Gjatë një aktiviteti në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryeministri Rama i mëshoi fort faktit se këtë fat duhet ta ketë shumë shpejt dhe Kosova.
“Anëtarësimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë kanë forcuar stabilitetin e Ballkanit duke mbushur vakumin pas ndryshimeve tektonike pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Në mënyrë që Ballkani të mos jetë kurrë më që influenca të vendeve të treta arrijnë që të depërtojnë deri në zemër të Europës, është e rëndësishme që edhe Kosova të bëhet pjesë e Aleancës.
Shqipëria beson se integrimi i Kosovës është një domosdoshmëri, jo për Kosovën thjeshtë, por për të gjithë familjen atlantike. Ballkani i gjithë në NATO është vizion strategjik dhe anëtarësimi i Kosovës do të ishte një kapital i shtuar“, tha Rama.
Më tej, shefi i qeverisë përmendi rastin e bazës së Kucovës, duke e cilësuar si një ndër aktet më të rëndësishme në 10 vite anëtarësim.
“Shqipëria përgatitet që të nisë veprën e rëndësishme të bazës së NATO-s në Kuçovë, që do të jetë ndër më të mëdha të aleancës në këtë rajon dhe më moderne. Do të jetë një bazë e rilindur. Një rajon që pas 100 viteve luftë, falë edhe NATO-s, Ballkani gëzon sot më në fund, një periudhë paqe, ripajtimi dhe bashkëpunimi.
Të mos e harrojmë Presidentin Kenedi, që thoshte se ‘paqja nuk është e mirë e përditshme, por një proces i pandërprerë, përpjekje e përditshme’.
Ekstremizmi i dhunshëm nuk është mposhtur, doktrina fanatike e tij nuk mund të shfaroset vetëm me forcën e armëve, por edhe mendjes dhe shembullit të kësaj aleance.
Nacionalizimi në rritje, kriza e refugjatëve, apo emigrantëve në Mesdhe dhe lufta kibernetike janë rreziqe reale. Aneksimi i Krimeve është nga dëshmitë e kësaj dukurie”, theksoi Rama. /tesheshi.com/