Falimentimi prej disa ditësh i një prej kompanive më të njohur të karburanteve në vend ka sjellë atmosferën e firmave piramidale, të harruara që prej vitit të errët 1997.
Qindra njerëz blenë tollona nafte e benzine te kompania Gulf në ditët e para të prillit, pasi u ndanë me çmime të leverdisshme.
Por javën e shkuar kompania shpalli falimentin dhe klientët u gjendën të mashtruar.
Edhe pse në ditën e fundit një pjesë u dyndën në pikat e karburantit për të mbushur makinat, gjithsesi një pjesë e madhe kanë mbetur pa marrë karburantin e blerë paradhënie.
Sipas llogaritjeve paraprake bëhet fjalë për një mashtrim që arrin shifrën e 1.5 milion euro.
Gulf është një nga “pesë motrat” e Teksasit, pra është një nga korporatat më të fuqishme të naftës në botë. Është enigmë dhe çudi se si dy persona super të dyshuar kanë arritur të marrin liçensën e kësaj korporate brand në Shqipëri.
Arjani është një nga viktimat e këtij mashtrimi.
“Kam blerë rreth 1500 eruo tollona për të kursyer 100 lekshin, për të blerë një hekur a një lavatriçe. Një ditë të bukur shpalli falimentin. Po lekët e mija? Kush më mbron mua? Paratë m’i marrin një me një, po këtij që na rropi pse s’ja marrin?”, pyet ai.
Gerti është një biznesmen që punon me një kompani transporti. Ka blerë nga tollonat e Gulf 1 mijë litra naftë. Sot atij nuk i jep askush përgjigje.
“Isha në ministrinë e Energjetikës. Përgjigjen në mënyrë arrogante. Ku e gjejnë të drejtën xhanëm. Nesër do të dalim para kryeministrisë të gjithë dhe kërkojmë zgjidhje imediate. Ta japë qeveria. Ajo e lejoi, ajo kishte parasysh garancinë dhe shteti të na paguajë një më një”, thotë Gerti për tesheshi.com.
Kreditorët e Gulf kanë zhvilluar takimin e tretë sot në një zyrë ligjore në Tiranë dhe pritet të nisin betejën. Nesër pritet të takojnë diplomatë amerikanë, meqë kompania mëmë ka qenë nga SHBA. Ata kërkojnë ndihmë ligjore nga ambasa amerikane për të vazhduar betejën e tyre.
Kompania Gulf me pronarë gjeorgjianë erdhi në Shqipëri në vitin 2013 dhe hapi pika me pakicë. Një javë më parë kjo kompani shpalli falimentin dhe nuk i pagoi shtetit shqiptar detyrimet e saj fiskale.
Artani, është një punonjës i Gulf që mbushte makinat në një prej pikave të shpërndarjes së karburanteve. Ai thotë se për mbi 2 vjet që punoi në këtë kompani, rroga, edhe pse e vogël i jepej çdo muaj me korrektesë.
“Më paguheshin dhe sigurimet. Por kur u shpall falimenti askush nuk tha gjë, vetëm morëm vesh se s’ka punë.
I telefonova menaxherit, më tha jam edhe unë si puna jote. Ai ishte pronari pompës së benzinës. Tani po thotë që për mbi dy muaj i ka dhënë rrogat nga paratë e xhepit”, thotë Artani.
Një raport i DSIK prej dy muajsh bëntë të ditur dyshimin se kompania që ka Gulf po pastron para, por askush nuk u morr me këtë paralajmërim.
Policia shpalli në kërkim krerët e kompanisë Gulf pasi ia mbathën nga vendi, përkatësisht me 48 orë me vonesë.
Skandali gjigand po ofron çdo ditë e më shumë detaje të reja.
Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë pas menaxherit kryesor të kompanisë. Gjeorgjiani Irakli Zvanidze dhe administratori i shitjeve të kësaj kompanie për Tiranën janë dy të kërkuarit e tjerë. Shpallja erdhi në funksion të hetimeve të çelura nga Prokuroria e kryeqytetit.
Deri më tani janë verifikuar pasuritë e personit nën hetim, Albano Aliko për t’i ngrirë në llogari të hetimeve. Por pikat e karburantit janë të marra me qira dhe nuk mund të mbahen peng. Sipas të gjitha gjasave këtë fakt duket e kanë ditur organet tatimore, pasi Gulf kishte marrë kredi në banka.
Hetimet zbuluan se Gulf ka marrë me qira 70 pika të tilla në të gjithë vendin, ndërkohë që aktualisht ata janë vendosur me urdhër të prokurorisë në ngrirje provizore.
Mashtrimi ndaj qytetarëve është kryer brenda pak ditëve dhe më të dëmtuarat sipas denoncimeve zyrtare janë tre kompani transporti.
Ende nuk dihet numri ekzakt i qytetarëve të cilëve u janë shitur tollona me vlerë nga 1200 lekë deri në 1300 lekë për litër.
Pas kompanisë offshore që zotëronte Gulf në Shqipëri qëndron gjeorgjiani Aleksandre Gogokhia, i cili është prej vitit 2013 i përfshirë në hetime për pastrim parash me ortak biznesi ish-ministrin gjeorgjian që u arrestua kur po vinte në Shqipëri nga Franca. /tesheshi.com/