Kryeministri Rama ia delegoi Spiropalit sqarimin e çështjes së kthimit të shtetasve shqiptarë të mbetur në kampet siriane, në një interpelancë të kërkuar nga 8 deputetë të opozitës brendaparlamentare.
Kjo gjë irritoi këta të fundit, ku deputeti Andi Përmeti tha se “kryeministri ka të drejtë ta delegojë kur interpelanca kërkohet me kryeministrin, por unë e kërkova interpelancën me zotin Rama si ministër, pra ministri nuk ka të drejtë ta delegojë interpelancën”. Kjo, si reagim ndaj arsyetimit të kryeparlamentarit Ruçi, sipassë cilit, “kryeministri që është edhe ministër i Jashtëm, është e drejtë e tij ka delegojë nëse e ka të pamundur ardhjen në parlament”.
Më tej, Spiropali zbuloi faktin se për arsye objektive qeveria dështoi në një operacion kthimi në fund të gushtit. Gjithçka do të ndoshte sipas modelit kosovar.
“Po bëjmë detyrën për t’i shpëtuar sipas modelit të Kosovës. Janë identifikuar shqiptarët, përfshirë fëmijët e lindur atje. Duke pasur parasysh mungesën e strukturave në zonën e konfliktit, kontaktet janë vendosur me partnerët në korrik dhe gush. Në fund të gushtit u diskutua për një operacion të mundshëm.
Pas propozimit të planit për transferimin në struktura të specializuara për transportin drejt Shqipërisë, situata ndryshoi pasi u ndez konflikti duke ngrirë operacionin. SHBA u tërhoq dhe pati luftime të forcave turke në terren. Aktualisht një grup operacional po rivendos kontaktet në terren dhe po peshon mundësinë për të riatdhesuar shqiptarët pas roleve të ndryshuara të aktorëve në terren”, tha zëdhënësja e qeverisë, njëherësh ministre për parlamentin.
“Situata në Siri është tejet e komplikuar”, shtoi Spiropali, duke bërë më tej një rezyme të gjendjes së shqiptarëve të mbetur në zonat e nxehta të konfliktit.
“Shqiptarët kanë kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme, ndërsa kanë ndryshuar edhe emrat, duke e bërë të vështirë identifikimin. Shqipëria është duke bërë gjithçka është e mundur për të kthyer fillimisht gratë dhe fëmijët. Hapat e ndërmarrë nuk mund të bëhen publike, pasi do të ishte e papërgjegjshme, pasi do të vinte në rrezik operacionin. Duke zbuluar identitetin e tyre i ekspozojmë përpara një rreziku vdekjeprurës. Për pasoja do u lutesha mos të kompromentojmë situatën dhe jetën e personave që po përpiqemi t’i shpëtojmë. Ju garantojmë se institucionet e përfshirë po bëjnë detyrën me profesionalizëm pa zhurmë dhe bujë”, tha Spiropali.
Çështja e fatit të shtetasve shqiptarë të mbetur në Siri, kryesisht gra e fëmijë, mbetur atje pasi rrugëtuan familjarisht me iluzionin se një shtet islam ishte themeluar atje e jo domosdoshërisht për të luftuar, u riaktualizua nga rasti i Alvinit. Ky, një i mitur shqiptar me nënë të vrarë e baba në Itali, u takua me këtë të fundit në kushte izolimi në kamp, pa mundur të ribashkohen babë e bir. /tesheshi.com/