Marrëdhëniet mes Serbisës dhe Kroacisë kanë njohur një përkeqësim të ri pasi i dyshuari për krime lufte, Vojisllav Sheshelj, e shprehu hapur sfidën ndaj urdhrit për t’u kthyer në qeli në Hagë duke i vënë flakën flamurit kroat.
Zyrtarët serbë dhe kroatë kanë kërkuar të enjten të ulin tensionet, ndërsa djegia e flamurit i hapi rrugën krizës më të rëndë politike që prej përplasjes së dy vendeve pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Sipas vetë ultranacionalistit serb, i cili e dogji flamurin në Beograd, akti ishte një përgjigje ndaj udhëheqësve kroatë që e mirëpritën urdhrin nga një gjykatë e OKB-së për krimet e luftës për prapësimin e lirimit të tij të përkohshëm.
Tribunali e pati lejuar çuditërisht Shesheljin të kthehej në nëntor në Serbi, për shkaqe shëndetësore, në pritje të të një vendimi në gjyqin ndaj tij për krime lufte gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet ’90.
Politikanët nacionalistë të të dyja vendeve shkëmbyen fjalë të ashpra pas incidentit, ndërsa Kroacia thirri ambasadorin e saj në Beograd për konsultime.
Ministrja kroate e Punëve të Jashtme, Vesna Pusiç, u shpreh të enjten se “Kroacia dëshiron t’i fashisë pasionet”.
Gjykatësit në tribunalin e OKB-së në Holandë vendosën të hënën se Sheshelji i ka shkelur kushtet e lirimit të tij të përkohshëm, dhe e urdhëruan të kthehej, gjë të cilën ai e ka refuzuar deri më tani.