Komiteti i çmimit Nobel ka shpallur fituesin për paqen. Ky çmim i është dhënë këtë vit Kuartetit Tunizian të Dialogut Kombëtar, si një konglomerat organizatash që kanë dhënë kontribut të madh në ndërtimin e një sistemi demokratik në Tunizi pas Pranverës Arabe të 2011-ës dhe trazirave në vend gjatë vitit 2013.
Paraditen e së premtes, Komiteti i Nobelit ia ka akorduar çmimin për paqen Kuartetit Tunizian të Dialogut Kombëtar, me motivin për ndihmën dhe kontributin e dhënë për ndërtimin e një demokracie pluraliste në vend pas revolucionit të vitit 2011. Sipas vetë krerëve të Komitetit të Nobelit, në garën për këtë çmim me prestigj të jashtëzakonshëm qenë rreth 273 figura dhe organizata me kontribute të veçanta, si kancelarja gjermane, Merkel, apo Papa Françesku. Por, përpos kontributeve të shumta anë e mbanë globit, Kuarteti Tunizian i Dialogut Kombëtar ka bërë diferencën, pasi ka zhvilluar një model dialogu dhe tranzicioni demokratik që mund të merret si shembull nga të gjitha vendet e përfshira nga trazirat politike dhe sociale të lindura pas Pranverës Arabe të vitit 2011.
Ky kuartet përbëhet nga katër organizata humanitare dhe konfederata që veprojnë në Tunizi, përkatësisht nga Sindikata e Punëtorëve, Shoqata e Sipërmarrësve, Liga e të Drejtave të Njeriut dhe Shoqata e Avokatëve, e është themeluar në vitin 2013.
“Kanë krijuar një proces politik alternativ dhe paqësor në një kohë kur vendi ishte në prag të luftës civile, duke i mundësuar Tunizisë, në hapësirën e disa viteve, krijimin e një sistemi qeverisës kushtetues që garanton të drejtat themelore për të gjithë popullsinë, pavarësisht nga gjinia, bindjet politike apo besimi fetar,” deklaroi kryetarja e Komitetit për çmimin Nobel, Kaci Kullmann Five, gjatë bërjes publike të vendimit, ndërsa pritet që çmimi t’u dorëzohet këtyre organizatave më 10 dhjetor në kryeqytetin norvegjez, Oslo. /tesheshi.com/