Kryeministri Rama është treguar më së fundi realist, duke mos qenë optimist për hapjen e negociatave javën e ardhshme. E ka shoqëruar këtë sërish duke thumbuar BE-në, gjatë një interviste për Irish Times.
“Nuk ka shumë për të qenë optimistë me atë që po ndodh sot në Evropë. Unë jam optimist për të ardhmen e vendit por jo për atë që do të ndodhë javën e ardhshme. Kur ka bomba diku dhe një kopsht goditet, ne jemi kopshti”, tha Rama.
Ai tentoi të vërë në dukje paradoksin e qasjes eurpiane ndaj Shqipërisë, duke u shprehur: “Ne e pastruam aq shumë sa gjykata Kushtetuese është fshirë praktikisht. Dhe tani ata (BE) thonë: ‘Mirë, ju e pastruat por nuk keni gjykatë Kushtetuese'”.
Në arsyetimin e Ramës, Shqipëria duhet të gjykoheyt pas 10 vitesh e jo sot, me bindjen se një tjetër Shqipëri do jetë atëhere.
“Ne nuk po kërkojmë të jemi anëtarë të BE javën tjetër. Ne e dimë se nuk mund ta bëjmë atë pa një gjykatë Kushtetuese. Ne po kërkojmë të fillojnë bisedimet e pranimit, që mund të vazhdojë mbase 10 vjet. Pra, atëherë na gjykoni. Pas 10 vitesh do të jetë një vend tjetër dhe do të kemi një shtet që funksionon krejtësisht ndryshe. Unë jam shumë i sigurt për këtë”. tha shefi i qeverisë shqiptare. /tesheshi.com/