Presidenti i Ruandës, Paul Kagame është rrallë i ngazëllyer dhe euforik gjatë fjalimeve të tij. Kështu, edhe gjatë paraqitjes zyrtare të smartphon-it të parë të prodhuar plotësisht në Afrikë, fjalimi i tij ishte më shumë si në një ceremoni zie, shkruan DW.
Por vetë ngjarja, e cila u shënua nga transmetimet televizive të drejtpërdrejta dhe të famshëm të shumtë, ishte një festë e shkëlqyeshme.
“Telefonat e parë inteligjentë që prodhohen plotësisht në Ruanda, dolën nga linja e prodhimit. Maraphone është një nga produktet me cilësinë më të lartë të bërë në vendin tonë”, tha Paul Kagame.
Maraphon është në dispozicion në dy variante: njëri kushton rreth 120 dhe tjetri 170 euro. Për shumë qytetarë ruandas, kjo është më shumë se paga e tyre mujore. Por presidenti Kagame është i bindur se do të ketë mjaft klientë:
“Smartphone nuk është më një produkt luksoz; është një parakusht për ne që të organizojmë jetën tonë të përditshme. Ky trend do të vazhdojë gjatë viteve të ardhshme, kur gjithnjë e më shumë shërbime do të ofrohen përmes platformave dixhitale”.
Në shumë vende afrikane, telefonat inteligjentë janë më të rëndësishëm për jetën e përditshme sesa, për shembull, në Evropë – e jo vetëm si një mjet komunikimi. Pagesat bëhet përmes tyre. Mjekët ofrojnë diagnoza në distancë përmes smartphonëve, ndërsa fermerët e përdorin atë për të zbuluar çmimet aktuale të tregut. Deri më tani, ka pasur smartphonë të montuar në Afrikë, por jo që janë prodhuar plotësisht aty.
Themeluesi i Maraphone, Ashish Thakkar, duke folur për BBC, pohon se kur bëhet fjalë për këto pajisje, është e ndryshme:
“Në rastin tonë, ka më shumë se 1.000 pjesë që janë pjesë përbërëse e telefonit. Dhe ato janë bërë të gjitha në këtë kontinent. Është me të vërtetë emocionuese. Është një markë afrikane e bërë për afrikanët edhe pjesën tjetër të botës”, theksoi Thakkar.
Ruanda është një nga vendet e Afrikës Lindore që ka arritur një rritje të qëndrueshme ekonomike vitet e fundit.
Gjithnjë e më shumë investitorë po zbulojnë këtë treg. Kështu, për shembull, vitin e kaluar Volkswagen hapi një fabrikë në kryeqytetin Kigali. Ashish Thakkar beson se ky zhvillim do të vazhdojë.
“Unë besoj se ka ardhur koha jonë. Tani është koha që Afrika të jetë jo vetëm një konsumator, por edhe një prodhues”, thotë ai, dhe shpreson që Maraphone të bëhet një markë e njohur si Apple apo Samsung. /tesheshi.com/