Nga Anila Dushi
Natyra, sidomos ajo e virgjër, me bukuritë që të afron, tërheq mjaft të apasionuar që shohin tek ajo strehën e sigurt për të jetuar në qetësi e prehje shpirtërore, ndërsa shpesh i motivon për të qenë më të dashur e më paqësorë. Jemi mësuar të shohim kryesisht të huaj që vijnë e eksplorojnë mallet shqiptare, bukurinë e ntyre në çdo stinë. Por nuk janë vetëm të huajt ato që e vlerësojnë natyrën, kërkimin e së magjishmes në të. Ka dhe shqiptarë, tek të cilët ky pasion është realitet dhe jo vetëm dëshirë. Madje ata janë të profesioneve të ndryshme që në dukje nuk kanë lidhje me natyrën.
Një i tillë është Ndriçim Ciroka, që nuk është as biolog, as gjeograf, por ekonomist e psikolog. Ka mbaruar studimet e larta jashtë vendit, në Turqi. Jep mësim në Universitetin e Shkodrës, Psikologji, ku është në mbrojtje të gradës Doktor. Por pasioni i tij është eksplorimi i natyrës,veçanërisht i peisazhit malor. Ndriçim Ciroka është 32 vjeç, por ka shëtitur në këmbë thuajse gjithë alpet e bjeshkët e veriut të vendit. Përveç kësaj është dhe amator i hipizmit, ka dy kuaj që i lë tek një mik dhe me to kalëron në zonat rreth liqenit të Shkodrës. Kanë qenë vitet 2002 -2003 , ku i angazhuar me projektin e Parkut Bllkanik të Paqes ka vizituar bjeshkët e veriut, ndërsa shprehet se nuk e kishte menduar se ky ishte fillimi i një pasioni që nuk do i ndahet.
Natyra i ka pëlqyer gjithmonë por nuk i kishte shkuar ndërmend se lidhjet me të do ishin të tilla sa disa herë gjatë vitit niset dhe me këmbë eksploron Thethin, Vermoshin, Valbonën, Rugovën, Bjeshkët e Namuna, Jezercën etj. Magjia e Alpeve, brenda e jashtë kufirit shtetëror, biodiveriteti i natyrës, mikëpritja e njerëzve të thjeshtë, janë ato që kanë bërë që Ndriçimi të mos i ndahet këtij pasioni.
“Unë kam studiuar për menaxhim, kam titull master dhe jam në proçes doktorature, por ajo që ndjej duke ushtruar alpinizmin dhe pse nuk përdor litarë, është e rrallë”, thotë aid he shton: “Paralelisht me bukurinë e virgjërinë e zonave që kam shkelur me këmbë, kam ndeshur dhe bujarinë e njerëzve të thjeshtë, udhërrëfyesve që na drejtojnë nëpër shtigje, barinjve që verës mbajnë bagëtitë në bjeshkë, mikëpritjen e banorëve si në Vermosh, ashtu dhe në bjeshkët e Ruzhajës, në Dacaj, Buxhov etj. Kjo ka bërë që sa herë kam mundësi të promovoj alpinimin e mrekullinë e eksplorimit të natyrës. Kam zbuluar se ato që merren me këtë aktivitet, gradualisht fitojnë vetinë e rezitencës, dëshirës për sukses, ecjes përpara dhe mosdorëzimit para vështirësive dhe pengesave në jetë. Por njohin dhe një këndvështrim tjetër të territorit, ndihen mirë dhe mësojnë për lidhjet mes rajoneve që u përkasin, vendeve të ndryshme por që kanë ngjashmëri e afërsi territoriale, zonat malore të përbashkëta”.
E ndërsa flet për mrekullinë që i fal eksplorimi i natyrës, shton se për të stina e dimrit është po aq atraktive sa vera, por tregon dhe të papriturat e vështirësitë që ndeshen por që edhe ato kanë bukurinë e të veçantën e tyre.
“Bashkë me disa shokë të mi ishim në Jezercë dhe vendosëm çadrën ku do flinim natën. Kërkuam të ndiznim zjarr për t’u ngrohur por nuk gjetëm asnjë shkop a thupër. Janë me të vërtetë Bjeshkë të Namuna. Unë nuk dal vetëm në këtë zona por i shoqëruar. Marrim udhërrëfyes, banorë të zonës që i dinë rrugët. Për ato vende ku kam qenë disa herë dhe i di shtigjet e rrugët, si Theth-Vuthaj, Theth- Valbonë etj. nuk marr udhërrëfyes. Dimri është i frikshëm prej kafshëve të egra. Personalisht kam parë gjurmë të arushës dhe gurë të rrokullisur prej saj, pasi dimrit ajo kërkon ushqim pas gurëve ku ka insekte. Në një rast, tre kaproj të trembur nga udhërrëfyesi që po kërkonte shtegun, na kanë kaluar me shpejtësi para nesh, ndërsa dhitë e egra duke nuhatur lëvizjet tona nëpër shtigje malore, na hidhnin gurë nga sipër. Me ujqër nuk jam ndeshur. Ka qenë një shok i imi, i njohur për eskplorimin e natyrës, Fatos Lajçi, i cili në një rast është rrethuar nga ujqërit dhe ka hipur në një bredh. Ka qëndruar sipër por temperature -20o C, ka bërë që trupi të fillojë t`i ftohet. Ka prerë një copë nga rrobat si dhe dorën e tij. Copën e prerë e ka lyer me gjakun e vet dhe ua ka hedhur ujqërve poshtë pemës. Ato janë marrë me të dhe më pas janë larguar. Këto janë gjëra që mund të ndodhin. Mua më ka ndodhur një rast në Curraj të Epërm. Kishim etje dhe pamë një burim të vogël që nxirrte ujë shumë pak, pikë-pikë. Afrohemi por shohim se tek burimi ishte një gjarpër i madh, një tjetër ishte poshtë dhe një i tretë rreth 4 metra më tej. Nuk mundëm të pimë ujë. Ndonëse marrim ujë me vete rrugës, ai na mbarohet pasi duke lëvizur konsumojmë energji dhe në zonat me borë mbushim shishet e boshatisura me borë të pastës nga shtresat e poshtme dhe kur shkrihet e pijmë”.
Maja e Arapit, Qafa e Pejës, Bjeshkët e Çeremit, Maja e Kullacës etj, janë sa të vështira aq dhe të bukura. Ndriçimi kujton një rast që i ka tërhequr vëmendjen, tek “shpella e erës”, ku thotë se i vinte një erë si të ishte gaz helmues: “Ndjenja e zbulimit të panjohurës tek natyra, udhëtimi drejt saj ka të veçantën e saj. Të inkurajon e forcon pasi kur nisesh në ato zona, nuk kthehesh dot por do vazhdosh me durim të ecësh më tej. Pra nuk lihet dot përgjysmë.
Përveç pajimeve përkatëse që i ka personale, Ndriçimi rrëfen se merr me veta harta dhe bën që më përpara grafikun e lëvizjes, po ashtu kamera dhe aparati fotografik janë të përhershëm. Në mjaft shtigje përdorin kalë ose mushkë për të vendosur pajimet, ndërsa ecja bëhet në këmbë.
“Në Curraj të Epërm, nuk ka pasë asnjëherë rrugë dhe për të shkuar atje i kam rënë nga sipër, nga Lekbibaj duke ecur 16 orë, madje dhe nëpër tunele borë. Në një shteg kemi shkarkuar mushkën dhe dy udhërrëfyes e kanë mbajtur njëri nga koka tjetri nga bishti deri sa kaluam, pasi poshtë ishte humnerë. Por në këto udhëtime eksplorohet jo vetëm natyra por dhe shpirti i njerëzve. Një udhërrëfyes 14 vjeçar nga Valbona, Fatlum e quajnë, jo vetëm i durueshëm por dhe bujar, merrte kosin që ja kishte dhënë e ëma për ta pirë rrugës dhe ma e jepte pasi më shihte që kisha etje. Rrugës kam ndeshur dhe të huaj që vijnë nëpër bjeshkë dhe ato të apasionuar pas natyrës. Më bën përshtypje se janë edhe të rinj në moshë, nga Bullgaria, Çekia, Hungaria etj., dhe vijnë e vizitojnë alpet tona, ndërsa të rinjtë tanë rrinë gjithë ditën nëpër kafene e tym duhani.
Për mendimin tim, duke eksploruar natyrën, njeriu fiton mjaft dhe shërben edhe për të matur veten. Jo vetëm një matje fizike por dhe psikologjike. Forcohet temperamenti, ndjenja e kolektivitetit por dhe ndjenja kombëtare si dhe ajo e paqes. Natyra të jep qetësi shpirtërore e paqe në shpirt. Por duhet që pasioni i njerëzve të tillë si puna e ime të stimulohet. Unë shpesh kam marrë shokë nëpër këto zona, por jo të gjithë kanë mundësi të blejnë pajimet.
Ka mungesë infrastrukture sociale dhe shteti nuk bën asgjë për të stimuluar këtë lloj aktiviteti, për ta promovuar atë, pastaj secili kontribon individualisht. Njerëzit nuk e dinë sesa shumë të jep një aktivitet i tillë, është një pasuri shpirtërore e fizike shumë e veçantë. Kënaqësia e relaksi mes bjeshkëve janë të pakrahasueshëm“, përfundon rrëfimin e tij plot afsh e pasion profesor Ndriçim Ciroka. /tesheshi.com/