Nga Stefano Lorenzetto, Corriere della Sera
Emri: Robert. Mbiemri: Gorelik. Mosha: 70 vjeç. Profesioni: Ish-spiun (Mund ta shkruani edhe kështu, unë nuk ofendohem. Ishte puna ime, edhe pse mbaja gradën e gjeneralit me tre yje, më thotë). Gjatë viteve 2003-2008 ishte kreu i degës së CIA-s në Itali, me seli në Romë, qytet ku vazhdon të jetojë pas daljes në pension.
“Që ditën e parë që mbërrita në kryeqytet thashë me vete: Jam në shtëpi! Unë i shoh të metat që ka Italia, megjithatë ky vend më pëlqen. Ndihem thellësisht italian, madje kam edhe nënshtetësinë. Gjatë punës time kam mbajtur deri 30 pasaporta”, shprehet ish-agjenti.
Të vërteta apo të falsifikuara?
Të falsifikuara. Sot spiunët duhet të jenë realë, pasi të dhënat biometrike do të zbuloheshin menjëherë. Gjatë punës për CIA-n, kam jetuar në gjashtë shtete, dhe kam kryer misione të fshehta në 60 shtete të tjera.
Nën cilët presidentë keni shërbyer?
Regan, Bush i vjetër, Clintoni dhe Bush i ri, i cili nuk ishte aspak budalla, pavarësisht se e fliste keq anglishten. Kam punuar për tre vite në selinë qendrore të CIA-s në Lengli, dhe kam qenë përgjegjës për degët e CIA-s në Amerikën Latine.
Në cilat shtete?
Mund të përmen dy, Peru dhe Panama.
Si u rekrutuat?
E kisha fiksim Francën, doja që ta njihja. Qëkur isha 16 vjeç u largova nga Nju Jorku për të jetuar pranë qytetit Avinjon. Një mik i familjes, një hebre i arratisur nga Gjermania naziste, që kishte qenë pjesë e OSS, Zyra e Shërbimeve Strategjike, përmendi emrin tim. Edhe gjyshërit e mi ishin gjithashtu hebrenj. Ata shkuan në SHBA nga Rusia në kohën e Carit Nikolla II. Ndërsa njëri iku në kohën e Leninit.
Cili ishte mision juaj i parë?
Në një vend komunist prapa Perdes së Hekurt. I çova një valixhe me para familjes së njërit prej agjentëve tanë, i cili u arrestua dhe u ekzekutua pa ditur gjë gruaja dhe fëmijët e tij. U shtira sikur ishte një kompensim për një policë sigurimi të dërguar nga i afërmi i tyre. Jam ende shumë krenar për atë mision.
Si hyhet sot në CIA?
Mund të aplikohet në faqen e saj të internetit. Por kjo vlen edhe për shërbimin sekret kinez MSS. Në kohën time ishte një program elitar.
A pranohen edhe të huajt?
Jo, vetëm amerikanët, ose minimumi kandidatë me shtetësi të dyfishtë.
Punësuat shumë agjentë gjatë karrierës tuaj?
Bashkëpunëtorë, jo agjentë. Ajo ishte puna ime.
Edhe gazetarët?
Vetëm njërin. E takova i maskuar me paruke, mustaqe false dhe me syze të errëta. Në një rast pata frikë se duke qenë shumë e ngushtë, parukja do më binte nga koka. Përdorimi si bashkëpunëtorë i gazetarëve dhe priftërinjve ishte i ndaluar. Për ta, duhej të merrja leje speciale nga selia qëndrore.
Gazetari i njohur italian Xhuliano Ferrara më tha njëherë se kishte marrë pagesa në dollarë nga CIA, të mbështjella në një zarf të verdhë…
Nuk e di, në atë periudhë s’kam qenë në Romë. Por është fakt se shumë bashkëpunëtorë nuk janë paguar.
A kishit një rrogë të madhe?
Kompania e parë që ngrita në Itali arkëtoi më shumë para. Por në fund të vitit ia dërgova fitimet CIA-s.
Atëherë, pse nisët punë aty?
Para se të jem amerikan, unë jam perëndimor. Ishte Lufta e Ftohtë dhe duhej mbrojtur një qytetërim. Unë kam besuar shumë tek kjo kauzë.
Cilat janë shërbimet më të mira të kundërzbulimit, përveç CIA-s?
Mossad- i izraelit dhe MI6-a britanike.
Roberto D’Agostino, më ka thënë se shumë i aftë është edhe shërbimi sekret i Vatikanit…
Nëse këtë e thotë drejtuesi i portalit Dagospia… Unë di vetëm se i kam dhënë informacione Domeniko Xhanit, në atë kohë komandanti i Xhandarmërisë, duke pasur parasysh udhëtimet e Papës. Sistemi kapilar i të dhënave që qarkullojnë midis famullive në mbarë botën i ngjan atij të karabinierëve në Itali.
A i respektonit ligjet italiane në punën tuaj si spiun?
Agjenti i CIA-s respekton vetëm ato të Shteteve të Bashkuara. Është një profesion i paligjshëm.
A e dinte familja se çfarë pune bënit?
Vetëm gruaja e dinte që isha në CIA. Dhe asaj ia tregova duke shëtitur në rrugë, nga frika se mos në shtëpi kishte pajisje përgjimi. Pastaj ua thashë dhe fëmijëve të mi, kur ishin 17 dhe 13 vjeç.
A keni jetuar me frikën se mund edhe të vriteshit?
Sigurisht që po. Dhe isha dy herë pranë vdekjes, në Amerikën Latine dhe në Afrikë. Për të mbrojtur veten mbaja një armë.
Dallimi mes jush dhe agjentit 007 në filmin Xhejms Bond?
Rregulli kryesor është shmangia e të qenit nën shenjestër. Nëse qëllon, ke dështuar.
Por a kishit leje për të vrarë?
Po, në rastin e mbrojtjes personale.
A keni pasur lidhje me gra të bukura?
E jona është një punë tradhtie. Por unë nuk kam gënjyer kurrë, as si spiun, as si bashkëshort. Besnikëria është e rëndësishme. Kam mbetur i ve që në vitin 2009, pas 30 vitesh martesë. Tani jam rimartuar me një franceze. Jetoj pak këtu në Romë dhe pak në Bruksel.
Gjithmonë në lëvizje, si Xhejms Bond…
E kaloj gushtin dhe dhjetorin me tim atë Gerin në Bruklin, Nju Jork. Nuk shkoj asnjëherë në Uashington.
Ju ishit një specialist mbi “kundër-përhapjen”, pra në pengimin e shteteve diktatoriale që të pajiseshin me armë të shkatërrimit në masë?
E saktë. Prandaj kam qenë edhe në Irak.
Megjithatë Sadam Huseini, nuk kishte armë të tilla…
Ai kishte gaze nervore të paidentifikuara, të përdorura për të shfarosur kurdët në Xhalabija. Dhe ai po synonte të ndërtonte bombën bërthamore.
A kishte lidhje CIA me rrëmbimin e Aldo Moros?
Absurde. Ministrat tanë ishin në favor të kompromisit historik. Mendoj se në atë ngjarje kishin gisht shërbimet sekrete të Gjermanisë Lindore.
Po ashtu jeni akuzuar se keni ndikuar në rrëzimin e qeverisë së Romano Prodit…
Edhe kjo është gënjeshtër. Enzo De Kiara, një miku nga SHBA, më ftoi për drekë bashkë me Klemente Mastelën dhe Serxho De Gregorion, të cilët folën për këtë skenar. Unë u habita dhe heshta. Senatori De Gregorio ia tregoi këtë gënjeshtër Silvio Berluskonit.
A i besoni Kinës dhe Koresë së Veriut?
Unë nuk i besoj askujt.
Po Vladimir Putinit?
E thashë, askujt. Është e trishtë të shohësh një vend të madh, me një histori të madhe dhe një kulturë të madhe, të njolloset nga krimet që Rusia po kryen në Ukrainë.
A do të na çojë në Luftën e Tretë Botërore?
Jo. Putini nuk mund ta përballojë dot këtë.
A jemi të gjithë të përgjuar?
Mundësia ekziston. Por shërbimeve sekrete nuk u intereson nëse unë dhe ti i dërgojmë e-maile njëri-tjetrit. Ne nuk jemi terroristë.
A është interneti një burim apo një kërcënim?
Që të dyja. Sot është më shumë një kërcënim. Mjafton të mendoni pak për teoricienët e çmendur të konspiracionit QAnon. Apo në Moskë, me informacionet e rreme të përhapura në internet për vaksinat kundër Covid, mbi Brexit, zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në Shtetet e Bashkuara dhe ato për Parlamentin Evropiane muajin e ardhshëm. Mediat sociale përdoren kudo për të ndikuar në zgjedhje.
Nga erdhi koronavirusi?
Për këtë kam biseduar me qeveri të ndryshme. Mund të jetë një evolucion i një virusi normal. S’ka asnjë provë që ai doli nga laboratori kinez në Vuhan.
Keni frikë nga Google, Apple, Facebook, Amazon, Microsoft, të ashtuquajturat GAFAM?
Jo, në fakt unë i përdor ato. Babai im prodhonte sisteme alarmi. Sot është 97 vjeç, shumë i kthjellët mendërisht, nuk di asgjë për GAFAM, dhe sheh vetëm TV. Por është sikur jeton në një planet tjetër. Unë jam shumë më i dhënë pas teknologjisë së kohës.
Po të mos ishit bërë spiun, me çfarë do ishit marrë?
Do bëhesha profesor në universitet. Dikur kam studiuar për drejtësi ndërkombëtare në Gjenevë. Falë Zotit nuk ndodhi. E doja një jetë plot veprim. Dhe këtë ma ofroi CIA.
Meqë e përmendët Zotin, a keni frikë se një ditë ai do t’iu kërkojë llogari për ndonjë krim a mëkat që keni bërë?
Unë nuk jam besimtar. Jam përpjekur për të mirën. U largova nga CIA, kur e pashë se po kthehej në një organ paraushtarak.