Të gjitha ato që thotë e pretendon Rama e Veliaj këto orë, pas arrestimit të këtij të fundit, si ankesa a kritika ndaj SPAK, deri dhe akuza për implikime politike të prokurorit të çështjes, mund të jenë të vërteta. E vërtetë mund të jetë që dhe ndaj Berishës mund të jetë bërë padrejtësi në hetimin apo gjykimin ndaj tij, pse dhe jo ndaj Metës, por të gjithë këto figura politike vendimmarrëse në vite, me impakt direkt mbi fate njerëzish, mbi fatin e një populli, a kanë bërë dhe vetë padrejtësi?! Kjo është pyetja që duhet bërë këto orë apo këto ditë, me kryefjalë Veliajn pas hekurave. Sepse dhe ky është thelbi i debatit, veç atij nëse SPAK po vepron pjekurisht në fundin e pandëshkueshmërisë ndaj politikës, asaj të pjacës.
Madje në të gjithë atë lumë komentesh nga gjindja për kryeministrin, të cilave ky i fundit u përgjigjet ngeshmërisht dhe me një durim prej derri “sy më sy”, nuk ka pse ka aq gomarrlliqe, në një, dy, tre apo disa fjali, ndërtuar katastrofikisht gjuhësisht e logjikisht; mjaft t’i drejtohet kjo pyetje Ramës: Po ti vetë ke qenë i drejtë me njerëzit në gjithë vitet e shumta të vendimmarrjes politike? A e ke patur ndonjëherë dert pikërisht këtë dimension njerëzor, pra që njerëzve të mos u bësh padrejtësi në çdo vendimmarrje? Sepse, drejtësia si nocion nuk kufizohet vetëm te proceset juridike; ajo është e gjerë, tejet e gjerë, e cila përfshin madje dhe qëndrimet për çështje të caktuara.
Ti mundet mos kesh asgjë në dorë, në kuptimin politik fjalës, por mjaft gjykimi yt mund të jetë i padrejtë mbi ndokënd apo mbi diçka. Fjala vjen, ndër qëndrimet më të ndyra të kryeministrit kohët e fundit, me një padrejtësi ulëritëse brenda, janë ato mbi konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, duke u shfaqur si një pusht sionist. Ky është vetëm një shembull, në dukje i rëndomtë, ngase nuk ka të bëjë me halle shqiptare, por tejet kuptimplotë ama.
Por duke qëndruar te qeverisja e tij apo qeverisjet e të gjithëve sa u përmendën më sipër, sa padrejtësi kanë prodhuar ndër njerëz?! Shumë! E tani u duhet të përballen dhe vetë me atë që kanë prodhuar direkt apo indirekt, pasi me stilin e tyre qeverisës nuk janë investuar më së pari në drejtësi, në moralin e të bërit politikë e të qeverisurit, duke marrë kësisoj përgjigjen shpaguese.
Ja fjala vjen Berisha: qahet dhe ai nga SPAK, por çfarë ka qenë drejtësia nën qeverisjen e tij? Tmerr! Sa ai njeri u investua për një drejtësi të drejtë e një shoqëri të drejtë? Zero! E kundërta! Padrejtësia, që në gjykim, është thelbi i mbrapshtë i tij.
Ndaj sot, nëse debati nuk sillet e përsillet në këtë dimension, mbi këtë thelb, të gjitha ç’thuhen janë broçkulla. /tesheshi.com/