Ndryshe nga ato çfarë zakonisht jemi mësuar t’i shohim dhe t’i frekuentojmë, sot në lagjen Marigona Residence u hap qendra më e re tregtare “Çarshia”. Një vend ku qytetari përveç blerjes mund të gjejë momente çlodhjeje dhe argëtimi të veçantë. Qendra “Çarshia” ka një stil dhe arkitekturë unike, kombimim i stileve të çarshive të vjetra nëpër botë me elemente interesante moderne. Ajo ka një hapësirë prej 7000 m². Brenda janë 60 lokale, ndërsa jashtë 1900 vende parkimi.
Pronarët e saj janë munduar që në këtë qendër të sjellin marka të njohura ndërkombëtare dhe të vendit. Vend në “Çarshi” përveç lokaleve të veshjeve dhe ushqimit kanë zënë edhe libraria, këndi i lojërave për fëmijë, farmacia, mjeku kujdestar dhe dentisti. Risi për dallim nga qendrat e tjera është vendi i faljes për besimtarët myslimanë.
“Të gjithë ata që kanë dëshirë të ikin nga zhurma e qytetit për të kaluar momente argëtuese dhe relaksi, tashmë e kanë një vend të ri. Gjatë kësaj fundjave qytetarët do të mirëpriten nga një ekip i madh performuesish dhe artistësh, nga ku edhe do të mund të shijohen programi si për të rriturit, ashtu dhe për fëmijët dhe risitë që “Çarshia” i ka sjellë në vendin tonë. Çmimet nuk dallojnë prej lokaleve në qytet. Këto brende që janë këtu janë edhe në qytet”, thekson menaxheri i qendrës “Çarshia”.
Slogani i kësaj qendreje “Nuk ka më mirë”, ia vlen të provohet nëse është ashtu në të vërtetë./tesheshi.com/