Profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi në një postim të tij në rrjetin social Facebook, ka reaguar ndaj mesazhit të përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, e cila ka thënë se “BE-ja ripërsërit se në shtetet demokratike, liria e shprehjes duhet të përfshijë idetë që mund të ofendojnë, tronditin ose trazojnë shtetin apo çfarëdo pjese te popullsisë, duke përfshirë ideologjitë, fenë si dhe satirën. Ndërsa në reagimin e tij profesor Milazim Krasniqi thotë se nëse lejohet ofendimi, tronditja dhe trazimi i shtetit, a i “çfarëdo pjese të popullsisë”, atëherë liria e shprehjes bëhet kontradiktore.
Ja postimi i plotë i Milazim Krasniqit:
Mesazhi i Federika Mogerinit në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit do të ishte korrekt, po të mos e kishte këtë pasus: “BE-ja ripërsërit se në shtetet demokratike, liria e shprehjes duhet të përfshijë idetë që mund të ofendojnë, tronditin ose trazojnë shtetin apo çfarëdo pjese te popullsisë, duke përfshirë ideologjitë, fenë si dhe satirën. Sidoqoftë, nuk përfshin nxitjen publike të dhunës dhe urrejtjes.” Nëse lejohet ofendimi, tronditja dhe trazimi i shtetit, a i “çfarëdo pjese të popullsisë”, atëherë liria e shprehjes bëhet kontradiktore, sepse vepron kundër lirisë së dikujt që dëshiron të jetë i paofenduar, I patronditur dhe i patrazuar. Ndërsa, nuk mund të ketë ofendim, tronditje dhe trazim, që nuk e nxitë urrejtjen, edhe nëse nuk e nxitë dhunën.