Banorët e lagjes “Kroi i Vitakut” të Mitrovicës nuk po lejohen që të rindërtojnë shtëpitë e djegura dhe shkatërruara nga regjimi serb. Edhe pse ka shumë vite që ka filluar proçesi i ndërtimit të këtyre shtëpive, me dhjetëra herë atyre u është dashtë që t’i ndërpresin ato, për shkak të pengesave nga strukturat paralele serbe.
Kur fillon ndonjë fazë e ndërtimit, serbët protestojnë dhunshëm duke sulmuar punëtorët e kompanive që merren me rindërtimin e këtyre shtëpive dhe në këto raste ndërhyn Policia e Kosovës dhe ajo e Eulexit (më herët e UNMIK-ut), për të “qetësuar” situatën ndalin punimet e shqiptarëve.
Rasti i fundit i pengimit të rindërtimit të shtëpive, ka ndodhur me 18 mars 2015, kur dhjetëra qytetarë serbë kanë penguar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në “Kroin e Vitakut” në Mitrovicë. Me këtë rast, punëtori i Kompanisë ‘Uniteti’, Fehmi Aliu, është sulmuar të mërkurën nga serbët gjatë kohës kur po punonte me ekskavator në rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në ‘Kroin e Vitakut’ në veri të Mitrovicës.
Sipas tij këtij punëtori, me të parë ekskavatorin në lagje duke punuar, fillimisht rreth 7-8 serbë janë tubuar menjëherë dhe kanë urdhëruar që të ndërpriten punimet, ndërsa më vonë numri tyre është rritur shumë shpejt.
“Përkundër krejt asaj që ka ndodhur sot, unë prap do të shkoj të punoj në veri, në mënyrë që shqiptarët të kthehen sa më shpejtë në shtëpitë e tyre”, theksoi Aliu për Kosovapress.
Ndërsa, Ramadan Istrefi pronar i shtëpisë, ka treguar për KTV-në se ata tashmë kanë edhe një vendim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sipas të cilit për shtëpitë e djegura në luftë, nuk duhet leje.
“Serbët na i kanë djeg shtëpitë e tash po na pengojnë t’i ndërtojmë. Sot jemi dal të punojmë në shtëpinë time, kur kemi hy në oborr kanë ardh dy fqinj, njani edhe e kanë sulmu me gurë punëtorin edhe ekskavatorin”, ka thënë Istrefi.
Banorët shqiptarë të kësaj pjesë kanë deklaruar se personi me emrin Dragotin ka qenë iniciues i gjithë kësaj ngjarje. Ndërsa si kundërpërgjigje, shqiptarët të revoltuar kanë bllokuar rrugën Suhodoll – Mitrovicë, duke ndaluar kështu qarkullimin e rrugës. Policia e Kosovë ka konfirmuar ngjarjen e ndodhur dhe sipas tyre kanë shtuar prezencën në këtë pjesë të vendit.
Kjo është përpjekja e parë për rindërtim të shtëpive të shqiptarëve në veri që nga viti i kaluar, kur u penguan nga serbët.
Banorët shqiptarë thonë se në lagjen “Kroi i Vitakut” deri më sot janë vendosur afër 80 familje serbe që nuk kanë ekzistuar kurrë në këtë pjesë dhe kanë punuar lirshëm pa kurrfarë pengesash. Ata thotë se në veri janë dy ligje, një ligj është i cili i mbron serbët e veriut dhe ligji tjetër që i shkel shqiptarët dhe i ndjek të vijnë në jug.
Në dhjetor të vitit 2014 banorët shqiptarë të ‘Kroit të Vitakut’ në veri të Mitrovicës janë penguar sërish që të vazhdojnë ndërtimin e shtëpive të tyre nga ana e inspektorëve të komunës së veriut të Mitrovicës. Strukturat paralele serbe dhe inspektorët komunalë në vazhdimësi po sabotojnë e pengojnë kthimin e shqiptarëve në veri, me përkrahjen që e gëzojnë nga strukturat e dalura në zgjedhjet e fundit.
Në lidhje me këtë situatë pati reaguar edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri gjatë një takimi me banorët e kësaj lagjeje. Ai ka thënë se askush nuk ka të drejtë të veproj në kundërshtim me ligjet dhe konventat ndërkombëtare dhe se shqiptarët kanë të drejtë të kthehen në pronat e tyre, prej nga janë përndjekur me dhunë dhe të ndërtojnë shtëpitë e tyre që u janë shkatërruar nga ekstremistët serbë.
Në anën tjetër, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, iu pati kundërpërgjigjur Bahtirit. Ai ka thënë për Kosovapress se qysh më herët ka nisur një iniciativë për ndërprerjen e proçesit të ndërtimit të këtyre gjashtë shtëpive. Sipas tij, sa i përket takimit me kryetarin e jugut të këtij qyteti dhe bisedimeve rreth kësaj çështje, ai në parim nuk është kundër takimit dhe bisedimeve, por që paraprakisht duhet të plotësohen disa kushte të caktuara.
Ai theksoi se i vetmi grup punues i cili mund të vendos rreth ndërtimit të shtëpive në “Kroin e Vitakut”, është grupi i përbërë nga përfaqësues të qeverisjes lokale të veriut të Mitrovicës, pastaj përfaqësues nga ana e vetë banorëve të kësaj lagje, si dhe përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare, dhe në asnjë mënyrë nga përfaqësues të jugut të Mitrovicës.
Rindërtimi i shtëpive e drejtë elementare
Faton Abdullahu, analist dhe profesor në kolegjin “Juridica”, në lidhje me situatën e krijuar ndër vite në këtë lagje, ka thënë për tesheshi.com se rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve është e drejtë elementare e tyre dhe se në asnjë mënyrë nuk duhet penguar. Sipas tij, serbët vazhdimisht kanë krijuar probleme në atë pjesë kur është bërë fjalë për rindërtimin e këtyre shtëpive dhe kjo gjë ndikon në situatën e përgjithshme, sepse edhe shqiptarët në zona tjera mund të përgjigjen me të njëjtën mënyrë.
“Moslejimin e ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në veri të Mitrovicës duhet parë gjithsesi edhe në kuadër të lirive dhe të drejtave të njeriut. Ky moslejim apo thënë ndryshe kjo mosgatishmëri për t’i përkrahur ata që të bëjnë diçka aq normale, është neglizhencë apo më saktë shkelje e të drejtave elementare të njeriut. Me asgjë nuk mund të vërtetohet se me shfrytëzimin e kësaj lirie po mëtohet popullimi jo i natyrshëm i asaj pjese të Kosovës.
Fundja nëse nuk ua sigurojmë shqiptarëve ta shfrytëzojnë këtë të drejtë në atë pjesë të Kosovës, si mund të kërkojë mandej dikush mirëkuptim nga qytetarët shqiptarë të Kosovës që të lejojnë që serbët të ndërtojnë shtëpia në vende të ndryshme të Kosovës ku ata do të dëshironin një gjë të tillë. Thjeshë kemi të bëjmë me qasje jo pragmatike e cila sipas një parim zinxhiror i dëmton të gjithë në Kosovë”, thotë Abdullahu.
Shqiptarët e lënë “jetim” ndër vite nga qeveria e tyre
Që nga paslufta institucionet e Kosovës nuk i kanë përkrahur sa duhet qytetarët e veriut të vendit dhe t’u garantojë të paktën rindërtimin e shtëpive të tyre. Ndërsa në anën tjetër qeveria serbe në vitin 2007 ka investuar në ndërtime të blloqeve banesore dhe popullimin e kësaj pjese me serbë, si dhe ka stimuluar pjesën tjetër të serbëve që të mos e braktisë veriun. Pra Qeveria e Serbisë ka kohë që ka startuar me zgjerimin e kolonive serbe në veri.
Pra, në veriun e Mitrovicës ndërtohen banesa kolektive serbe, por nuk lejohet ndërtimi i shtëpive dhe banesave individuale të shqiptarëve në lagjet veriore të qytetit. Ndërtimi dhe rindërtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara nga forcat serbe është penguar vazhdimisht nga UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet tjera.
Duke e parë këtë situatë dhe mos përkrahje nga Qeveria e Kosovës për shqiptarët e asaj pjese të vendit, ka fituar terren qeveria serbe, duke blerë shtëpitë e shqiptarëve dhe rrjedhimisht duke i larguar nga ajo pjesë për të mundësuar vetëm që serbët të jenë dominantë.
Dukuria e braktisjes dhe shitjes së shtëpive dhe të pasurisë së patundshme të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, pati marrë dimensione alarmante, madje ky proces tashmë është në përfundim. Që nga fillimi i zbatimit të këtij procesi, institucionet qeverisëse të Kosovës kanë bërë fare pak për pengimin dhe parandalimin e kësaj dukurie. Vetë fakti i blerjes së banesave dhe pasurisë së patundshme të shqiptarëve në mënyrë të organizuar nga Qeveria e Serbisë me çmime astronomike, lë të kuptohet se ky proçes ka prapavijë të thellë politike.
Në këtë aspekt njihet rasti i Ali Kadriut, i cili ka refuzuar shitjen e shtëpisë së tij. Duke e parë këmbëngulësinë e tij, serbët i kanë ofruar 1 milion e 200 mijë euro për ta shitur shtëpinë e tij, por ai e ka refuzuar edhe këtë ofertë dhe ka insistuar që ta rinovojë shtëpinë dhe mos të shpërngulet nga ajo pjesë. Atë e kanë penguar disa herë serbët që ta rinovojë shtëpinë, por asnjëherë nuk është dorëzuar. Por një pjesë e madhe nuk kanë mundur të rezistojnë sa Ali Kadriu, ata të braktisur nga Qeveria e Kosovës në këtë aspekt i kanë shitur shtëpitë e tyre për një jetë me të rehatshme dhe me të sigurt për fëmijët e tyre. /tesheshi.com/