Nga Blendi Gashi
Me t’u dhënë lajmi pasditën e 4 janarit për arrestimin e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë nga INTERPOLI me urdhër-arrest të Serbisë kanë vërshuar reagime të shumta jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri.
Por çuditërisht Lidhja Demokratike e Kosovës që drejtohet nga Isa Mustafa është e vetmja parti politike që nuk ka reaguar përmes një kumtese, siç bën të gjitha subjektet tjera, në mesin e tyre edhe PDK ku arrestimin e Haradinajt e cilëson si një betejë politike të Serbisë kundër shtetit të Kosovës dhe politikës së saj.
Përmes postimeve në profilet e tyre në Facebook reaguan edhe presidenti Hashim Thaçi e kryekuvendari Kadri Veseli duke e quajtur arrestimin e Haradinajt të papranueshëm dhe kërkuan lirimin e shpejtë të tij.
Por, Mustafës siç duket i ka mjaftuar një reagim i qeverisë dhe deklarimi i sotm në mbledhjen e ekzekutivit, pasi ai nuk ka marrë mundin të shkruaj dy-tri fjalë në Facebook-un e tij, derisa nuk heziton për raste të ndryshme të bëj një gjë të tillë.
Se pse ka zgjedhur Mustafa të hesht ai personalisht dhe partia që udhëheq e di më së miri ai.
Por opinion e di se kreu i LDK-së ka pasur raporte të mira me Haradinajn gjatë kohës së të ashtuquajturit blloku VLAN, por që marrëdhëniet e tyre u ftohën pikërisht pas largimit të Mustafës nga ky bllok dhe lidhjes së koalicionit me PDK-në e Thaçit.
Asnjë reagim as nga bashkëpunëtorët më të afërt të Mustafës
Jo vetëm Mustafa por edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë kanë zgjedhur heshtjen për arrestimin e Haradinajt.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit që është tejet aktiv në media dhe nuk lë pothuajse gjë pa komentuar nuk e ka bërë asnjë koment për rastin në fjalë.
Njëjtë kanë vepruar edhe sekretari i LDK-së Ismet Beqiri, dhe nënkryetarët e kësaj partie Lutfi Haziri, Agim Veliu e Haki Rugova.
Reagojnë veç deputetja Osmani e deputeti Bulliqi
Të vetmit që kanë reaguar nga kjo parti janë deputetët kundërshtarë të Mustafës. Bëhet fjalë për deputeten Vjosa Osmani e Shpejtim Bulliqi që përmes shkrimeve në Facebook e kanë dënuar ndalimin e Haradinajt.
Deputetja Osmani thotë se nëse qeveria aktuale vazhdon me qasjen e deritanishme reaktive ndaj veprimeve të Serbisë, fatkeqësisht do të ketë edhe raste të shumta të tilla në të ardhmen.
Ajo thotë se është momenti i fundit që qasja jonë në dialog të ndryshojë dhe mos të keqpërdoret vullneti i mirë dhe konstruktiviteti i Kosovës.
Kurse Bulliqi, ka shtruar pyetjen se çfarë kanë bërë në Bruksel pala kosovare e cila tash e disa vite me radhë po e përfaqëson shtetin në bisedimet me Serbinë?.
Zërin e tyre për arrestimin e Haradinajt e kanë ngritur shumë deputet të PDK-së, VV-së e NISMA-s, të cilët kanë kërkuar lirimin e tij.
Ndryshe, sot AAK do të organizojë një marsh protestues, për të kundërshtuar ndalimin e liderit të të tyre nga autoritetet franceze.
/tesheshi,com/