Në mars të vitit 1974, fermeri Yang Zhifa, së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe fqinjin Wang Puzhi, po gërrmonin një pus në një fushë të mbjellë me shegë e hurma në kryeqytetin e provincës Shaanxi në Kinë. Lopatat e tyre goditën një kokë prej balte të pjekur, të cilën ata e morën gabimisht për një imazh të Budës. Brenda pak muajve, ekipet e arkeologëve dhe zyrtarëve mbërritën në vendngjarje…
Ajo që fermerët gjetën rastësisht, u provua të ishte një nga zbulimet më të mëdha arkeologjike të shekullit të njëzetë. Varrrosur poshtë fushave gjendeshin me mijëra luftëtarë prej terrakote në madhësi natyrale njerëzore e të detajuar, që datojnë nga shekulli i tretë para erës sonë, nga epoka e sundimit të Qin Shi Huang, perandorit të parë të Kinës së bashkuar.
Ndoshta ishte me shumë fat që kjo ushtri nëntokësore u zbulua në fund të Revolucionit Kulturor të Mao Cedunit. Në vitin 1969, Rojet e Kuqe kishin kryer një sulm shkatërrimtar mbi varrin nëntokësor të perandorit Wanli (1563-1620) jashtë Pekinit. Skeleti i perandorit dhe dy perandoreshave të tij u zvarritën drejt portës së varrit, u denoncuan publikisht dhe u dogjën. Kjo ishte disa vjet përpara se republika e Popullit të niste investimin në turizëm dhe në muzeume të reja: 4 mijë të tilla që nga rënia e yllit të Revolucionit Kulturor në vitin 1976.
Disa nga luftëtarët tashmë do të përfaqësojnë Kinën mes 160 punimeve të tjera në ekspozitën “Epoka e Perandorive” në Nju Jork. Edhe në këtë rast, pritet një numër i madh vizitorësh.
Luftëtarët, ndërkaq, janë me të vërtetë të veçantë. Varrosur në formacion luftimi në llogore të kufizuara me tulla, secili prej tyre duket se ka karakteristikat e veta, edhe pse në fakt fytyrat e tyre me mustaqe janë krijuar nga dhjetë formate bazike. Në formën origjinale, ata kanë qenë të lyer me ngjyra të forta të kuqe, blu, rozë dhe të artë, por sot legjionit të ushtarëve të perandorit u ka dalë disi boja. Koha dhe ndikimi i kushteve të motit u kanë vjedhur atyre po ashtu, edhe armët e vërteta që mbanin dikur.
Në mënyrë misterioze, numri i plotë i luftëtarëve dhe armaturës së tyre sugjeron se ata janë bërë përmes ndonjë forme të hershme të prodhimit në masë. Dhe, megjithatë, a mund të kishim pritur ndonjë gjë më pak nga Qin Shi Huang, mbreti i ri dinamik që bashkoi Kinën në shekullin e 221 para erës sonë dhe farkëtoi perandorinë e tij të pamatë përmes vendosjes së sistemeve unike të të shkruarit, parave, peshës dhe masës së bashku me hapjen e kanaleve dhe rrugëve të mira? Për të mbrojtur kufirin e tij verior, perandori nisi edhe ndërtimin e Murit të Madh të Kinës.
Tepër ambicioz, Qin Shi Huang kërkoi jetë të përjetshme. Ai nisi të dërguarit e tij jashtë vendit, për të mos u kthyer kurrë, në kërkim të ndonjë porcioni magjik. Pasi kishte dëgjuar për mbretër e magjistarë të kohëve të vjetra që kishin jetuar 10 mijë vjet duke gëlltitur cinnabar apo sulfat mërkuri, perandori nisi të pinte sasi të madhe vere të ëmbëlsuar me mjaltë e të shtuar me mërkur.
Deri në kohën që ai vdiq në moshën 39-vjeçare, me gjasa nga helmimi me mërkur, Qin Shi Huang kishte përfunduar varrin e tij kolosal nëntokësor. Nëse ai nuk do ishte në gjendje të sundonte përjetë kur ishte gjallë, atëherë do të ishte perandor deri në fund të kohës në pasvdekje.
Përmasat e mazoleumit të perandorit kinez, madhësia e qytetit të madh antik mbeten befasues, në qendër të tyre ndodhet një piramidë që dikur ngrihej deri në 100 metër. Më pak se gjysma e kësaj lartësie në ditët e sotme, piramida mbetet gjithsesi qartësisht e dukshme. Sipas traditave kineze, ajo formon syrin e një peisazhi tërë dredha që duhet parë si një dragua.
Ndërsa sa i takon 8 mijë luftëtarëve prej argjile, ata – duke qëndruar në rreshta pas vetë varrit – janë rojet e sekreteve të perandorisë nëntokësore të Qin Shi Huang. Dhe sekretet janë aty për të mbetur të tilla, edhe për shumë e shumë vjet, pasi varri mbetet i vulosur. Një lumë mërkuri dhe rrema të kryqëzuar gati për zjarr thuhet se ruajnë varrin
Arkeologët dhe muzeologjistët në të gjithë botën bien dakord se hapja e varrit do të ishte një katastrofë, pasi ekspozimi ndaj ajrit do ta dëmtonte në mënyrë të pariparueshme. Në gërrmimet e para për të zbuluar luftëtarët prej balte, shtresa e llakut në fytyrat dhe uniformat e pikturuara të tyre, u rrudhos brenda 15 sekondash. Më shumë sesa kjo, sipas historianit të shekullit të 2-të, para erës sonë, Sima Qian – përshkrimet e të cilit për mazoleumin u provuan të ishin shumë më të sakta sesa mendonin historianët modernë dikur – lumenj mërkuri rrethojnë dhomën e varrosjes së perandorit. Nëse hapet, varri do të ishte një vend i pabesë. Studime të fundit tregojnë se toka aty përban përqëndrim habitshëm të lartë të mërkurit, edhe pse mënyra sesi këshilltarët e perandorit mund të kenë prodhuar kaq shumë metal të lëngshëm, mbetet një hamendësim.
Nëse askush nuk ka dëshirën të hyjë, apo madje të kqyrë varrin nga frika e dëmtimit të thesareve që me siguri gjenden brenda tij, ka edhe arsye të tjera që i mbajnë arkeologët larg. Sipas Sima Qian, harqe mekanikë ruajnë hyrjet dhe kalimet. Po a ekzistojnë ato? A janë kalbur me kohë, apo me mbështjelljen e kromuar mund të dërgojnë ende shigjeta vetëtimthi përmes errësirës mbi gjokset e atyre që do ishin “Indiana Xhonsët” e kësaj aventure?
Derisa të zbulohen teknika të reja, sekretet e varrit të Qin Shi Huang do të mbeten një mister përndjekës. Ndërkohë, ushtria e luftëtarëve prej terrakote gjetur pas varrit, është e veshur plot me supozime, po ashtu. Ndërsa u gërrmua edhe më tej gjatë viteve 1970, u zbuluan luftëtarë në kuaj dhe karroca të ngara nga kuaj po në madhësi natyrale, së bashku me figura të gjeneralëve dhe zyrtarëve të rangjeve të larta. Ushtarët e këmbësorisë me xhaketat e mbërthyera me kopsa –kaq të njohur për vizitorët e muzeumeve – në mënyrën e tyre të veçantë luftëtarë prej terrakote kanë pushtuar botën. Atyre ui janë bashkuar në vite harkëtarë të gjunjëzuar, kalorës me shtiza në dorë, njerëz me fizik të fuqishëm, akrobatë, kërcimtarë, muzikantë dhe skulptura të mrekullueshme mjellmash, rosash dhe lejlekësh.
Mostra të ADN-së, të marra nga një numër skeletësh sugjerojnë se një pjesë e forcës punëtore të perandorit ishin me origjinë europiane. A ia kishin treguar grekët e lashtë kinezëve sesi të gdhendnin figura dhe kuaj po aq të mrekullueshëm sa edhe Fidia e studioja e tij, kur gdhendën dekorin e Partenonit në shekullin e 5 para erës sonë në Athinë? Me siguri asgjë e ngjashme me luftëtarët prej terrakote dhe kuajt e kavalerisë së tyre nuk ishin parë në Kinë, deri përpara ndërtimit të mazoleumit të Qin Shi Huang.
Tashmë vetëm mund të presim për të zbuluar më shumë nga ky vend i mrekullueshëm, sekretet e para të të cilit u zbuluan nga Yang Zhifa, vëllezërit e tij dhe Wang Puzhi 43 vjet më parë. Në kundërshtim me ushtarët e terrakotës, të gjithë këta kanë qenë në betejë për mbijetesë – fermerët fituan pothuajse asgjë nga zbulimi i tyre. Për interesa të turizmit, atyre iu mor edhe toka. Në vitin 1997, Wang Puzhi i mundur nga varfëria dhe sëmundjet, vari veten. Brenda tre vjetësh, Yang Wenhai dhe Yang Yanxin, të papunë dhe jo në gjendje të përballonin mjekimin, vdiqën në fillim të të pesëdhjetave.
Në vitin 2007, Liu Xiquin, gruaja e Yang Quanyi, shtëpia e familjes së të cilit u shemb, tha për “South China Morning Post”, se bashkëshorti i saj druhej se së bashku me vëllezërit e tij “mund të kishte ndjellë fatkeqësi në një farë mënyre, dhe ende mendon se ndoshta ushtarët duhet të ishin lënë poshtë tokës”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/