Nga Leons Hasani
Republika Popullore Kineze më 7 shtator 2023 festoi 10-vjetorin e lançimit të projektit “Një Brez, Një Rrugë” nga presidenti Xi Jinping në një fjalë të mbajtur pranë Universitetit Nazarbayev në Kazakistan. Pas një dekade iniciativa “Një Brez, Një Rrugë” e shtrirë në 154 shete të botës po trumbetohet nga ana e qeverisë kineze si një sukses global me transformime të qenësishme në jetën ekonomike të vendeve që janë pjesë e projektit të saj.
Por si qëndron e vërteta, cilat janë faktet kokëforta që projekti “ambicioz” kinez ka lënë në vendet që janë të përfshira? Sa realiste janë vlerësimet e njëanshme të efekteve negative që ka prodhuar ky projekt dhe përse ato relativizohen nga ana e qeverisë kineze? A ka patur ky projekt raste dështimi në dhjetra shtete dhe a ka sjellë pasoja të parikuperueshme falimentimi në aspektin ekonomik?
Të dhënat empirike të një dekade të këtij eksperimenti a duhet të na bëjnë të ngrejmë pikëpyetjen se cili është qëllimi real i projektit “Një Brez, Një rrugë” i Republikës Popullore Kineze? E në fund Shqipëria si pjesë e këtij projekti çfarë përfiton?
Përpara se të shpjegojmë dhe analizojmë të gjitha pikëpyetjet e ngritura më sipër dhe të bëjmë përthyerjen e ndikimit të tyre në realitetin e ekonomisë shqiptare, le të ndalemi pak tek qëllimi zyrtar i deklaruar i projektit.
Përmbledhur shkurt qëllimi i projektit “Një Brez, Një Rrugë” i deklaruar nga vet presidenti Xi Jinping është unifikimi i tregut global përmes konsultimit të politikave, krijimit të linjave të reja rrugore, lehtësimin e tregëtisë dhe qarkullimin monetar mes shtetit kinez dhe shteteve që janë pjesë e këtij projekti.
Tani le t’i rikthehemi fakteve dhe pikëpytjeve të ngritura. Projekti kinez “Një Brez, Një Rrugë” parashikon që të investojë 1 deri në 8 trilion dollarë në infrastrukturë (rrugë, hekurudha, porte, aeroporte, teknologji, burime nëntokësore, shendetësi, etj) në vendet që janë pjesë e këtij projekti, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Por si është ngritur skema e financimeve të këtyre projekteve, ku i gjen shteti kinez paratë që investon në sektorët strategjikë të këtyre vendeve, pra çfarë interesi ka Kina në këtë projekt global?
Skema është shumë e thjeshtë: shteti kinez nëpërmjet sistemit të tij bankar financon përmes kredisë projekte strategjike në shtetet antare me një normë interesi deri në 5%, me kushtin për të qenë aksioner në investim, si dhe në rastet kur kredia nuk shlyhet kolaterali (vepra e investuar) kalon në menaxhimin e palës kineze për 99 vite. Rikujtojmë këtu që norma e interesit që jep FMN për projekte të ngjashme nuk shkonë më shumë se 2%. Gjithashtu vlen të theksohet se mbi 500 institucione bankare në shtetin kinez që kanë financuar projekte të ndryshme në mbi 60 shtete kanë probleme serioze me likuiditetin dhe bilancet financiare.
Përtej kësaj, gjithkush prej jush mund të mendojë se kjo është një marrëdhënie mes shteteve në kushtet kur të drejtat dhe detyrimet që lindin nga marrëveshjet janë të njohura nga të dyja palët po njësoj.
Por historia e projektit “Një Brez, Një Rrugë” është e mbushur plot me dështime edhe për vende si Italia, një shtet i fuqishëm i G7-ës që zgjodhi t’i bashkohej këtij projekti. Bilancet tregtare mes Italisë dhe Kinës vitet e fundit flasin për një rënie drastike të eksporteve të Italisë si në volum, po ashtu edhe në vlerë drejt Kinës. Ndërkohë që eksportet kineze kanë pushtuar me produktet e tyre tregjet e brendshme te Italisë. Gjithashtu Kina është bërë aksionere e porteve më të rëndësishme të Italisë, duke përcaktuar politikat e porteve lidhur me trarifat, kuotat, kohën e qëndrimit dhe hapësirat e porteve dedikuar kontenierëve kinez. Ekspertët e ekonomisë, por edhe institucionet shtetërore të Italisë po e mendojnë seriozisht gjetjen e një zgjidhjeje afatshkurtër për t’u çliruar nga kthetrat e projektit “Një Brez, Një Rrugë”, i cili erdhi me premtimin për ta bërë Italinë një vend me rritje ekonomike të qëndrueshme, por që në fakt ndodhi e kundërta.
Duket se edhe drejtimi politik i Italisë e ka kuptuar gabimin që kanë bërë paraardhësit e tyre në mars të vitit 2019 dhe kjo u vu re qartë nga prezenca e kryeministres italiane znj. Meloni në konferencën e Partneritetit për Investime në Infrastrukturën Globale ku u inicua krijimi i Korridorit Ekonomik Indi, Lindje e Mesme dhe Europë (IMEC) mbajtur më 9 Shtator 2023 në New Delhi të Indisë.
Sri Lanka është shteti tipik që projekti “Një Brez, Një Rrugë” përmes kredisë i falimentoi ekonominë duke jua dhënë në menaxhim kompanive kineze portet dhe sektorët me strategjikë të ekonomisë për një afat prej 99-vitesh. Probleme të ngjashme kanë shtete si Greqia, Mali Zi, Kazakistani, Portugalia, Indonezia, vendet e Gadishullit Afrikan, Lindja e Mesme etj. Po ashtu Rumania, Lituania, Republika Ceke, Sllovenia dhe Kroacia kanë bllokuar shumë projekte të sponsorizuara nga bankat kineze.
Bëmë një panoramë të asaj se çfarë ka prodhuar më së shumti projekti kinez “Një Brez, Një Rrugë” kudo ku ka gjetur akses në këto 10 vite për të kuptuar se çfarë ndodh ose çfarë pritet të ndodh me vendin tonë nëse i drejtohemi bankave kineze për të investuar në sektorët strategjik në kuadër të këtij projekti.
Shqipëria i është bashkuar në Maj të vitit 2017 projektit kinez “Një Brez, Një Rrugë” dhe deri më sot nuk ka patur asnjë përfitim direkt apo indirekt në ekonomi.
Ajo që duhet theksuar në këtë rast është se Shqipëria ende nuk ka rënë në peshën e borxhit që Kina krijon përmes projektit “Një Brez, Një Rrugë”. Do të ishte fatale për ekonominë shqiptare nëse do të pranonte të zhvillonte projekte strategjike bazuar mbi një filozofi tashmë të dekonspiruar ndërkombëtarisht.
Shqipëria është e lakmueshme jo vetëm për qëllimin e deklaruar të projektit “Një Brez, Një Rrugë”, duke e shndërruar atë në një zonë të lirë ekonomike për investitorët kinezë si një nga urat kryesore lidhëse me rrugët tregtare globale për të transportuar mallrat kineze, por nga ana tjetër qëllimi politik i Republikës Popullore Kineze është i pastër ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj çdo vendi që është pjesë e këtij projekti.
Me të drejtë projekti “Një Brez, Një Rrugë” është cilësuar nga shumë ekspertë, institucione, shtete dhe organizata ndërkombëtare si një iniciativë me qëllim të pastër për pushtimin ekonomik dhe politik të vendeve më të vogla dhe më të varfëra duke vendosur një rend të ri botëror nën udhëheqjen e Kinës.
Shqipëria është një vend antarë i NATO-s me një pozicion gjeografik tejet strategjik si në aspektin tregëtar, por edhe atë ushtarak nga shtete të cilat kërkojnë të sfidojnë NATO-n. Ky është një fakt shumë i rëndësishëm që udhëheqësit politikë të Tiranës zyrtare duhet të mbajnë në konsideratë në çdo marrëdhenie me Pekinin zyrtar referuar këtu zhvillimit të projekteve infrastrukturore përmes kredive.
Projekti “Një Brez, Një Rrugë” ka rënuar ekonomikisht shtete më të fuqishme dhe më të mëdha sesa Shqipëria, duket sikur i ka kthyer ato në koloni kineze që vetëm ushqejnë rrugët tregëtare të Kinës. Mësimi që duhet të nxjerim nga shtetet që kanë luajtur me zjarrin e borxhit kinez duhet të na bëjë të jemi më vigjilent si në orientimin e politikave ekonomike, por edhe në marrëdheniet tregëtare që ndërtojmë me shtetet e huaja. Sepse në të kundërt do të kishim një shkatrim të strukturës ekonomike, një goditje të financave publike dhe buxhetit të shtetit, privatizim të sektorëve nga kompanitë kineze, si dhe një ulje të prodhimit dhe konsumit brenda vendit si pasojë e borxhit dhe normës së lartë të interesit të vendosura nga bankat kineze.
Shqipëria nuk duhet ta humbasi kurrësesi orientimin e saj euroatlantik jo vetëm në vlera por edhe në zhvillimin e projekteve jetike të vendit, të cilat duhet ti bëjë me patjetër vetëm me partnerët e saj strategjik si gurë i vetëm i garancisë për të zhvilluar ekonominë dhe për të mbrojtur qytetarët e saj. /tesheshi.com/