Sputniku rus pas një “qetësie” të gjatë nis sërish sulmin ndaj Tiranës zyrtare, menjëherë pas nisjes së punës së qeverisë së re.
Në një shkrim të sajin tipik, duke tentuar të ndezë situatën rajonale, portal Kremlinit “ngre alarmin” se Tirana kërkon të vendosë kufijtë e Musolinit me Malin e Zi.
Në një shkrim të gjatë ku ka marrë për bazë ekspertizën e Vojin Grubac, një shkrimtari filo-serb dhe korespondent i Moskës për gazetën Dan të Podgoricës, Sputnik thekson se “Tirana zyrtare tashmë i ka futur Ulqninin, Tuzin, Rozhajën, Plavën Gucinë dhe Petnjicën si toka shqiptare dhe të tilla i quan në të gjitha tekstet shkollore”.
Sipas të gjitha gjasave, situate bëhet për të trazuar situatën në një kohë që Ramush Haradinaj ka thënë se do ta ndryshojë hartën e demarkacionit në negociatat me partnerët e Kosovës, por edhe me Tiranën zyrtare.
“Shqipëria politike me sa kërkon të vendosë vijën kufitare të kohës së Musolinit, ku trojet shqiptare ishin të gjitha të bashkuara.
Prej vitesh po përgatiten mësues të gjimnazeve për t’i dërguar në të gjitha fshatrat e shqiptarëve që të rrisë numrin e nxënësve që mësojnë shqip”, thekson Sputnik.
Në fakt ky elaborim i portalit rus është pak i mangët megjithëse thotë një gjysëm të vërtete.
Gjatë kohës së Jugosllavisë së Parë dhe atë të Titos, trevat shqiptare në Mal të Zi, jo vetëm në Plavë e Guci, por edhe në Ulqin e Krajë u asimiluan për mungesën e shkollave shqipe.
Në disa fshatra e qytete nuk kishte shkolla shqip, por vetëm paralele, pra disa klasa. Nxënësit që ndiqnin këto paralele ngeleshin mangut me lëndët e tjera pasi nuk kishte me qëllim mësues dhe mësimdhënia ishte e mangët.
Shkurt për të ecur përpara në jetë, ata që mbaronin paralelet shqip nuk kishin asnjë mundësi.
Pas vitit 1990 shumë shqiptarë të Malit të Zi kanë studiuar në Tiranë apo Shkodër dhe në Podgoricë u hap një paralele e Shkollës së Lartë për të përgatitur arsimtarë.
Në këtë paralele, e cila u hap me vendim të Milo Gjukanoviçit, shkuan për të dhënë mësim pedagogë të njohur nga më të mirët të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Kjo ka sjellë një rritje të shkollimit dhe mundësisë që të ketë më shumë mësues të shqipes dhe jo vetëm por edhe të lëndëve të tjera që mund të japin mësim në shqip. Kështu rritet edhe numri i fëmijëve që mëson gjuhën amëtare. Dhe kjo s’ka asgjë prej Musolinit, por është thjeshtë zbatim i të drejtave elementare të pakicave që Mali i Zi është i detyruar ta zbatojë si vend kandidat për BE.
Por Sputnik nuk i rri “shpirti rehat” thjeshtë për këtë çështje, por e dërgon kursorin e maus-it të kompjuterit ku dëshiron.
Nëpërmjet njeriut të saj, Vojin Grubac, portali i Kremlinit përmend se shqiptarët nuk janë thjeshtë një pakicë, por “kombësia që ishte determinante për Malin e Zi që të fitonte pavarësinë nga Serbia”.
Dhe për të ilustruar argumentin e vet Sputnik shigjeton Edi Ramën kryeministrin shqiptar, të cilin në dy vitet e fundit e ka sulmuar thuajse dy herë në javë.
“Edi Rama deklaroi në një intervistë në televizionin shqip Teuta të Ulqinit se shqiptarët janë pjesë bazike e shtetit të Malit të Zi dhe u treguan të domosdoshëm për pavarësinë e tij. Duke hyrë në qeveri vitin e kaluar shqiptarët shpëtuan për të dytën herë Malin e Zi pas referendumit të pavarësisë në vitin 2006”, citon Sputnik Ramën, duke e lidhur me faktin se pjesa e madhe e ortodoksëve serbë dhe proserbë të Malit të Zi që nuk deshën shkëputjen janë tani qytetarë të dorës së dytë dhe nuk preferohen nga Podgorica.
“Partia në pushtet po bën tregti të pandershme me popujt pakicë, duke u shitur atyre vendin.
Kroatët morën lirinë e lundrimit në Gjirin e Kotorrit ndërsa shqiptarët pjesën e tyre të kontrollit.
Çmimi i pavarësisë së Malit të Zi ishte shumë i madh për t’u paguar, pasi vendi është në dorën e një grushti okult, i varur nga aksi Tiranë-Zagreb-Sarajevë-Prishtinë. Mali i Zi mori njohjen ndërkombëtare ndërsa pavarësnë e sovranitetin nuk do ta ketë kurrë”, thotë Grubac për Sputnik.
Sputnik, më pas citon edhe Ramush Haradinaj, kryeministrin aktual të Kosovës që ka kërkuar nga Podgorica që të shpërblejë malësorët shqiptarë që votuan pro pavarësisë, duke i dhënë Kosovës tokën që i takon.
Sputnik në fund ngre alarmin se po vihet në rrezik popullsia ortodokse e Malit të Zi, ndaj kërkon një ndikim më të madh të Moskës për tu gjendur pranë “vëllezërve të tyre”.
Përgatiti: Ylli Pata – /tesheshi.com/