Gazeta elektronike prestigjoze, politico.eu, një media që është ndërmarrje e përbashkët e dy shtëpive të mëdha; politico në SHBA dhe shtëpisë botuese që nxjerr të përditshmen Bild në Gjermani, kanë botuar një shkrim të egër kundër Hashim Thaçit, numrit dy të qeverisë së Kosovës. Shkrimi është shkruar nga gazetari Chuck Sudetic, një reporter free lance që ka shkruar për New York Times-in. Shkrimi i referohet ish-diplomatëve perëndimorë në Kosovë por nuk ka asnjë emër. Gjithsesi tesheshi.com po boton pa koment pjesë të këtij shkrimi…
Tiranët që kontrollojnë Kosovën
Chuck Sudetic
Shqiptarët e Kosovës kanë respekt të madh për SHBA’të , ata gjithashtu e shikojnë me sy lakmitarë Bashkimin e Pasur Europian. Shqiptarët kanë arsye që të kenë ndjenja pozitive ndaj SHBA-së dhe BE-së, pasi perëndimi shkëputi Kosovën nga Serbia.
SHBA dhe BE kanë ndihmuar shumë Republikën e Kosovës dhe për tu njohur nga 100 vende. Miliarda euro janë derdhur në Kosovë në forma të ndryshme, ndërsa sot qytetarët e Kosovës janë në pritje të liberalizimit të vizave dhe firmosjes së MSA-së me BE.
Për këto arsye dhe për dashurinë që kosovarët e zakonshëm kanë për SHBA e BE, secili lider i këtij shteti që do të guxonte t’i dëmtonte marrëdhëniet me SHBAnë, dhe që do ta dëmtonte integrimin e Kosovës në BE qartazi rrezikon të përballet me një revoltë popullore në mos më keq.
Por megjithatë sipas diplomatëve që kanë punuar në Ballkan me dekada dhe që kanë pranuar të flasin për Politico në kushte anonimiteti, liderët me të fuqishëm të shqiptarëve të Kosovës, tashmë janë buzë shkaktimit të dëmeve të paprecedenta në mes të raporteve të Kosovës me SHBA dhe BE.
Më kryesori në mesin e këtyre individëve thonë diplomatët, është Hashim Thaçi, ish –Kryeministër dhe tash Ministër i Punëve të Jashtme. Ai është figura më e fuqishme publike në Kosovë.
Thaçi dhe anëtarët e tjerë të elitës politike të Kosovës që përmenden nga raporteve inteligjencës së vendeve perëndimore si figura të krimit të organizuar janë, theksojnë diplomatët, duke sakrifikuar interesat e Kosovës, për të mbrojtur veten nga ndjekja penale. Ata janë duke bërë kështu kur po refuzojnë përpjekjet e Uashingtonit dhe Brukselit për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të hetojë dhe gjykojë rrëmbimin e 400 personave pas fundit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999.
Sipas diplomatëve liderët kanë ushtruar ndikimin e tyre në Kuvendin e Kosovës, për të penguar miratimin e Gjykatës Speciale.
“Nëse Gjykata nuk miratohet marrëdhëniet mes SHBA e Kosovës do të prishen përfundimisht”, tha një diplomat perëndimor. “SHBA dëshirojnë të demonstrojnë përkushtimin e thellë që akuzat e hedhura të kanalizohen nëpërmjet një procesi gjyqësor”.
Një diplomat tjetër, që e ka përfaqësuar shtetin e tij europian në Kosovë për vite të tëra, ka theksuar se ka një qëndrim të njëzëshëm të ndërkombëtarëve për këtë çështje.
Viktimat për të cilat po kryhen hetime janë shumica të komunitetit serb dhe rom por edhe një numër i rëndësishëm i shqiptarëve ndaj të cilëve ka pasur akuza si bashkëpunëtorë të serbëve.
Hetuesit kanë mbledhur dëshmi që tregojnë se një numër i vrasjeve janë të lidhura me shitjen edhin fakte që do të mjaftonin për të ngritur aktakuzë.
Kritika e fundit që i është dhënë Thaçit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë së Kosovës, është ajo e 12 Korrikut, kur një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit ka kërkuar prej liderëve të Kosovës që Gjykata Speciale duhet të kalojë deri më 1 gusht.
Në një seri të takimeve të nxehta në Prishtinë ndihmës sekretarja e shtetit Victoria Nuland i ka informuar liderët kosovarë duke përfshirë Thaçin dhe Ramush Haradinajn që dështimi për t’i kryer ndryshimet e duhura do të rezultojë me “pasoja” të cilat ajo nuk i ka specifikuar, ka thënë për Politico, në kushte anonimiteti një burim nga Kosova.
Po, përkundër të gjitha këtyre vërejtjeve liderët e Kosovës nuk kanë mbajtur premtimet e dhëna ndaj SHBA-së. Thaçi, që për vite është konsideruar si një i besuar i perëndimit thotë se u ka bërë presion deputetëve që të mos e votojnë Specialen. Por nga ana tjetër ai nuk e ka kryer detyrën pasi disa deputetë të tij nuk e kanë votuar draftin, çka ka irrituar perëndimin. Disa mendojnë se zotimi public i Thaçit është një teatër pasi është i frikësuar nga hetimi ndaj njerëzve të tij.
“Thaçi po sillet si një kafshë në kafaz” ka thënë një diplomat i lartë në Prishtinë “qytetarët e Kosovës do të ishin të lumtur ta hiqnin qafe atë, por nuk po dinë se si.
Thaçi kontrollon qeverinë dhe jetën ekonomike. Nuk ka shanse që të lindin liderë të rinj, nuk ka shanse që bizneset të kenë sukses” . Kundër themelimit të Gjykatës kanë votuar edhe përfaqësuesit e opozitës duke përfshirë anëtarët e partisë së Ramush Haradinajt. Diplomatët perëndimorë pyesin nëse edhe ata po frikësohen si Thaçi se do të arrestohen, gjykohen dhe dënohet me dënime afatgjata.
Një diplomat perëndimor ka thënë se nuk shpreson që Thaçi do ti sigurojë votat. Në qarqet diplomatike po bëhen analiza se si liderët e nëntokës në Kosovë po shpikin trazira vetëm për të mos votuar Gjykatën Speciale. Kështu ai përmend konfliktin në Maqedoni, eksodin në Hungari si të komanduara.
“Gjëja më pikëlluese është se SHBA dhe BE e kanë ditur tash e 10 vjet se Thaçi me njerëz të tij është i angazhuar në kontrabandë droge dhe krijimin e një shteti mafioz”, ka thënë një ambasador evropian që e ka ndjekur Ballkanin me dekada. “ Mendimi ishte,’ ai është bastard, por është basrardi ynë.’”
Thaçi me vite e ka hedhur poshtë përfshirjen e tij në krim të organizuar dhe korrupsion. Ai madje kishte kërcënuar në vitin 2010, në një konferencë për shtyp se do t’i publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve, që kanë ndihmuar në raportin e Dick Martyt.
Në maj të 2015, në OKB Thaçi ka mbështetur themelimin e Speciales. Diplomatët perëndimorë që e kanë takuar Thaçin javëve të fundit, kanë thënë se ai dukej i qetë dhe komod përderisa ka diskutuar rreth Tribunalit Special, madje dukej i befasuar se si Kuvendi i Kosovës nuk i votoi ndryshimet e parapara.
Vëzhgues shqiptarë dhe diplomatë perëndimorë thonë se Thaçi tash është duke provuar të demonstrojë vlerat e tij para Perëndimit, në mes tjerash, si një aleat kundër terrorizmit islamik. Nëntoka e shqiptarëve të Kosovës, qartazi, ka arritur t’i korruptojë përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, në misionin e EULEX-it, të cilët kishin detyrë primare luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.