Nga Bashkim Kastrati
Vendet demokratike ndër të cilat po pretendon të jetë edhe Kosova, i lejojnë aktivitetet fetare në mënyrë publike. Por realisht në Kosovë, kjo në të shumtën e rasteve vlen vetëm për religjionin e krishterë, por jo në të gjitha rastet edhe për religjion islam.
Sekte të ndryshme të krishtera që vijnë nga vende të huaja, pothuaj për çdo ditë dalin në rrugë dhe në sheshe të Prishtinës ku shpërndajnë disa broshura dhe informacione për libra me përmbajtje fetare të krishterë. Këto aktivitete publike të tyre nuk pengohen në institucionet e sigurisë.
Por kur një grup i të rinjve të fesë islame në janar të këtij viti kishin dalë për të shpërndarë fletushka dhe libra me përmbajtje fetare islame, ai nuk u lejua që të bëjë këtë aktivitet në sheshin “Nënë Tereza”, edhe përkundër faktit se kishin marrë paraprakisht leje nga autoritetet kompetente.
Me këtë rast policia ua ka ndaluar aktivitetin, nuk i ka lejuar as një orë të qëndrojnë dhe me këtë rast po përdor standarde të dyfishta.
Aktivistë të këtij forumi u lejuan që të qëndrojnë në shesh vetëm 13 minuta, edhe pse deklaruan se kishin leje njëorëshe.
“Ishim me leje, me krejt në rregull dhe na është lejuar, kemi pasur ta mbajmë që nga ora një deri në ora dy, ndërkaq këta na larguan pas 13 minutash,” ka deklaruar Musa Ademaj, përfaqësues i Forumit të të Rinjve Myslimanë. Ademaj tregoi edhe qëllimin e aktivitetit. “Me këtë aktivitet synojmë t’u tregojmë njerëzve se kush ka qenë profeti ynë,” tha ai. Aktivistët ndonëse nuk janë pajtuar me vendimin e policisë, nuk kanë rezistuar, kanë marrë librat dhe janë larguar.
Por pjesëtarë të grupeve tjera religjioze si si Mormon nuk kanë këso probleme, e as kufizime kohore për aktivitetet e tyre. Ata qëndrojnë gjatë gjithë ditës këtë shesh duke bërë aktivitete religjioze.
Ata kanë mësuar të flasin edhe shqip dhe një bisedim që ka bërë gazetari i portalit tesheshi.com, ata përveç që shpjegonin për materialet e tyre fetare, kërkonin kontakte për të lënë takim në mënyrë që të shpjegojnë më mirë për disa prej librave të fesë së tyre dhe si shpërblim ofronin librin falas.
Ferdi Kamberi, sociolog i fushës së religjionit, ka thënë për tesheshi.com se në trevat shqiptare kohëve të fundit me të madhe paragjykohet, krijohen stereotipa të ndryshme mbi religjionin sidomos atë islam, duke bërë kështu edhe një stigmatizim dhe margjinalizim të komunitetit në fjalë në bazë të mjekrës, pantallonave, ideve fetare, etiketimeve të ndryshme, e të tjera, duke çuar shpeshherë në shkejlje të të drejtave fondamentale të demokracisë siç është liria fetare dhe e drejta e shprehjes dhe manifestimit të besimit.
Ai thotë se shikuar në aspektin sociologjik, sidomos atij të sociologjisë së religjionit, del se OJQ-të, lëvizjet apo grupet sektare, kanë për qëllim që sa më shumë ithtarë të grumbullojnë në ombrellën e atij religjioni.
“Kemi qenë dëshmitarë të asaj që në sheshet e qyteteve tona (p.sh. në Prishtinë) ka pasur raste kur nga OJQ me vijë fetare islame janë shpërndarë libra të ndryshme, dhe ato edhe pse kanë marrë leje nga autoritet shtetërore janë penguar në ushtrimin e kësaj detyre. Edhe pse realisht përmbajtja e librave ka qenë tepër e arsyeshme dhe me përmbajtje lidhur me edukatën, arsimin, informimin fetar. Ndërsa, për të njëjtën gjë nga homologët e tyre jo jo-myslimanë në këtë rast siç është fjala për sektet Dëshmitar i Jehovait apo Bashkësia Golgota, etj, gjë që janë në kuadër të denominacioneve protestante, ato nuk janë penguar, përkundrazi ato janë përkrahur”, thotë Kamberi.
Ai thotë se në këtë situatë kemi të bëjmë me dy pika të rëndësishme: e para, kemi të bëjmë me një asimetri të madhe e cila në dioptrinë sociologjike dallohet shumë qartë, sepse përderisa një parim vlen për një grup të caktuar i njëjti parim nuk vlen për grupin tjetër apo për OJQ-n tjetër. Ndërsa, pika e dytë ka të bëjë më shumë standarde të dyfishta sidomos për komunitetin islam, kjo për shkak të shumë paragjykimeve, etiketimeve të ndryshme që sot iu bëhen myslimanëve jo vetëm këtu por pothuajse në të gjithë botën, duke i etiketuar në forma dhe mënyra të ndryshme në bazë të dukjes, apo në bazë të veprimeve të të tjerëve përkatësisht grupeve sektare që kanë ideologji ekstremiste që thirren në fe sidomos ato nga lindja e mesme.
Sociologu Kamberi thotë se mekanizmat shtetërorë, duhet të jenë më të hapur dhe më vigjilent mbi përmbajtjet, informatat, diskurset filozofike, komunikimin e OJQ-ve apo lëvizje, sekteve të ndryshme me përmbajtje fetare të cilët nuk korrespondojnë së pari me vetë religjionin e caktuar dhe së dyti me normat dhe vlerat demokratike në të cilën jeton shoqëria bashkëkohore.
“Konsideroj se duhet të ndërhyhet që rastet e tilla mos të ketë sepse ndikimi negativ do të ishte shumë i lartë. Ndërsa, përderisa individët apo grupet e ndryshme kanë qëllimin e mirë për përçimin e mesazheve fetare me përmbajtje pozitive për jetën, edukatën, arsimin, jetën, shoqërinë, solidaritetin, e shumë përmbajtje pozitive, atëherë kjo jo vetëm që garantohet me akte më të larta ndërkombëtare, por ajo duhet të ushtrohet si e tillë’, theksoi Kamberi.
Përdorimi i standardeve të dyfishta mund të nxisë radikalizëm
Aktivisti politik dhe opinionisti Krenar Shala, ka thënë për tesheshi.com se duke e marr për bazë karakterin shtetëror të republikës sonë, karakter i cili është i bazuar në themele laike, pra ku çështjet publike janë të ndara nga ato fetare. Ai thotë se ky karakter koincidon me respektimin e lirisë së mendimit, shprehjes etj.
“Duke marrë në konsideratë këtë aspekt, nuk mendoj që përbën ndonjë problem promovimi fetar i ndonjë sekti apo feje. Ndërkohë, duhet ta cekim që liria e ushtrimit të ndonjë besimi është e garantuar me kushtetutë dhe se çdo pengesë në këtë drejtim, duhet të hasë në rezistencën më të fortë të organeve të sigurisë. Pra, duhet t’i evitojmë situatat ku standardet e dyfishta vihen në pah, për shkak se një palë e dëmtuar mund të radikalizohet dhe kështu mund ta dëmtojë seriozisht tolerancën fetare që tashmë ekziston në shoqërinë tonë me shekuj”, thotë Shala.
Ai thotë se mënyra më a mire për t’ju kundërvënë aspekteve të cilat subjektet mund të ndihet inferiore apo mund t’ju cenohen të drejtat, janë obligimet kushtetuese të cilat duhet të jenë në fokusin e organeve të rendit. /tesheshi.com/