjerimi i arsimit (pas atij të mesëm) profesional dhe programet e trajnimit duhet të reflektojnë nevojat aktuale të tregut të punës në Kosovë dhe atyre të investimeve të huaja direkte.