Flokët e dëmtuar dhe ata që bien vazhdimisht janë një shqetësim i shumë grave, i cili mund të shkaktohet prej tiroides por edhe prej komplikimeve të tjera shëndetësore.
Në kokën tonë gjenden përafërsisht 100 mijë fije floku, të cilët mesatarisht rriten 15 centimetra në vit, dhe nëse flokët arrijnë gjatësinë deri në supe atëherë do të thotë se janë dashur së paku dy vjet.
Mirëpo për të pasur flokë sa më të shëndetshëm të cilët rriten më shpejt, është e domosdoshme prania e vitaminës B, acidit folik, vitaminës E, magnezit dhe zinkut, elemente të cilët luajnë rol kyç në shëndetin e flokut.
Gjithashtu beta-karotena, cilësohet si çudibërëse për majat e flokëve, thonjtë por edhe për lëkurën. Vitamina të pasura për shëndetin e flokut gjenden te spinaqi, pjepri, rrepa etj.
Por edhe stili i jetës luan një rol themelor për rritjen e flokëve, ku thuhet se pirja e duhanit e ngadalëson në mënyrë të ndjeshme zgjatjen e flokëve, ashtu sikundër kafeina e tepërt, alkooli dhe sheqeri.
Gjithashtu këshillohet që flokët të mos krihen shpesh dhe të përdoren sa më rrallë produkte kimike. Këshillohet që në momentin që janë të lagur flokët të krihen me krehër me dhëmbë të mëdhenj.
Në këtë linjë rekomandohet që të mos lahen me ujë të nxehtë dhe të mos lahen përditë, por mesatarisht çdo 2-3 ditë. Nëse mundeni reduktoni përdorimin e piastrës dhe tharëses dhe lërini flokët në variantin e tyre natyral. /tesheshi.com/