Ndotja e ajrit dhe çështje të tjera mjedisore as nuk ceken fare në premtimet politike, por këto janë shkaktarë të më shumë se 2 mijë vdekjeve në vit në vendin tonë.
Sipas raportit të Cilësisë së ajrit në Europë 2016, në Shqipëri vdiqën prej ndotjes së ajrit 2120 persona. Pjesa me e madhe e tyre, 2010, janë shkaktuar prej pranisë së lartë të grimcave në ajër, 10 prej tyre prej dioksidit të nitrogjenit dhe 100 prej ozonit. Në vitin 2013 numri i vdekjeve të shkaktuara nga ndotja ishte 776, raporton monitor.al.
Në rajon numrin më të lartë të vdekjeve e ka Serbia, ku prej ndotjes së ajrit në 2016 humbën jetën 10,730 persona, ndërsa numrin më të ulët të vdekjeve të shkaktuara nga ndotja e ka Mali i Zi, ku ndotja shkaktoi 660 vdekje sipas Raportit të Cilësisë së Ajrit në 2016.
Në Ballkanin Perëndimor, ndotja e ajrit po shndërrohet në një problem fatal, veçanërisht prej politikave energjetike të këtyre vendeve, shkruan Euractive.
Në vendet fqinje, Maqedoni, Malin e Zi dhe Bosnje, njerëzit kanë nisur protestat për cilësinë e ajërit që thithin, por shqiptarët akoma janë të heshtur duke mos kuptuar rëndësinë që ka kjo për jetën e tyre. /tesheshi.com/