Nga Burak Elmali, Daily Sabah
Mbrëmjen e 26 majit, Izraeli nisi sulmet ajrore mbi një kamp refugjatësh në verilindje të Rafahut, ku gjendeshin mijëra civilë palestinezë të zhvendosur, të cilët jetonin në tenda. Raportet e para folën për mbi 40 civilë të vrarë, të djegur të gjallë. Zona nuk ishte ndër ato të përcaktuara paraprakisht për evakuim nga ushtria izraelite.
Ky akt mizor nxori qartazi në pah brutalitetin e pamëshirshëm të luftës gjenocidale gati tetë-mujore të Izraelit në Gaza. Po ashtu, ky akt është një episod që e godet fort rendin botëror liberal, në të cilin një Perëndim bashkëfajtor me Tel Avivin, shpall si prioritet mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Me këtë zhvillim mizor, dhe grimcat e fundit të besueshmërisë së këtij të ashtuquajturi rend liberal, janë djegur së bashku me kufomat e refugjatëve të gjorë palestinezë.
Që nga fillimi i tij, ky “rend” ka bërë shumë pak për të mbështetur paqen globale. Pushtimi izraelit është produkt i drejtpërdrejtë i këtij sistemi, i cili tashmë ka mbërritur në fund të afatit të përdorimit.
Që në muajt e parë të konfliktit në Gaza, Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e tij, veçanërisht Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), kanë kërkuar vazhdimisht armëpushim. Padia e paraqitur në GJND nga Afrika e Jugut kundër Izraelit për krime lufte e ka rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin global.
Në dallim nga opinionet me natyrë këshilluese, si vendimi i vitit 2004, vendimet e këtij viti më 26 janar dhe 28 mars, deklaronin qartë se Izraeli duhet të marrë të gjitha masat për të ndalur sulmet, duke përmendur rreziqet e gjenocidit dhe të spastrimit etnik.
Më 24 maj, gjykata vendosi se Izraeli nuk kishte respektuar masat e mëparshme të përkohshme, ndaj urdhëroi përfundimin e menjëhershëm të operacionit të tij ushtarak në Rafah. Ky vendim, i miratuar me 13 vota pro dhe vetëm dy kundër, erdhi vetëm disa ditë përpara sulmeve të fundit tragjike të natës së 26 majit, të cilat shërbejnë si një testament i zymtë i rënies së ligjit ndërkombëtar humanitar, por edhe i rendit liberal që supozohet se e mbështet atë.
Edhe pse vendimet e GJND-së janë ligjërisht të detyrueshme, dhe mund t’i dërgohen Këshillit të Sigurimit të OKB-së për masa të mëtejshme që synojnë zbatimin e tyre, Izraeli mbetet i mbrojtur në mënyrë të pakushtëzuar nga sponsori i tij, Shtetet e Bashkuara, që e kanë përdorur historikisht të drejtën e vetos për të mbrojtur shtetin hebre nga çdo pasojë e mundshme në skenën ndërkombëtare.
Pushteti mbi parimet
Në vazhdën e gjenocidit të vazhdueshëm në Gaza që nga 7 tetori 2023, është thelbësore që të sqarohen keqkuptimet e shumë-përhapura në lidhje me rendin global aktual. Shumë analistë besojnë se këto struktura ndërkombëtare – të cilat sillen rreth ligjit, ndihmës humanitare, mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes – duhet të mbështeten tek idealet më të larta. Megjithatë, realiteti është krejtësisht i ndryshëm. Rendi global aktual, është një strukturë e krijuar për të pasqyruar interesat e të fuqishmëve, i ndërtuar enkas për të mbetur i pafuqishëm kur bëhet fjalë për t’i kërkuar llogari anëtarëve të tij më me ndikim.
Në vend se të garantojë drejtësi, ky sistem përjetëson ligjin e xhunglës ku “forca përcakton atë çfarë është e drejtë”, dhe që përfaqëson një distancim të dukshëm nga themelet e dikurshme të rendit ndërkombëtar.
Bota ka përjetuar një skenar të ngjashëm gjatë sanksionimit të njëanshëm të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Mesme (UNRWA). Me gjithë akuzat e nxituara dhe të paverifikuara kundër saj për marrëveshje me Hamasin, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj kësaj organizatë ndërkombëtare pa një proces të rregullt.
Kjo situatë nxjerr në pah një hipokrizi të dukshme: kjo strukturë humanitare ndërkombëtare, e cila u ngrit dikur të mbrojtur refugjatët palestinezë në kohë paqeje dhe lufte, ishte “qengji që u flijua” për të mirën e Izraelit. Ndaj, historia e konfliktit izraelito-palestinez, është plot me raste kur idealet e rendit ndërkombëtar liberal dhe institucioneve të tij janë shpërfillur hapur: nga heshtja gjatë katastrofës së Nakba-s në vitin 1948, tek indiferenca ndaj thirrjeve për të njohur kufijtë e vitit 1967, tek dhuna jo-proporcionale kundër protestave paqësore si Intifada e Dytë dhe Marshimi i Madh i Kthimit, e deri tek heshtja shurdhuese pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023.
Shqyrtimi i kësaj historie gati shekullore përmes thjerrëzave të rendit liberal, na tregon një model:vetë parimet që synojnë t’i shërbejnë paqes globale, janë injoruar vazhdimisht nga ata që e ngritën këtë rend. Sipas funksionimit të tij aktual, ky sistem është një ndihmë për regjimin pushtues sionist dhe një fatkeqësi për palestinezët, të cilët shohin se aspiratat e tyre për të pasur shtet të tyrin po zbehen vit pas viti.
Një rend global në kaos
Rendi global aktual, është zhytur në mënyrë të pamohueshme në një gjendje kaosi. Ndaj është thelbësore të merren parasysh pasojat e ardhshme të këtyre zhvillimeve. Kur flasim për një rend global, ne i referohemi normave dhe fuqive që i zbatojnë ato.
Rendi liberal, ka funksionuar më shumë si një organizëm perëndimor sesa si një institucion i vërtetë ndërkombëtar. Thirrjet për reforma dhe zërat kundërshtues ndaj tij po rriten gjithnjë e më shumë, dhe shtetet do të detyrohen të përballen gjithnjë e më shumë me kostot që do të vijnë nga shpërfillja e këtyre thirrjeve.
Në librin e tij “Kina e inkorporuar: Politika e një bote ku Kina është numri një”, Kerry Brown shkruan: “Botëkuptimi kinez nuk është vetëm hibrid në një mënyë unik, por mbi të gjitha është shumë përjashtues. Kjo e bën më të vështirë, dhe jo më të lehtë, krijimin e një grupi vlerash që pjesa tjetër e botës mund t’i adoptojë, dhe më pas të qeveriset prej tyre”.
Megjithatë, po bëhet e qartë se edhe pjesa tjetër e botës nuk është e gatshme të vazhdojë të adoptojë dhe të qeveriset nga të ashtuquajturat vlera perëndimore, të cilat janë bërë të tepërta, dhe që kanë pasur një përkufizim shumë përjashtues mbi “njerëzit” dhe “humanizmin”, kur kemi të bëjë me të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare.
Srebrenica, Ruanda, Iraku, Jemeni, dhe shumë raste të tjera janë plasaritjet e të shkuarës në rendin që tani po shkon drejt kolapsit. Sistemi ndërkombëtar, po kalon nga një monopol perëndimor njëpolar tek një strukturë më shumëpolare.
Dhe ky tranzicion do të sjellë pashmangshmërisht sfida dhe kosto. Konflikti i Gazës, përfaqëson një pikë kthese në këtë periudhë tranzicioni, duke theksuar qartë të metat dhe kontradiktat e sistemit aktual. E ardhmja do të duket shumë më ndryshe nga sot.