Kryeministri Rama përshëndeti zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB, duke shkruar e publikuar dokumentin e votimit:
“Lajm i Bukur! Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023”.
Nga ana tjetër, ministrja Xhaçka tha se me këtë rol të ri të Shqipërisë në OKB mund të kontribuohet më shumë për Kosovën.
“Avancimi çështjes së Kosovës është një shtyllë e rëndësishme e politikë sonë të jashtme.
Do mbështesim dialogun për të mbyllur një dosje tragjike në rajonin tonë por edhe duke pasur parasysh se avancimi i çështjes së Kosovës është ngushtësisht i lidhur me paqen dhe stabilitetin në Rajonin tonë”, tha Xhaçka.
Kjo arritje e Shqipërisë në planin diplomatik u përshëndet dhe nga SHBA e BE.
“Ngjarje historike! Urime Shqipërisë që u zgjodh për herë të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB. SHBA pret të punojë me Shqipërinë edhe më ngushtë në rajon dhe në botë. Urime!’, shkruan Yuri Kim.
“Ditë historike për Shqipërinë dhe popullin e saj. Urime për zgjedhjen si anëtar i Këshillit të Sigurimit 2022-2023!
Presim të punojmë edhe më ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve globale”, shkruan Soreca. /tesheshi.com/