Deputeti socialist, Pjerin Ndreu, njëherësh anëtar i komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, tha se fillesat e kanabisit në Shqipëri janë vitet ‘95, ‘95, ’96, atëherë kur siç theksoi ai, në pushtet ishte Partia Demokratike.
I ftuar në emisionin e mëngjesit në Vizion Plus, Ndreu, një ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit në kohën e Nanos, mbrojti idenë se qeveria po e lufton sa mundet drogën, dhe se kjo është një luftë e vazhdueshme që askund nuk është fituar plotësisht, siç ceku Ndreu, as në SHBA.
Faktit që trafiku i kanabisit tashmë është sofistikuar në forma, Ndreu iu përgjigj duke thënë se sa më e ashpër të bëhet lufta ndaj këtij trafiku, aq më të sofistikuara do bëhen dhe format e trafikimit. “Sigurisht që sot nuk mund të bëhet me mushka”, tha Ndreu.
Edhe ai, si arritje të madhe përmendi Lazaratin, ku tha se ishte një industri e mirëfilltë e drogës.
Dhe për dallim me situatën e sotme, Ndreu tha se sot nuk ka territor të pashkelur dot nga policia siç ndodhte me Lazaratin. /tesheshi.com/